Fushata nën lupën e tre analistëve
Eduart Zaloshnja, Andrea Stefani dhe Ilir Yzeiri komentojnë batutat e para të garës elektorale të 23 qershorit. Si po sillen para zgjedhësve Berisha, Rama e të tjerët
Eduard Zaloshnja: Votohet për fanelat e ekipeve, jo për individët
Duket se fushata po përjeton një ndryshim cilësor, duke kaluar nga townhall-et e mbyllura, në mitingje masive. Gjithashtu vendin e propozimeve konkrete, po e zënë mesazhet populiste. Si e komentoni këtë fazë të fushatës së 23 qershorit?
Duket se ndikimi anglo-amerikan i konsulentëve të partive kryesore po ndihet gjithnjë e më tepër në fushatat shqiptare. Pas një fushate të gjatë me tryeza të rrumbullakëta dhe town hall-e, në të cilat janë shpalosur programet dhe janë dhënë premtime të detajuara nga palët, kanë filluar mitingjet masive, të cilat synojnë të ngrenë optimizmin e elektorateve përkatëse si dhe energjizimin e militantëve, të cilët pastaj shpërndahen lagje më lagje e rrugicë më rrugicë, për ti mbushur mendjen çdo votuesi të vakët apo të lëkundur për të votuar partinë përkatëse. Kuptohet që në mitingje masive, ngjisin mesazhe koncize e shpresëdhënëse, sado që shpesh janë thjesht mesazhe populiste pa shumë bukë brenda. Kjo është një sëmundje e fushatave kudo në botë, por në Shqipëri është më e rëndë se në shumë vende të tjera. Pas tetë vjetëve në pushtet, me korrupsionin dhe zullumet që e ka shoqëruar atë, kuptohet që për mazhorancën është më e vështirë se për opozitën që të realizojë objektivin e këtyre mitingjeve masive. Sidomos kur disa pjesëmarrës në mitingjet e saj janë punonjës të administratës publike të sjellë me zor në to.
Si e komentoni krizën e zgjatur të KQZ? A mendoni se mund të votohet me një komision të tillë zgjedhjesh, totalisht të zhbalancuar nga pikëpamja politike? Në këtë kuadër, si i shihni parregullsitë me listat? Sa i pranishëm do të jetë fenomeni i devijimit të votës në këto zgjedhje?
Edhe sikur KQZ-ja të plotësohet me 7 anëtarë, gjasat janë që të mos bëhen kurrë 5 vota për vendimet më të rëndësishme, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar. Në këto kushte, fatkeqësisht, vendimet më të rëndësishme ka gjasa të merren në Kolegjin Zgjedhor, si në të shkuarën. Parregullsitë me listat kanë qenë të pranishme edhe në 2009-ën, madje në magnitudë më të madhe. Ndryshimi tani është se opozita është në dijeni të tyre para zgjedhjeve dhe duket se po merr masa që të parandalojë votimin dy herë të të njëjtit person, apo të personave që nuk janë fare prezent në Shqipëri. Në qoftë se devijimi i votave nuk është më i madh se çmund të ketë qenë në 2009-ën, mendoj se nuk do të ndikojë në rezultatin përfundimtar, sepse tani kampi i majtë është i bashkuar dhe nuk do të ketë ndarje të votës si në 2009-ën, kur 84 mijë të majtë votuan për koalicionin e LSI-së.
Tashmë duket se habia e madhe e deputetëve socialistë që kalojnë djathtas, apo e LSI që flet me një gjuhë të pastër “opozitare”, apo edhe e kandidatëve të majtë të pavarur, është absorbuar deri diku nga opinioni publik. Cili do të jetë, sipas jush, roli i këtyre spostimeve të bujshme në rezultatin final?
Historia e 12 vjetëve të fundit ka treguar se shumica dërrmuese e elektoratit shqiptar voton për fanelat e ekipeve dhe jo për lojtarët individualë të tyre. Një Arben Malaj që mund të ketë marrë shumë vota në Llakatund, kur kishte fanellën e PS-së, do ta ketë shumë të vështirë të marrë po aq vota pa atë fanellë. Një Dritan Prifti që ka marrë shumë vota në Ndërmenas, kur kishte fanellën e LSI-së, do ta ketë shumë të vështirë të marrë po aq vota pa atë fanellë. Ky efekt besoj do të jetë edhe më i dukshëm për kandidatë si Islami, Kadeli e Dogjani, të cilët fanellën rozë e kanë ndërruar me fanellën blu
Andrea Stefani: Mitingjet, oksigjeni i vetëm i populistit Berisha
Duket se fushata po përjeton një ndryshim cilësor, duke kaluar nga townhall-et e mbyllura, në mitingje masive. Gjithashtu vendin e propozimeve konkrete, po e zënë mesazhet populiste. Si e komentoni këtë fazë të fushatës së 23 qershorit?
Kryeministri Berisha ishte ai qe aplikoi si një risi town-hall-et qe nuk zgjidhin asnjë hall për shqiptaret. Sepse janë garnitura elektorale si KOP-i i dikurshëm apo agjencia pranë kryeministrit për luftën kundër korrupsionit. Mesazhet populiste, në këndvështrimin tim, janë tipike për Berishën. Me përmbajtjen e rreme ato tentojnë të eksitojnë pasionet dhe mbajnë gjallë mbështetjen fanatike për liderin. I tillë është lajmi i rreme do heqim vizat me SHBA. Aty ku nuk ka sukses të prekshëm tendenca është të shpiket një sukses. Arritjet. Që nuk ekzistojnë zëvendësohen me premtime të bujshme që nuk do mbahen kurrë. Po të shikosh programin e qeverisë Berisha të vitit 2005 gjen plot të tilla që nuk janë realizuar as sot e kësaj dite. Populizmi berishist ka dhe anën tjetër të medaljes, demonizmin e opozitës si armike të Shqipërisë. Sikundër kemi parathënë në qendër të fushatës është vendosur akuza se 3 ligjeve mosmiratimi i të cilëve bllokoi integrimin. E gjitha është një kurth që Berisha e ka sajuar bashkë me disa ndërkombëtarë të korruptuar prej tij. Shqipërisë nuk i mungojnë 3 ligje për tu bërë europiane. Asaj i mungojnë shumë standarde të tjera ekonomike dhe infrastrukturore por do përmend vetëm një, që ka qenë në dorën e Berishës që ta realizojë: është ndarja e pushteteve. Me epshin e tij për sundim, Berisha ka përqendruar të gjitha pushtetet në grushtin e tij. Me thoni një vend europian që të ketë aplikuar këtë model? E si mund të kemi iluzione se mund të integrohemi në BE me një shtet ku pushtetet bën vend se të ndahen e ekuilibrohen e kufizohen reciprokisht, bashkohen në një dorë se në kohën e mbretit Solomon apo në epokën e komunizmit?! Në këtë këndvështrim, them se kryebllokuesi i integrimit është kryeministri autokrat Berisha dhe askush tjetër. Sa për mitingjet ato janë në natyrën e çdo fushate. Por Berisha e ka jetike komunikimin me turmat. Si çdo lider populist. Në fakti ai ka 8 vjet që komunikon me turmat për natë nga ekrani ti TV-ve. Tani i komunikon mashtrimet e radhës duke i tubuar ne sheshe.
Si e komentoni krizën e zgjatur të KQZ? A mendoni se mund të votohet me një komision të tillë zgjedhjesh, totalisht të zhbalancuar nga pikëpamja politike? Në këtë kuadër, si i shihni parregullsitë me listat? Sa i pranishëm do të jetë fenomeni i devijimit të votës në këto zgjedhje?
Ajo që ka ndodhur me KQZ është një puç institucional i vërtetuar katërcipërisht. U shkel ligji në emër të një ujdie që Berisha e reklamon si të drejtë. Një shtet ligjor nuk operon me ujdira. Këto mënyra vepr