E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata qytetare e Bashës

EDLIRA GJONI

Sa kandidatë për kryetar bashkie ka në Tiranë? Deri tani po shohim vetëm një. Edhe pse fushata elektorale ligjërisht nuk ka filluar,  publikisht e në media po bëhemi të gjithë dëshmitarë të axhendës së ngjeshur elektorale që po bën këto ditë kandidati i koalicionit Aleanca për qytetarin, Lulzim Basha. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka deklaruar në listën që i ka dorëzuar KQZ-së, se kandidati i saj për Tiranën është Edi Rama. Zyrtarisht mund të jetë kështu. Por, realisht, akoma nuk është dhënë rasti të shohim përqasjen personale të kryetarit aktual për mandatin e tij të katërt.
Po pret datën 8 prill që të respektojë ligjin? Bukur do të ishte për tu besuar, po ja që shpura e tij e kandidatëve për kryetarë të minibashkive në kryeqytet nuk të lë ta ëndërrosh këtë përqasje.
Fushatës intensive dhe vizitave në terren që po kryen, sipas një programi dukshëm të orkestruar me kujdes Lulzim Basha, i përgjigjen fytyrat e vrara e gjoja ironike të punonjësve aktualë të Bashkisë së Tiranës e të Partisë Socialiste. Në zë mundohen të mos kenë asnjë ndryshim nga Rama. Edhe në mënyrën se si i drejtohen z. Basha me versionin e shkurtuar të emrit, tamam ashtu siç e thërret publikisht edhe kryetari i tyre. Mirëpo, teksa Basha ndjek planin e hartuar me sa duket gjithë përkujdesje nga ekipi i tij, e majta ka filluar të shfaqet edhe në ekranet e saj të preferuara vetëm si pjesëz reagimi pas vizitave të Bashës. Refreni ka qenë i njëjtë gjithë javën e fundit. Jepet një lajm për takimin e kandidatit Basha me banorë të një zone në Tiranë, menjëherë pas saj reagimi i Partisë Socialiste, që pavarësisht emrit apo gjinisë së përfaqësuesit, përherë përmblidhet në: Luli nuk merr vesh nga Tirana. Unë jam këtu për të garantuar qytetarët se ai nuk di as çflet dhe as çbën.
Ndonjë fjali sqaruese se çfarë di Partia Socialiste më shumë dhe çdo të ofrojë ajo, nuk ka. Por, reagimi mbyllet këtu, sigurisht pa harruar ti drejtohen kandidatit kundërshtar për të dhënë llogari për akuzat ndaj tij në periudhën kur ishte ministër i Transporteve dhe ngjarjet e janarit, teksa ai ushtronte detyrën e ministrit të Brendshëm.
Mirëpo Basha vazhdon fushatën. Së bashku me ekipin e tij ai del nëpër Tiranë, viziton lagje, takon njerëz, dëgjon, kushton vëmendje. Edhe buzëqesh e akuzohet rëndë për dozat e saj. Po nuk do të ishte vënë re fare frekuenca dhe natyra e takimeve të tij sikur Partia Socialiste, nëpërmjet imitueseve të Edi Ramës, nuk do të reagonte pas çdo vizite, takimi e deklarate që bën kundërshtari politik, Basha.
Ama, Basha, si kandidat që është, del vetë, flet vetë, ecën rrugicave të pashtruara, që sjanë të pakta në Tiranë, dhe po konsolidon imazhin e një kandidati real për Bashkinë. Kurse nga kampi socialist, pas daljeve të Bashës, ka reaguar Shalsi, Nikolla, Shamku, Dhimitri, prapë Shalsi, prapë Nikolla. Po Rama jo. Hiç. Doli vetëm të thotë se mbështetësit e LSI-së vunë në dyshim sigurinë e jetës në Tiranë teksa qëlluan me armë zjarri në mes të ditës kryeinspektorin e Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Tiranës. Këtu e la deklaratën. Me të tjerat, sipas tij, duhet të merret prapavija. Ramës mund ti duket punë pa bereqet fushata për Bashkinë e Tiranës. Mund edhe ta konsiderojë humbje kohe. Sjellja e tij e deritanishme këtë tregon. Ama, nëse ai është mërzitur kaq pak me Tiranën, Tirana mund të jetë mërzitur akoma më shumë me të. Kryebashkiaku, i cili që prej zgjedhjes në krye të Partisë Socialiste, në vitin 2005, zor se ka kontribuuar personalisht më për Tiranën, duket se e ka marrë lehtë-lehtë këtë fushatë. Mirëpo besimi i tepruar për fitoren dhe shpërfillja e disa hapave në fushatë mund ti kushtojë rëndë Ramës.
Në zgjedhjet e 8 majit ai do ketë rreth 20 mijë vota më pak, teksa aleatja e dikurshme, LSI, është shndërruar sot në rrezikuese të sigurisë në mes të ditës (sipas PS-së). Nuk ka tregues të besueshëm të thonë se 20 mijë votuesit e LSI-së do të votojë patjetër për PD-në këtë fushatë. Por e sigurt është që as për PS-në nuk votojnë. Përse? Thjesht sepse Rama nuk po iu paraqet asnjë alternativë.
E Tirana nuk e ka arritur luksin e jetesës moskokëçarëse, saqë njerëzit të jenë super të lumtur me atë që kanë në kryeqytet, e të vazhdojnë të jetojnë me imazhin e 11 viteve. Jo. Njerëzit duan të dëgjojnë që Rama është pro reformave të mëtejshme në qeverisjen lokale, që e vlerëson kundërshtarin dhe e sfidon atë me qëndrime të drejtpërdrejta e me fushatë që ka në qendër popullin, jo gabimet e Bashës.
Gjuha joformale dhe mënyra me të cilën të majtët i drejtohen kandidatit kundërshtar ka vetëm një efekt: rrit kredencialet e tij te votuesit. Rama e di këtë më mirë se kushdo tjetër, sepse kjo taktikë e gabuar, e përdorur në 2007-n nga Berisha, ishte pikërisht momenti që i dha fitoren përfundimtare Ramës. Gjuha e ashpër e Berishës, fotot personale të Ramës dhe sulmet e panumërta ndaj tij dhanë efektin e kundërt te votuesit. Nuk është çudi që edhe në këto zgjedhje të ndodhë e njëjta gjë. Sulmet dhe pseudothirrjet ndaj Bashës kanë shumë gjasa të përkthehen në vota më të shumta për të.
Votuesit janë të lodhur nga diskurset e gjata e të pavlera politike, ku palët shajnë, e shajnë, e shajnë njëra-tjetrën bash ashtu siç e meritojnë në fakt. Po, të paktën, mes kësaj rrëmuje të sharash e akuzash ndaj kundërshtarëve, ekipi mbështetës i Bashës duket se po fiton terren me mënyrën që ka zgjedhur për ta këshilluar kandidatin e tij. Afrimi me votuesit, kushtimi i vëmendjes, dëgjimi i shqetësimeve, dhënia e premtimeve, që kanë për tu realizuar po aq sa ato që u dhanë në 2009-n, në 2007-n apo edhe në të gjitha zgjedhjet e tjera të mëparshme. Po çrëndësi ka? Të paktën Basha e merr mundimit që qytetarit ti kushtojë disa minuta kohë, edhe pse ato janë televizive.
Kurse siguria e Ramës se do të fitojë pa pasur nevojë për fushatë, është një egoizëm që ka gjasa ti kushtojë shtrenjtë. Supozimi i fitores në xhep është disi i tepruar, veçanërisht kur nuk mbështetet në performancën personale të tre viteve të fundit, por thjesht në gabimet e kundërshtarit.
Ishte e pritshme, në fakt, që edhe ekipi i përgatitjes së fushatës së Ramës të kujdesej e ta këshillonte atë për fushatën që nuk është e lehtë si në 2004-n, as e sigurt si në 2007-n. Por injorimi i hapur për votuesit dhe mungesa e kontaktit me ta nuk çon vota në kutitë e majta.
Por, me sa duket, strategjia e vetme e socialistëve në betejën për Tiranën është nulifikimi i personalitetit politik të kundërshtarit Basha dhe përhapja e panikut ndër votuesit se me të Tirana nuk ka të ardhme.
Të dyja, në fakt, kanë provuar në Shqipëri dhe tjetërkund të botë se japin efekt të kundërt te votuesit, veçanërisht te të lëkundurit e të zhgënjyerit nga politika, që sot në Tiranë janë në numër të madh.
Sa për informacion shtesë, beteja për Tiranën bëhet në Tiranë. Çdo komunikim tjetër i tërthortë, thjesht hap rrugën për atë që Tiranës do ti dalë më shumë për zot këtë fushatë.
Gjithmonë nëse pazaret politike nuk merren parasysh. E, në këtë rast, shenjat e para duken qartë. Tirana po flet përditë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›