Fushatë informuese për të drejtat gjuhësore

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët kanë lansuar sot një fushatë informuese për publikun për të promovuar të drejtat gjuhësore në Kosovë.
Fushata tre-mujore e titulluar ‘Gjuha juaj është e drejta juaj” ka për qëllim vetëdijesimin e publikut për mekanizmat përkatës për mbrojtje të gjuhëve dhe ankimim, si dhe për rolin e Zyrës së Komisionerit për Gjuhët. Posterë, fletushka dhe radio spote të prodhuar në gjuhët shqipe, rome, serbe dhe turke gjatë fushatës do të shpërndahen dhe transmetohen në mbarë Kosovën.
“Hartimi i kornizës ligjore dhe të politikave për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore, duke përfshirë edhe themelimin e Zyrës së Komisionerit për Gjuhët, grupin punues për gjuhët të Këshillit Konsultativ për Komunitete, si dhe rrjetin për politika gjuhësore ka sjellë përparim të dukshëm në Kosovë,” tha Eduard Pesendorfer, Zëvendës Drejtor i Departamentit të OSBE-së për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete, duke shtuar se tani është shumë me rëndësi të sigurohet se këta mekanizma kuptohen mirë dhe zbatohen në mënyrë të duhur.
“I inkurajoj të gjithë njerëzit në Kosovë që t’i drejtohen Zyrës së Komisionerit nëse mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur dhe ta përdorin Zyrën si avokues të tyre dhe garantues të të drejtave të tyre gjuhësore,” shtoi ai.
Deri në fund të shtatorit, OSBE dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët do të organizojnë pesë tryeza të rrumbullakëta për zyrtarë të nivelit komunal dhe qendror për tu ndihmuar të adresojnë sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë ofrimit të shërbimeve në gjuhët zyrtare në Kosovë, si dhe të identifikojnë zgjidhje.
Në vitin 2012, botimi i tretë i Raportit për Vlerësimin e të Drejtave të Komuniteteve ka vënë në pah se institucionet e Kosovës shpesh dështojnë të punojnë në përputhshmëri të plotë me kërkesat për të drejtat gjuhësore, gjë që ndikon negativisht në qasjen e komuniteteve në shërbime, thuhet në njoftim./Indeksonline/