E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisja e fushatës zgjedhore, “rregullat e lojës” që përcakton Kodi i ri Zgjedhor



Shaban Sulçe
Dje ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Partia Socialiste ka hapur fushatën e saj me mitingun e zhvilluar në Qytetin Studenti, ndërsa Partia Demokratike do ta hapë fushatën e saj ditën e hënë, në një miting që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”. Sipas Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore. Në Kodin e ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, ekziston një kapitull i veçantë me një sërë nenesh, të cilat përcaktojnë “rregullat e lojës” për zhvillimin e fushatës elektorale. Nenet kanë të bëjnë kryesisht me përcaktimin e të drejtave që kanë subjektet zgjedhore gjatë fushatës si dhe me hapësirën që do të zërë në organet e medias.
Të drejtat e partive
Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. Partive politike u garantohet gjatë fushatës zgjedhore publikimi i materialeve të tyre propagandistike, pjesëmarrja në debate televizive si dhe transmetimi i spoteve të tyre elektorale. Kodi Zgjedhor ndalon zhvillimin e fushatës zgjedhore në institucionet publike. Ndërkaq, çdo subjekt dhe parti politike, me fillimin e fushatës, ka të drejtë të vendosë materialet e saj propagandistike. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore cakton në mënyrë të drejtë dhe të paanshme vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike. Çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë qeverisjes vendore.

Fushata në media
Në radiot dhe televizionet private, pasqyrimi i fushatës zgjedhore bëhet vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme informative. Radiot dhe televizionet private nuk vënë kohë transmetimi në dispozicion të subjekteve politike për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të tyre. Radiot dhe televizionet private, në edicionet e tyre të zakonshme dhe të posaçme informative, duhet të respektojnë kushtet e mëposhtme: minutazhi politik i edicioneve informative ndahet në raporte kohore, sipas parashikimeve të pikës 1 të Nenit 80 të këtij kodi. Në rast të shkeljes së raporteve të pasqyrimit në favor të një partie, KQZ-ja, kryesisht ose me propozimin e KZAZ-ve, e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1 500 000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 3 000 000 lekë. Brenda edicioneve informative, gazetarët e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike. Në rast shkeljeje, KQZ-ja e gjobit operatorin radioteleviziv vendor me 1 000 000 lekë dhe operatorin radioteleviziv kombëtar me 2 500 000 lekë. Në rast përsëritjeje të shkeljes, KQZ-ja urdhëron KKRT-në të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv vendor për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 18:00 e ditës pasardhëse.

box

Organizimi i debateve televizive

Radiot dhe televizionet private kanë të drejtë të organizojnë debate zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve konkurrentë. Në organizimin dhe zhvillimin e debatit, radiotelevizionet private janë të detyruara të ruajnë baraspeshën mes partive politike në debat.

Sondazhet

Kodi Zgjedhor ka gjithashtu edhe disa nene të veçanta që kanë të bëjnë me sondazhet në fushatën zgjedhore, sondazhe të cilat kanë qenë shumë të diskutuara gjatë kësaj periudhe. Kështu, sipas Kodit, rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë dhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit. Publikimi i rezultateve të sondazheve zgjedhore duhet të përfshijë edhe emrin e organizatorit të sondazhit, porositësin e tij, numrin e personave të intervistuar, probabilitetin e gabimit, si dhe periudhën e zhvillimit të sondazhit.

29 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›