E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, beteja e spoteve midis partive politike



Partitë politike do ta përqendrojnë betejën e tyre elektorale edhe me anë të spoteve televizive. Për spotet dhe reklamat televizive ka disa nene të posaçme në Kodin e ri Zgjedhor. Kështu, në të përcaktohet se vetëm subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje kanë të drejtë të transmetojnë reklama politike gjatë periudhës zgjedhore në radiot, televizionet apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre të transmetimit të sinjalit. Reklamat politike të koalicioneve zgjedhore llogariten brenda kohës së partive politike anëtare të koalicionit, sipas marrëveshjes individuale të secilës parti me operatorin radioteleviziv. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 45 minuta për secilën parti që ka marrë deri në 20 për qind të vendeve në Kuvend dhe 90 minuta për secilën parti që ka marrë më shumë se 20 për qind të vendeve në Kuvend. Operatorët radiotelevizivë në çdo rast zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor. Për zgjedhjet në Kuvend radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, sipas këtij neni, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar në pikën 5 të këtij neni t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore. Reklamat politike të subjekteve zgjedhore transmetohen ndërmjet intervaleve kohore nga ora 15:00 deri 18:00 dhe nga ora 21:00 deri 24:00 të programit ditor.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›