E Diel, 1 Nëntor 2026

Një femër kërcënon për vdekje drejtorin e ELBER-it

DENONCIMI/ Atila Gjyladin ka bërë një kallëzim në drejtorinë e policisë në Elbasan për kërcënim të marrë në telefon

ELBASAN - Kërcënohet për vdekje drejtori i ELBER-it, ndërsa policia u vu menjëherë në kërkim të telefonuesit. Ngjarja u regjistrua dy ditë më parë kur drejtori i Përgjithshëm i ELBER-it, Atila Gjyladini, mori një telefonatë në mesditë nga një numër i paidentifikuar. Kur iu përgjigj telefonatës, ai dëgjoi fjalët kërcënuese: “Përgatitu, pasi brenda javës do të të vras!”. Telefonata që zgjati pak sekonda, bëri që drejtori i kompanisë me shtetësi maqedonase, i lindur dhe banues në Ohër, t’i drejtohet komisariatit të policisë për të bërë denoncimin. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se pranë komisariatit të Elbasanit në seksionin e krimeve kundër personit është bërë kallëzim nga shtetasi A.Gjyladin. Sipas kallëzimit të tij, rreth orës 12:29 nga një numër i panidentifikuar i është bërë një telefonatë kërcënuese për jetën. Mësohet se shumë shpejt nga agjentët është arritur të zbulohet se cili ishte numri dhe që rezultonte të ishte maqedonas. Gjithsesi, hetimi nga prokuroria ka nisur për veprën penale të “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Ndërkohë, i kontaktuar me telefon, Gjyladini nuk pranoi të përgjigjej lidhur me ngjarjen duke u mjaftuar vetëm me shprehjen “Nuk e di!”. Të kontaktuar, drejtues të Policisë së Elbasanit konfirmuan se numri i cili kishte kërcënuar Gjyladinin ishte maqedonas dhe se ishte i identifikueshëm. Sipas tyre, drejtoria e policisë ka ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme duke transferuar edhe çështjen në shtetin fqinj. Rasti mori rëndësi edhe më të madhe nisur nga fakti se bëhej fjalë për një drejtues në një pozitë të lartë. Megjithëse, nga krerët e policisë nuk u konfirmoi, dyshohet se telefonuesi kërcënues ka qenë femër. Sipas burimeve, telefonata ka lidhje me jetën private të Gjyladinit, por gjithsesi ende nuk deklarohet shkaku i kërcënimit ndaj drejtorit. Atila Gjyladin ka rreth 4 vjet në pozicionin e drejtorit të ELBER-it, kompani e cila është mbështetur nga Banka Gjermane për Rindërtim e Zhvillim KFV dhe tashmë edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe ka marrë me koncension ujësjellësin e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›