E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harresa kërcënon

08-04-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Çfarë ka ndodhur në Kosovë, është saktësisht kështu:
Para 1999, Kosova qe nën Serbinë dhe pa aleatë.
Pas 1999, Kosova është pa Serbinë dhe me aleatë.
Kjo përmbysje, që s’gjendet fjalë ta shterrojë ngjarjen si përcaktim, kalëron shpejt në kohën e vendit dhe sjelljen e politikanëve, fatkeqësisht si duke u veshur me harresë, siç hekurin e zë ndryshku, sidomos në mjedis me igrasi.  Ka shenja të pakundërshtueshme se po shfaqet sëmundja e rrezikshme e harresës, dhe kjo diagnozë mendohet, por nuk thuhet e ca më pak të merret bari kurues, ndërsa ajo kërcënon. Sidomos ka gati një vit që politika atje u kumton qytetarëve të vet dhe aleatëve të mëdhenj se ajo rend për kah 3 P-të (Politikë + Poste + Para).
Nga trashëgimia gojore e shqiptarëve, gjatë represionit të pafund serb, është përcjellë dhe rrëfyer gjithmonë nëpër oda, tubime, dasma, morte dhe klube, kjo fabul domethënëse për vëmendje përballë harresës: Kur dy shqiptarë, të rënë në sherr e zënie si mos më keq me shoqi - shoqin, serbi në kulm të gazmendit, e urdhëroi fqinjin e vet serb: “Fute kryet në thes! Nga birat e thesit shih, kënaqu e qesh sa të mundesh. Po e qite kryet e të panë shqiptarët duke u gajasë me ta, e ndërpresin sherrin mes veti dhe kjo është keq për ne”.
Kjo po ndodh midis dy vendeve fqinj: Politika shqiptare të lë përshtypjen sikur të ketë harruar se 12 vjet më parë ka qenë nën çizmen serbe. Politika shqiptare sillet e shkujdesur sa thua që ajo po harron se Kosova ka qenë pa aleatë. Politika shqiptare sikur shpërfill  që nuk është e lehtë të kesh fqinje një Serbi armiqësore e  agresive, që e trazon vendin me ata pak të vetët që ka aty. Politika shqiptare sikur nënvleftëson se Karla del Pontet nuk shkruajnë vetëm libra. Politika shqiptare sikur nënçmon se s’ka veç një  Dick Marty. Të bëhet sikur politika shqiptare kujton që është folklorizëm kumti i sherrit mes shqiptarëve dhe kryet e serbit në thes.
Ndërsa lufta bëhet për 3 P-të (Politikë + Poste + Para), politika shqiptare sikur nuk vëren që Serbia e mban kryet në thesin e vet historik, i cili nuk është as i vjetëruar, as i grisur e as i hedhur në plehrishten e kohës. Serbia e shtin kryet thellë në thesin e saj për të fshehur kënaqësinë, që Prishtina të mos e ndërpresë sherrin, mundësisht sa më gjatë. A nuk u dëgjua propozimi pa jehonë shqiptare i  presidentit Boris Tadiç që nga Brukseli, se Beogradi e fton Tiranën për të biseduar mbi ndarjen e Kosovës? Thesi serb, në këto kohë, nuk është prej fijesh liri, fibrash sintetike apo beze me penj pambuku. Ai mëton të jetë kostum me prerje europiane, i stërholluar me properëndimorizëm, por me përzierje të serta dhe qepje ruse. Beogradi sillet qartësisht këmbëngulës: të pengojë intensivisht e të shërbejë diplomatikisht që Kosova të cilësohet shtet i dështuar, të përcjellë në Bruksel ndikimi e vet se Serbia është shtet i fortë perëndimor ballkanik, dhe për Kosovën i thotë vetëm një fjalë Bashkimit Europian: Kurrë njohje Kosovës!
Harresa tjetër do të ishte foshnjëri politike: Kosova s’kishte aleatë, tani ka aleatë të fuqishëm e të mëdhenj. Por sikur ka filluar ndryshkja e mendimit për të kuptuar që, miqësia është si dy miq pranë zjarrit: nëse të dy, herë njëri e herë tjetri, vënë shkarpa mbi prush, zjarri nuk shuhet kurrë. Por, nëse njëri hedh krane në zjarr e tjetri jo, atëhere edhe ai do të mërzitet, nuk do të hedhë më e zjarri shuhet. Aleancat nuk mbahen me deklarata rastesh, shprehje dashurie, shtrëngime politike, mospëlqime të heshtura, madje, as edhe me histori. Aleancat kërkojnë veprim të brendshëm të mençur dhe bashkërendues, sidomos nga një shtet i ri, i vogël, me kundërshtarë të egër afër dhe larg, për çlirimin e të cilit janë shpenzuar miliarda të panumërueshëm.
Politika shqiptare e ka të domosdoshme ndërmendjen, se thesi serb është edhe sot e kësaj dite dhe se aleanca  fatlume është arritur me përpjekje titanike, në bazën e të cilës, si gur  themeli është sakrifica e popullit, vizioni i Presidentit Rugova dhe ndjeshmëria ndaj lirisë e SHBA, që kryesoi luftën humane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›