E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata zgjedhore dhe privatësia

Fatos Puto/gazetar

-Fushata e zgjedhjeve parlamentare 2013 do të jetë një test dhe vlerësim për zhvillimin e ardhshëm të demokracisë shqiptare. Duke iu referuar treguesve dhe zhvillimeve brenda subjekteve zgjedhore, (veçanërisht të dy forcave kryesore politike dhe PD-PS) po konstatohet se klima para zgjedhore po tensionohet dukshëm, duke rrezikuar që të përhapet me shpejtësi edhe në elektoratin e gjerë në terren. Referuar « traditës » së krijuar tashmë në Shqipëri, si subjektet politike zgjedhore, ashtu edhe mediat pranë tyre, janë në kërkim të “skupit gazetaresk” rreth skandaleve në jetën private (herë të vërteta e herë të sajuara) të politikanëve kryesorë , më së shumti të liderëve të tyre, duke i « plasur » ato disa javë apo ditë përpara zgjedhjeve. A është e lejueshme një gjë e tillë?

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Sipas Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Fushën e Medias,  media mund të mbledhë informacion në lidhje me jetën private të personave në mënyrë të hapur dhe të drejtë. “Regjistrimet dhe hetimet e fshehta, nëse kryhen nga media ose me ndihmën e të tjerëve, duhet të përdoren vetëm kur nuk ka alternativë tjetër të arsyeshme dhe më pak ndërhyrëse për të mbledhur prova në lidhje me gabime serioze”. Regjistrimet e fshehta (nëpërmjet kamerave të fshehta, mikrofonave apo pajisje ndërhyrëse audio-video) ose hetimi i fshehtë mund të përdoren vetëm me vlerësimin e thellë të rrethanave të rastit, në varësi të një rëndësie të veçantë për publikun. Publikimi i fotove, në përgjithësi, duhet të konsiderohet si një ndërhyrje e konsiderueshme në të drejtën për respektimin e jetës private se sa si një  komunikim i thjeshtë i emrit të personit. Vendimi për përdorimin e metodave të fshehta të hetimit gazetaresk duhet të merret nga niveli më i lartë i drejtimit ekzekutiv të mediave. Fshehtësia e rreptë e telekomunikacionit duhet të respektohet, kështu që media duhet të përmbahet nga përgjimi ilegal ose pirateria e telefonit, ose tekst- mesazheve, pavarësisht nëse ata i kryejnë këto akte me nismën e tyre apo me ndihmën e të tjerëve.

 “Ndershmëria” nënkupton që media të arrijë një ekuilibër të ndërmjetëm, sepse nga njëra anë ekziston e drejta e individëve për të marrë informacion të plotë dhe të përshtatshëm për aktivitetet e figurave publike, dhe në anën tjetër, ekziston e drejta legjitime e këtyre personave të cilëve nuk duhet t’u shkelet privatësia.

Mbështetja ligjore

Mbi bazën e Nenit 151, pikës 3 të Kodit Penal, filmimi dhe regjistrimi në vende publike, pra edhe përgjimi është i lejuar. Në shumicën e rasteve, kur burimi i filmimit ose i regjistrimit është i identifikuar nga X ose Y person, atëherë ky fakt merret në konsideratë nga gjykata. Ndërsa kur filmimit ose regjistrimit nuk i del njeri për zot, pra filmimi është anonim, atëherë ky fakt nuk merret në konsideratë nga gjykata. Gjithashtu, në bazë të nenit 339 të Ligjit (Kodit Penal), gjatë seancave gjyqësore lejohet të përdoren materiale video dhe audio, pasi këto séanca, përgjithësisht, janë të hapura për median dhe për publikun.

Gjithashtu, neni 8 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale”) dhe neni 35 i Kushtetutës përcaktojnë se mbulimi mediatik duhet të jetë në përputhje me standardet e përgjithshme të mbrojtjes së të drejtës së privatësisë, në veçanti me parimin e saktësisë, proporcionalitetit, transparencës në sigurinë e përpunimit të të dhënave personale. Gjithashtu, sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese (16/2004): “Liria e shprehjes përbën një nga gurët themelorë të shtetit demokratik. Pa garantimin e kësaj të drejte nuk mund të bëhet fjalë për pluralizëm, tolerancë dhe krijim të vullnetit të lirë politik, aq të domosdoshëm për shoqërinë demokratike…Liria e shprehjes është gjithashtu bazë dhe kusht i domosdoshëm paraprak për garantimin e një sërë të drejtave dhe lirive të tjera themelore”. Ndërkaq, MEDIA mund të mbledhë dhe të shpërndajë informacion në lidhje me jetën private të figurave publike me pëlqimin e tyre. Gazetarët nuk duhet të përdorin metoda mashtruese për marrjen e pëlqimit, por ata mund të ndërhyjnë në jetën private të figurave publike, pa pëlqimin e këtyre të fundit, vetëm kur ka shfaqje të justifikuar të interesit publik. Një ndërhyrje e tillë duhet të jetë proporcionale dhe të mos shkojë përtej asaj që është e nevojshme për të plotësuar një interes publik legjitim.

Parimi i drejtësisë

Neni 19 i Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut thotë se gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. “Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe te ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”. Por në përputhje me parimin e drejtësisë, media duhet të ofrojë mundësi të shpejta për një figurë publike (ose një person që ka lidhje me një figurë publike) për t’u përballur me shkeljet. Kur është e mundur, dhe në qoftë se kjo nuk do të rrezikonte publikimin e ardhshëm, gazetarët duhet të kontaktojnë dhe të dëgjojnë personin para publikimit; ndërsa pikëpamjet e tij duhet  të prezantohen ashtu siç janë. Në fund të fundit, kjo është përgjegjësi e organeve editoriale (bordi editorial, shefi i editorialit, etj) të medias për të vendosur rreth publikimit të materialeve, pa dëgjuar personin përkatës para publikimit.  Media audio-vizuale duhet të jetë e vetëdijshme për faktin se, shpesh, ka një efekt shumë më të fuqishëm dhe më të shpejtë se sa media e shkruar. Në vendet publike (për shembull në rrugë, në transportin publik) individët mund të fotografohen dhe te filmohen pa pëlqimin e tyre, nëse këta persona janë pjesë e një turme dhe nuk fokusohen posaçërisht mbi të. Në të njëjtën kohë, është i lejuar fotografimi dhe filmimi i individëve, të cilët tërheqin vëmendjen qëllimisht nga veprimet e tyre, nga pamja apo në një mënyrë tjetër, si dhe ato që marrin pjesë në ngjarje publike (konferenca, protesta, etj) dhe për të shpërndarë foto të tilla dhe video materiale. Në vende potencialisht të ndjeshme, për shembull në ambulanca, spitale, shkolla, burgje; është gjithashtu i nevojshëm pëlqimi i drejtuesit të institucionit. Për disa lloje informacionesh, institucionet qeveritare kanë të drejtën të përcaktojnë se cilat lajme nuk duhen publikuar. Kjo bazohet në klasifikimin e informacionit si shumë i ndjeshëm, apo i rrezikshëm për publikun, ose në rastet kur ai klasifikohet si sekret shtetëror, (pra kur publikimi dëmton interesin kombëtar).

Gjithsesi, në legjislacionin shqiptar, për gazetarët ekziston edhe një NEN i veçantë në Kodin Penal  (Neni 159), që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit profesional. Me fjalë të tjera, askush, pra as gjykata, nuk mund ta detyrojë gazetarin të nxjerrë burimin e informacionit. Mjafton që ky informacion të jetë i vërtetë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›