E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjegjësia e qeverisjes

Me qenë se çdo njeri e pranon si plotësisht të vërtetë atë thënien “gjuha vete ku dhëmb dhëmbi’, e besueshme është që edhe lexuesi do të na lejonte të shpreheshim përsëri rreth përgatitjeve të zgjedhjeve të pritshme të 8 majit. Por, këtë herë, duke iu referuar deklaratave publike të fundit të Sali Berishës, në kuadër të fillimit de facto të fushatës elektorale. Sipas tij, koalicioni që drejton do të fitojë në këto zgjedhje 55 për qind të votave, ndërsa kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës – 53 për qind.
Nuk janë të panjohura taktikat dhe format propagandistike të forcave politike në raste të tilla, kur bëhet fjalë për të fituar pushtet edhe të nivelit të dytë në rrafshin vertikal. Aq më shumë që, veçanërisht ky proces elektoral për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, mund të konsiderohet edhe si një forum i ligjshëm për diskutime dhe ndryshime të rëndësishme politike në një të ardhme të afërt. Pra, me një të dëgjuar, deklaratat e Berishës ndoshta do të kuptoheshin si përpjekje të justifikuara për t’i dhënë zemër elektoratit të vet, pavarësisht nëse ky i arrin medoemos këto kuota.
Mirëpo, nëse këto shifra të kuotazhit të fitores nis t’i vërtitësh e t’i bluash në kokë, pikëpyetjet nuk të shmangen. Për shembull, ku i gjen këto nivele të larta Sali Berisha, përderisa nga zgjedhjet parlamentare të para dy viteve, me gjithë manipulimet e mëdha që bëri me dorë të vet, siç është tashmë e qartë edhe nga ato pak proces – verbale të komunës së Ruzhdijes dhe të tjera që ‘aksidentalisht’ iu nënshtruan dhe do t’i nënshtrohen përqasjes së publikimeve të ndryshme, koalicioni i drejtuar prej tij nuk arriti të siguronte një maxhorancë reale, por rrezikonte të thyente këmbët e kokën po të mos i ofrohej e bekuara patericë e Ilir Metës?
Më tej, si do të mund të rikuperohej fizionomia e këtij koalicioni që, nëpërmjet pushtetit të prezumuar vazhdimisht si i grabitur s’la dy gurë bashkë për të përmbytur, vjedhur, trafikuar dhe nëpërkëmbur në mënyrë të jashtëligjshme edhe atë diçka që kishte mbetur në pronësi të qytetarëve, apo nga ato taksa që paguajnë ata? Akoma më tej, çfarë rimëkëmbje të këtij koalicioni mund të pritej, kur forcat e armatosura në funksion të mbajtjes së pushtetit arritën të vrasin me lehtësinë e pamëshirshme dhe kurajën barbare qytetarët e pambrojtur, paqësorë, në mes të ditës e në mes të bulevardit qendror të Tiranës? Pas vështrimit, qoftë edhe kalimthi të kësaj tabloje, a nuk është qesharake, të thuash që paske me vete mbi gjysmën e shqiptarëve? A nuk është poshtëruese t’u drejtohesh atyre me buzëqeshje “Ju jeni të parët?”... Ai qoftë dhe Zoti e ndihmoftë!
Mirë, të gjitha këto e të tjera pikëpyetje nuk mbarojnë aq shpejt pa i vënë veshin përfoljeve të shumta e të zgjatura nëpër mjediset konfidenciale dhe në ato publike. Por, çka i karakterizon deklaratat e fundit të Sali Berishës nga dallim prej atyre të disa politikanëve të tjerë aktiv në këtë fushatë zgjedhore është jo vetëm që u shprehkërkan pa iu marrë aspak goja dhe pa iu bërë fare syri tërr të zotit, por edhe sepse ky aktualisht mban pozitën e kryetarit të Qeverisë dhe faktikisht kontrollon e urdhëron shumicën e kapaciteteve administrative shtetërore, qendrore e lokale. Kështu që është e arsyeshme të mbajë mbi vete edhe përgjigjen kryesore për organizimin dhe zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Sigurisht, pa u shmangur detyrimi që kanë të gjitha forcat pjesëmarrëse, subjektet përkatëse dhe liderët e tyre në ballafaqimin politik gjatë gjithë procesit elektoral. Prandaj, nuk mund të mos përqendrohet vëmendja te aktivizimi i këtyre kapaciteteve në rrugën e duhur, plotësisht ligjore apo jo.
Të vështrosh me fillimin e fushatës zgjedhore zbatimin e Vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave për nisjen e ‘dietës’ qeveritare, në kushtet e së cilës funksionarët publikë të prirur nga kryetari i Qeverisë nuk do të lëvizin me automjete shtetërore, s’ka dyshim që është një humbje kohe. Pse jo, edhe rënie në kurthin që i ngre opinionit publik vendas dhe faktorit ndërkombëtar cinizmi i Kryeministrit, duke dhënë në këtë mënyrë një ‘argument’ më shumë në favor të saktësisë së madhe dhe sigurisë së plotë për shifrat e fitores që u servir atyre! Në këtë terren të vështirë shqiptar, tashmë është bërë i qartë edhe efektiviteti real i ‘bujarisë’ qeveritare, për të bërë krahas këtij ‘vetsakrifikimi’ edhe amnistira e falje detyrimesh të ndryshme që kanë qytetarët ndaj shtetit, në këmbim të votave që do të mund t’i falnin këta koalicionit pushtetor.
Por, çështjet janë më ndjeshme dhe më konkrete, që ekspozojnë dukshëm rolin e organeve shtetërore, për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e një fushate të qetë, transparente, brenda parametrave kushtetues e ligjorë dhe me rezultate të besueshme. Pikërisht, shqetësimi rreth zgjidhjes së kësaj ‘nyje gordiane’ për çlirimin e vendit nga pengesat në rrugën drejt Bashkimit Europian, mbase s’do të ishte e tepërt të thuhej që ka përfshirë edhe aleatët kryesorë të Shqipërisë, përfaqësues të të cilëve më së pari e drejtojnë gishtin te përgjegjësia e qeverisë. Këtë përgjegjësi e pohoi me plot gojën edhe i dërguari i posaçëm i Komisionit Europian, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tretë të tij në Tiranë.
Ja, për shembull, edhe tani kur po përfundon afati i shpalljes së listave paraprake të votuesve, nuk mungojnë nëpër ‘to emra shtetasish pa kodin e banimit. Ndonëse, kjo dukuri është bërë evidente edhe nga mediat, edhe nga subjektet politike, asnjë efekt reflektimi i disa organeve qeverisëse nuk po ndjehet. Përkundrazi, aty – këtu apo gjetkë e gjetkë vihet re përhapje e mëtejshme e këtij, të themi, ‘virusi kompjuterik’. Konkretisht, që në fillim të afishimit të këtyre listave, në kronikat televizive të News 24 u pa qartë në Mërtinj shtimi i emrave të panjohur dhe i atyre të njerëzve të larguar prej vitesh nga ky fshat me gjithsej 30 shtëpi. Dhe, me gjithë denoncimin publik të këtij fakti, jo vetëm që nuk u lëviz as gishti për të bërë korrektimet e nevojshme, por evidencës së Komunës që përmbledh edhe këtë fshat të Vlorës iu shtuan edhe 300 emra të tjerë, që nuk e kanë atje vendbanimin e tyre. Kështu pra, në mënyrë konsekuente vazhdohet të shkelet jo vetëm Kodi Zgjedhor, por edhe Kushtetuta, në Kreun III “Për Liritë dhe të Drejtat Politike” të së cilës neni 48 urdhëron që “Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj”. Shkelje të tilla vërehen kudo, veçanërisht në ato njësi të qeverisjes që drejtohen nga koalicioni pushtetor si, fjala vjen, në disa minibashki të Tiranës. Në Minibashkinë nr. 3, për shembull, listat e votuesve përmbajnë 5 mijë emra shtetasish pa adresë, në Minibashkinë 8 dhe në atë 10 gjithashtu etj etj.
Ndërkohë mësohet që me vrulle të mëtejshme kanë nisur të falsifikohen kartat e identitetit. Teknologjia bashkëkohore bën të mundur edhe shfrytëzimin e rrugës më të lehtë dhe më të shpejtë në këtë drejtim: atë të printimit me saktësi në dukje, kryesisht nëpër zyrat e prefekturave të pajisura me aparate të prodhuar kohët e fundit. Nëse një prirje e tillë ka dalë jashtë kontrollit të Qeverisë, gjë që është e vështirë të besohet, atëherë i takon asaj që, së paku me kursimin e llogaritur nga ‘dieta’ që na qenka vendosur tani në Këshillin e Ministrave, të porositen menjëherë për të gjitha qendrat e votimit aparatet e verifikimit të elementeve të sigurisë që përmbajnë dokumentet e identifikimit të shtetasve shqiptarë. Në këto kushte, kjo masë është e domosdoshme, sepse një nga katër komponentët e votës, që parashikon Kushtetuta në nenin 45/4 të saj është cilësia vetjake.
Mund të flitet edhe për masa të tjera të domosdoshme që i takojnë Qeverisë për t’i marrë sa më shpejt dhe sa më efektivisht, gjithnjë në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit vendas, si edhe frymës së dokumenteve ndërkombëtare të rëndësishme dhe të pranuara nga Shqipëria. Aq më tepër kur disa subjekte politike të koalicionit qeverisës, madje edhe organet e Policisë së Shtetit nuk i njohin, ose bëjnë sikur nuk i dinë dhe qëllimisht deformojnë përmbajtjen e dispozitave, siç ndodhi në rastin e një konflikti për heqjen e plot flamujve të LSI–së nga shtyllat elektrike dhe pemët e trotuareve nëpër shëtitoret apo rrugët e Tiranës.
Në këtë kuadër dhe në çdo fazë të zhvillimit të fushatës nuk mund të lihet jashtë vëmendjes ajo që konstaton neni 3 i Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, ratifikimi i së cilës nga Shqipëria i hapi kësaj rrugën për pranimin si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Europës: “Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër të organizojnë, në intervale të arsyeshme kohore, zgjedhje të lira me votim të fshehtë, në kushte që sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit...” Dhe, s’duhet harruar që neni 3 i Protokollit nr. 1 është e vetmja dispozitë materiale e Konventës, e cila parashtron qartë një detyrim pozitiv për shtetin (pra, për qeverisjen e tij), të cilit veprimtaria në këtë fushë nuk i lihet fakultetit të vet, por u vishet obligimeve që ka marrë përsipër si palë e lartë kontraktuese e një dokumenti ndërkombëtar, i cili në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane ka marrë të njëjtën vlerë me dispozitat kushtetuese.
Prandaj, nëse qeveria shqiptare nuk ndërmerr masat e duhura për t’u arritur gjatë këtyre zgjedhjeve standarde demokratike, kriza politike gati dyvjeçare ka gjasa të thellohet më tepër, duke prodhuar edhe konflikte fizike të mëdha midis vet popullsisë së këtij vendi. Dhe, atëherë, përsëri përgjegjësia mbetet e qeverisë dhe gishti më së pari do të drejtohet te ajo.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›