E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi qëndrimin publik të intelektualëve

ILIR KALEMAJ

Intelektuali është dikush që me anë të kontributit të tij social, kulturor dhe personalitetit etik e moral arrin të influencojë norma të caktuara në shoqëri. Akoma më i rëndësishëm është kërkimi i së vërtetës, ballafaqimi me pushtetin, i cilitdo ngjyrë apo format qoftë ky dhe rezistenca ndaj prirjeve vanitoze, të cilat jo rrallëherë tentojnë të shfaqen në shoqëri, veçanërisht në epokën televizive dhe të internetit, ku informacioni është fragmentar, plural dhe i papërpunuar. Një gjë që i bashkon intelektualët është roli i tyre publik, përdorimi i një ligjërimi të veçantë që i shërben interesit publik dhe rezistenca ndaj përdorimit instrumental që mund tu bëhet vetë atyre nga pushteti. Disa autorë të mirënjohur në këtë fushë, të tillë si Benda, Gramshi apo Said, e kanë përkufizuar rolin e intelektualëve si atë të prishësit të status quo-së, të të jashtmit apo amatorit në kuptimin që kjo e fundit i vishet rolit të intelektualit publik, përkundër atij të specializuar, teknokratit në kuptimin e ngushtë të fjalës. Disa intelektualë bëhen të përfshirë aktivisht në politikëbërje, siç është rasti i mirënjohur i Vaslav Havelit, i cili u kthye në ndërgjegjen e kombit të tij, fillimisht nëpërmjet formave të rezistencës antipolitike nën regjimin komunist dhe më pas si simbol i unifikimit të vendit, duke e vënë theksin te morali personal dhe përgjegjësia e gjithsecilit në shoqëri. Gjithashtu, Havel është rast i veçantë, pasi tipizon edhe intelektualin universal që del jashtë kthetrave parokiale të komunitetit të ngushtë të shtet-kombit që përfaqëson dhe merr një rol universal duke mishëruar vlera dhe qëndrime në thelb kozmopolite që ndahen nga shumica e bashkësisë njerëzore.
Eduard Said ka bërë një nga përkufizimet më interesante të intelektualit kur thotë që ky i fundit duhet të flasë të vërtetën përballë pushtetit. Në thelb kjo nënkupton guximin e personave me bagazhin e duhur për ti thënë gjërat hapur, pa dorashka, edhe atëherë ku format e represionit ekzistojnë apo kërcënohen privilegjet e përftuara si rezultat i punës individuale. Intelektualët si qenie përgjithësisht të konceptuara mbi politikën, duhet gjithsesi të formulojnë qëndrime në thelb politike dhe të konfrontohen politikisht për të mbrojtur një ligjërim të caktuar. Një ligjërim që në thelb është normativ, duke ia lënë formulimin konkret dhe zbatimin empirik, politikanëve, administratorëve dhe menaxherëve të specializuar. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që intelektuali duhet të jetë ose publik, ose ekspert, pasi të dyja nuk janë domosdoshmërisht përjashtuese. Për shembull, Habermasi diferencon ndërmjet intelektualëve që bëhen ekspertë, por jo publikë (në kuptimin e ngushtë profesional) dhe masave që ngelen publike, por jo kritike, pra u mungon aftësia për analizë kritike. Gjithsesi, nëse perifrazojmë Marksin, specializimi i ngushtë, pjell idiotësi profesionale. Intelektuali në thelb është publik, pasi është pikërisht rezonanca që ai përcjell, qëndrimet e tij publike, marrja e një pozicionimi të caktuar që bën diferencën.
Ky është edhe ndryshimi themelor me teknokratin e ngushtë që mund të punojë në sektor publik apo privat, por që i shërben kryesisht vetes (nëpërmjet shpërblimit për punën e kryer) dhe kompanisë apo sektorit administrativ ku bën pjesë, por duke mos bërë asgjë të qenësishme për interesin e përgjithshëm publik. Por, sipas Mishel Fukosë, për shkak të ndryshimeve të ndryshme dhe si rrjedhojë e procesit të pandalshëm të modernizimit, po shkohet përherë e më shumë drejt specialistit, teknokratit, ekspertiza e të cilit nevojitet përherë e më shumë në një botë përherë e më të globalizuar dhe dinamike.
Një ndryshim ky jo i vogël që bën që zërat, të cilët normalisht i japin formë hapësirës publike, si analistë, akademikë, profesorë universitetesh dhe gazetarë, të kenë një impakt gjithnjë e më të vogël, ose duke u profilizuar ngushtësisht, të humbasin një element sa domethënës, aq edhe të nevojshëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik: erudicionin. Por, nëse erudicioni është vetëm mjeti, ashtu sikundër edhe stili, apo forma për tu bërë më atraktivë, idetë janë qëllimi dhe vetëm transmetimi i tyre në një formë apo tjetër në shoqëri ka impaktin e promovimit të ndryshimeve apo reformave të cilat tërheqin njerëzit dhe imponojnë detyra dhe obligime mbi klasën politike.
Në thelb, edhe iniciativa e fundit e disa intelektualëve të mirënjohur të Tiranës për të marrë pjesë aktive me kontributin e tyre në formulimin e politikave publike për kandidatët për kryetarë bashkie, në takimin për Iniciativën për Tiranën është për t`u mirëpritur. Ndonëse e vonuar, në kuptimin që mund të ishte bërë edhe përgjatë fushatave të mëparshme, apo mund të jetë një model që nuk ka pse të kufizohet vetëm me Tiranën, gjithsesi, është një ogur i mirë që premton një rol dhe angazhim më të madh publik të intelektualëve që nuk rrinë në qoshe të rehatshme apo kulla të fildishta, por, me anë të ekspertizës së tyre, japin një kontribut të vlefshëm, nëse ka veshë t`i dëgjojnë. E mira do të ishte që të dëgjoheshin para dhe pas fushate dhe mos të përdoreshin thjesht si dekor për të marrë votat e pjesës jomilitante të shoqërisë dhe të vazhdonte të kishte prurje të tilla ideore që i shërbejnë pasurimit të platformave elektorale dhe demokratizimit të mëtejshëm shoqëror.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›