E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushë-Krujë, masakër me plumba dhe shumë dëshmitarë

EKZEKUTIMI/ Indrit Çela vritet me armë nga personi që ishte nisur ta vriste ai vetë pas një konflikti

FUSHË-KRUJË – Tenton të vrasë, por mbetet i vrarë. Indrit Shpëtim Çela ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm ndërsa është përleshur me bashkëfshatarin e tij Lulzim Çela dhe më pas është qëlluar prej këtij të fundit me kallashnikov, në sy të shumë njerëzve, duke shkaktuar një tronditje të madhe të dëshmitarëve okularë. Lumi i gjakut nga plagët e marra ka bërëqë Indriti të ndërrojë jetë menjëherë, ndërsa të pranishmit të përjetojnë ankth. Nga ana e policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, u bë i mundur arrestimi i Lulzimit, i cili nuk bëri rezistencë, por u vetëdeklarua i pafajshëm për shkrepjen e armës drejt 34-vjeçarit, i cili vdiq në vend.

Ngjarja

Ishin orët e para të mëngjesit në fshatin Arameras të Fushë-Krujës, kur 34-vjeçari Indrit Çela i është drejtuar një vendi të fshehtë në banesën e tij nga ku ka nxjerrë një arsenal armësh të depozituara prej kohësh atje. Ai ka marrë një automatik kallashnikov, si dhe 2 copë granata dore ofensive. Me to dyshohet se ka dashur të vrasë bashkëfshatarin Lulëzim Çela, me të cilin kishte një konflikt. Zgjidhja e problemit duket se ishte vendosur të kryhej me anë të vetëgjyqësisë. Por gjithçka ka rrjedhur në të kundërt. Teksa 34-vjeçari është përballur meLulëzimin, ata janë sharë me njëri-tjetrin. Afërsia ka bërë që dy personat të kacafyten me njëri-tjetrin dhe pas një përleshjeje të frikshme, arma ka ndërruar pronar. Kështu 21-vjeçari ka arritur t’i marrë armën Indritit dhe më pas të qëllojë mbi të me breshëri.

Hetimi

Nga ana e grupit hetimor është konstatuar paraprakisht se “shtetasi Indrit Çela ka qenë i armatosur me dy granata dhe një automatik dhe ka dashur të vrasë shtetasin Lulzim Çela, por nuk ka mundur pasi ky i fundit ka arritur t’ia heqë armën nga dora. Më pas ai ka qëlluar në drejtim të Indrit Çelës duke e lënë atë të vdekur”. Ndërkohë po vazhdon puna për zbardhjen e plotë të motivit të kësaj ngjarjeje. Ndërsa 21-vjeçari pritet që të akuzohet për “vrasje me dashje”. Me gjithë pretendimin e tij se vepra është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, po shihet me vëmendje nëse autori i kësaj vrasjeje e ka kapërcyer këtë vetëmbrojtje të nevojshme. Mësohet se pavarësisht se kishin të njëjtin mbiemër, dy personat nuk kishin lidhje farefisnie njëri me tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›