Brezi i parë i studentëve Master, 350 diploma në UET
Veshje akademike e kapela që fluturonin në ajër nën ritmet e Himnit Europian. Kjo ishte atmosfera që shoqëroi studentët e parë të Nivelit Master Profesional dhe Master të Nivelit të Dytë, në Universitetin Europian të Tiranës, të cilët u diplomuan në një ceremoni solemne të organizuar dje pasdite në sallën e Akademisë së Arteve. Të pranishëm në ceremoni ishin themeluesi i Universitetit Europian të Tiranws, Henri Çili; presidentja Teuta Dobi; rektori Tonin Gjuraj; dekanët e tre fakulteteve, pedagogë, studentë, prindër e të ftuar të tjerë.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Universitetin Europian të Tiranës, pasi me anë të kësaj ceremonie do të diplomojmë studentët tanë të parë në ciklin e dytë të studimeve, në nivelin Master i Nivelit të Dytë dhe Master Profesional. Kjo është një shenjë rritjeje, serioziteti, cilësie dhe diferencimi në tregun e punësimit”, tha presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Teuta Dobi, duke iu drejtuar studentëve në sallë. Në vetëm pesë vjet qysh nga themelimi Universiteti Europian i Tiranës, i akredituar me vendim të Këshillit të Ministrave, vendim të Këshillit të Akreditimit dhe urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës në programet Bachelor, Master i Shkencave dhe Master profesional, diplomoi 350 studentët e parë të nivelit Master, të cilët kanë gjetur në mjediset e UET atë që kërkonin për të ardhmen e tyre profesionale.
Të diplomuarit e djeshëm nga Universiteti Europian i Tiranës vinin nga përvoja të ndryshme profesionale, institucione të rëndësishme, administrata publike, drejtues kompanish, bankash, organizatash jo qeveritare, media etj., të cilët kanë zgjedhur të kryejnë studimet në degët dhe profilet e larmishme dhe të kërkuara sot në tregun e punës, që ofrojnë tre fakultetet e këtij universiteti, ai Ekonomik, Juridik dhe i Shkencave Sociale. Profilet më të kërkuara, të cilat kanë regjistruar edhe numrin më të madh të studentëve, janë Tregje Financiare dhe Menaxhimi bankar në degën Financë, Biznes dhe Marketing ndërkombëtar, lidership dhe menaxhim i karrierës në Shkenca Komunikimi, Administrata dhe politika publike në Shkenca politike, E Drejtë private, Qeverisje korporatash, në Juridik, Studimet të sigurisë e gjeopolitikës, në Marrëdhënie ndërkombëtare etj.
“Sot, UET është në gjendje që të ofrojë me sukses 12 diploma në Master i Shkencave dhe 14 diploma në Master Profesional. Gjithashtu, jemi të përgatitur dhe kemi kapacitetet e duhura për të hapur edhe ciklin e tretë e studimeve në doktoraturë, sipas profileve shkenca ekonomike, juridike dhe shkencave sociale”, vijoi presidentja Dobi.
Universiteti Europian i Tiranës me filozofinë e tij, duke iu përshtatur më së miri zhvillimeve të shpejta ekonomike, politike, por edhe sociale në vend, si edhe rritjes së kërkesës së madhe për dije të specializuara që parashtron tregu i punës, ka përqafuar në këtë epokë të ekonomisë së njohurive metoda bashkëkohore, praktika efektive, njohuritë më të evoluara për të formim profesional e shkencor të atyre që kanë zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për të kryer studimet.
“Ju jeni ekonomistët, juristët, politologët, biznesmenët, menaxherët dhe politikanët e së nesërmes. Disa prej jush i kanë këto profesione që tani, duke zotëruar poste të rëndësishme dhe ne ndihemi krenarë për ju. Por nga ana tjetër, ceremonia e diplomimit nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një diplome apo certifikim të njohurive, por lidhet dhe me zgjedhjen e disa vlerave universale që na vlejnë të gjithëve dhe që na bëjnë të ndihemi të plotësuar, pavarësisht zgjedhjeve që bëjmë në jetë. Duke u diplomuar sot, ju jo vetëm keni kurorëzuar me sukses avancimin e dijeve tuaja, por edhe keni rishpikur vetveten duke e sfiduar atë. Sepse të qenit student i Universitetit Europian të Tiranës përfaqëson një sfidë që vetëm më të mirët arrijnë t’ia dalin dhe ta realizojnë”, u tha presidentja Teuta Dobi të diplomuarve, duke shtuar “i sigurojmë të dashurit tuaj që investimi i tyre ka qenë i suksesshëm dhe ne kemi përgatitur profesionistë dhe ekspertë që i bëjnë nder Shqipërisë”, ka përfunduar fjalën e saj presidentja Dobi.
Fatos Tarifa dhe Petraq Papajorgji marrin Çmimin e Presidentit
Përveç diplomimit të studentëve, presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Teuta Dobi, vlerësoi me dy çmime speciale pedagogët Fatos Tarifa dhe Petraq Papajorgji, për rezultate të spikatura në punën shkencore dhe vlerësimet ndërkombëtare që kanë marrë. Instituti Bibliografik Amerikan (American Bibliographical Institute) e ka zgjedhur prof. Fatos Tarifën për t’u përfshirë, shoqëruar nga një biografi e shkurtër akademike, si një subjekt rekordi historik ndërkombëtar, në edicionin e 5-të të botimit referencial Great Minds of the 21st Century, për vitin 2011, botuar nga ky Institut me qendër në Raleigh të Karolinës së Veriut.
Në proklamatën e lëshuar me këtë rast, shkruhet: “Bordi Drejtues i Editorëve të Institutit Bibliografik Amerikan ka zgjedhur Prof. Fatos Tarifën si ‛Great Mind of the 21st Century’ për shkak të arritjeve të tij të rëndësishme dhe të aftësive të tij në Sociologji, nder ky që rezervohet për njerëz, arritjet dhe influenca e të cilëve janë rezultat i aftësive të tyre të shquara intelektuale”, dhe Organizata botuese amerikane “IGI Global” akordon një ndër katër çmimet vjetore te “Ekselencës në Kërkim” me motivacionin: “IGI Global me krenari prezanton Çmimet për Artikullin më të Mirë më 2010 për Prof. Petraq Papajorgji për artikullin e tij ‘Modelimi: një aktivitet qendror për zhvillimin e Sistemeve Fleksibël të Informacionit në Bujqësi dhe Mjedis’, i botuar në ‘International Journal of Agricultural and Environmental Information Systems’ Volumi 1/1”.
“Në bazë të vlerësimeve sa më lart, në emër të Universitetit Europian të Tiranës, u akordoj Profesorëve Fatos Tarifa & Petraq Parajorgji ÇMIMIN E PRESIDENTIT TË UET “Distinguished Researcher”, tha presidentja Dobi.
UET, krenar për studentët e tij elitarë
Të dashur studentë dhe profesorë të nderuar të Universitetit Europian të Tiranës!
Sot është një ditë e rëndësishme për Universitetin Europian të Tiranës, pasi me anë të kësaj ceremonie do të diplomojmë studentët tanë të parë në ciklin e dytë të studimeve, në nivelin Master i Nivelit të Dytë dhe Master Profesional. Kjo është një shenjë rritjeje, serioziteti, cilësie dhe diferencimi në tregun e punësimit. Sot, UET është në gjendje që të ofrojë me sukses 12 diploma në Master i Shkencave dhe 14 diploma në Master Profesional. Gjithashtu, jemi të përgatitur dhe kemi kapacitetet e duhura për të hapur edhe ciklin e tretë e studimeve në doktoraturë, sipas profileve shkenca ekonomike, juridike dhe shkencave sociale.
Të jesh një universitet i ri, por me studentë kaq elitarë si ju, është fat dhe përgjegjësi. Fat, sepse zhvillimet e vazhdueshme dhe të shpejta të jetës politike, ekonomike dhe sociale në vend koincidojnë me zhvillimet në fushën e arsimit të lartë dhe kërkesës së madhe për dije të specializuara që paraqet tregu i punës. Në erën e re të ‘ekonomisë së njohurive’ kërkohen më shumë sesa thjesht njohuri teorike; kërkohen metoda bashkëkohore, praktika efektive, njohuritë më të evoluara, të cilat ne i vumë në dispozicionin tuaj për të dhënë më të mirën në formimin tuaj profesional e shkencor.
Megjithatë, nuk jam këtu për të folur vetëm për Universitetin Europian të Tiranës, pasi ju gjatë viteve të studimit e njihni mirë atë. Jam këtu për t’ju përshëndetur dhe për të folur për ju, për vitet tuaja të shkollimit dhe karrierën tuaj ekzistuese apo atë të ardhshme. Sot jemi mbledhur këtu me urimet dhe shpresat më të mira për të ardhmen tuaj. Ju jeni ekonomistët, juristët, politologët, biznesmenët, menaxherët dhe politikanët e së nesërmes. Disa prej jush i kanë këto profesione që tani, duke zotëruar poste të rëndësishme dhe ne ndihemi krenarë për ju.
Por nga ana tjetër, ceremonia e diplomimit nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një diplome apo certifikim të njohurive, por lidhet dhe me zgjedhjen e disa vlerave universale që na vlejnë të gjithëve dhe që na bëjnë të ndihemi të plotësuar pavarësisht zgjedhjeve që bëjmë në jetë. Duke u diplomuar sot, ju jo vetëm keni kurorëzuar me sukses avancimin e dijeve tuaja por edhe keni ri-shpikur vetveten duke e sfiduar atë. Sepse të qenit student i Universitetit Europian të Tiranës, përfaqëson një sfidë që vetëm më të mirët arrijnë t’ia dalin dhe ta realizojnë. Ju, të nderuar kolegë, ishit ata që merrni pjesë në sfidat elektorale, konkurruat dhe fuqizuat kompanitë e biznesit, drejtuat reforma të rëndësishme në poste publike, zhvilluat aftësitë tuaja profesionale në firmat e menaxhuara nga vetë ju.
Megjithatë, Universiteti Europian i Tiranës nuk mund t’i marrë vetë të gjitha meritat dhe kreditet e suksesit tuaj. Ju jeni këtu edhe falë përpjekjeve dhe dashurisë së familjeve tuaja, të cilët meritojnë një përshëndetje të veçantë. Prindërit shqiptarë ndoshta janë të vetmit prindër në botë që investimin më të sigurt e shohin tek arsimimi i fëmijëve të tyre. Ata janë rritur në një botë pa karta krediti, pa telefona celularë, pa llogari bankare, pa investime financiare spekulative. Ata dinë të investojnë vetëm nëpërmjet dashurisë që kanë për fëmijët e tyre, dashurisë që kanë për arsimin. Po ashtu, bashkëshortët/bashkëshortet tuaja, të cilët morën përsipër ngarkesa më të rënda familjare gjatë kohës së studimeve tuaja. I sigurojmë të dashurit tuaj që investimi i tyre ka qenë i suksesshëm dhe ne kemi përgatitur profesionistë dhe ekspertë që i bëjnë nder Shqipërisë.
Ndërsa po diplomoheni me një diplomë të Masterit të Nivelit të Dytë apo Masterit Profesional, do t’ju duhet të përballeni me pyetje të vështira. A do të ecni përpara në karrierën tuaj? A do të arrini pritshmëritë që i keni vënë vetes? Sigurisht që këto pyetje janë të rëndësishme, por mendoj se shqetësimi juaj kryesor duhet të jetë që të jeni vetvetja në çfarëdo punësimi apo profesioni ku do të performoni. Duhet që të mos i tradhtoni gjithë pritshmëritë, qëllimet dhe ëndrrat që kishit kur u regjistruat në Universitetin Europian të Tiranës. Kjo është dhe teoria më e rëndësishme e jetës, të cilën parapëlqej ta përmbledh me fjalët “përpiquni të arrini atje ku do të donit të arrinit”. Vetëm duke rrezikuar dhe sfiduar vetveten do të arrini objektivat që i keni vënë vetes. Gjithmonë mund të kthehesh mbrapa në hapat e para, por duke provuar dhe duke riskuar do të mundeni të zbuloni dhe anë të panjohura të vetes suaj.
Shpesh mjedisi shqiptar është i pasigurt dhe ndonjëherë mbizotëron dhe konkurrenca e pandershme, por karriera juaj e deritashme, karriera jonë - pedagogëve tuaj, realitete si Universiteti Europian i Tiranës, provojnë se në të ka vend për të ‘drejtën’, ‘të ndershmen’ dhe ‘aftësinë”. Vetëm mbi këto tre tipare do të mund të ndërtoni një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme.
Në këtë ditë të shënuar të diplomimit tuaj, lejomëni t’ju kujtoj se Ju mbeteni përjetësisht “alumni” të UET-it, dhe si të tillë konsiderojeni Universitetin Europian të Tiranës si formuesin tuaj, ku natyrshëm mund të merrni mbështetje e fuqizim sa herë që do të ballafaqoheni me sfida të reja zhvillimi, sikurse ne me suksesin tuaj do të provojmë realizimin e misionit tonë në shërbim të shoqërisë. Suksese!
*Fjalimi i presidentes Teuta Dobi në Ceremoninë e Diplomimit.
Dekanët, Çmime të Ekselencës për tre studentë
Dekanët e tre fakulteteve, dekania e Fakultetit Ekonomik, Prof. Assoc. Luljeta Minxhozi; dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Dr. Migena Leskoviku; dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. assoc Tonin Gjuraj; u dhanë tre studentëve Çmimin e ekselencës: Benan Dibrws nga Ekonomiku, Rexhina Merlika nga Juridiku dhe Arlinda Çaushollit nga Shkencat Sociale, të cilët kanë spikatur me rezultate të larta në studimet Master professional dhe Master të Nivelit të dytë. “Falenderoj të pranishmit, stafin akademik, prindërit familjet e secilit prej nesh që na kanë ndihmuar të arrinim ditën e sotme të diplomimit. Për mua ishte një nder të studioja në universitetin Europian të Tiranës, si një universitet që krijoi një mjedis të ri akademik për ne që kishim kohë që ishim larguar nga një i tillë”, u shpreh studenti Benan Dibra. “Jam shumë e lumtur që sot marr këtë diplomë të studimeve Master në UET, sepse më riktheu edhe njëherë kujtimet e dy viteve shkollë. Në fillim ishte e pamendueshme për ne gjithë kjo eksperiencë që jetuam në UET. Ne kishim mbaruar fakultete të ndryshme dhe vinim nga eksperienca të ndryshme në UET, por na bashkoi dëshira për të vazhduar më tej dhe për të zgjedhur më të mirët”, u shpreh studentja Rexhina Merlika. “Është një nder për mua që më jepet mundësia që jo vetëm të diplomohem në UET, por edhe të mund të falenderoj dhe përshëndes të gjithë profesorët e nderuar të Universitetit, që na kanë dhënë dije të kualifikuara për të përballuar sfidat dhe tregun e punës. Falenderoj koordinatoret, sekretaret që na kanë ndjekur hap pas hapi në çdo procedurë të jetës akademike”, u shpreh studentja e shkencave sociale Arlinda Çausholli.