E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushe Krujë, policia dhunoi të burgosurit

Punonjës të burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike për të shpërndarë revoltën e të burgosurve. TV. NEWS 24 siguron ekskluzivisht pamje të dhunës që është ushtruar ndaj të burgosurve. 

FUSHE KRUJE- Prej gati 5 ditësh të burgosurit e burgut të sigurisë së lartë në Fushë- Krujë janë dhunuar sistematikisht nga punonjës të polcisë.
Pas denoncimeve telefonike të vazhdueshme që të burgosurit bënin në numrat e telefonit të redaksisë së tv NEWS 24 dhe në Mobi NEWS, këtë herë janë fotot që vërtetojnë dhunën që është ushtruar mbi ta.
Nga pamjet duket qartë trupat e mavijosur dhe me plagë të rënda që u janë shkaktuar të burgosurve nga dhuna.

Të burgosurit dëshmuan për gazetarët e NEWS 24 se dhuna fizike dhe psikologjike, nëpërmjet kërcënimit  ka filluar që të premten e kaluar, kur të dënuarit u hodhën në revoltë për shkak të mos daljes në ajrim. Sipas një njoftimi të drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve pas disa orësh situata kishte arritur të normalizohej, dhe se mbi të burgosurit nuk ishte ushtruar dhunë. Por pamjet që tv NEWS 24 arriti të sigurojë vërtetojnë të kundërtën.

Sipas burimeve që i referohet ky tv, të burgosurit vazhdojnë të refuzojnë ushqimin, ndërsa 4 të dënuar, të cilësuar si organizatorë të kësaj revolte, ndodhen të izoluar. Mes të burgosurve të izoluar janë Admir Tafili,Gëzim Cafi ,Gëzim Guri dhe Gaxhai. Të burgosurit denoncojnë faktin se dy nga shokët e tyre që janë në izolim kanë fraktura të rënda në trup. Tre të burgosur të tjerë ,pas revoltës u tresferuan në një tjetër burg emri i të cilit mbahet secret, pasi konsiderohen si persona të njohur të botës se krimit.

Ndonëse greva e të burgosurve tashmë është në ditën e pestë ende nuk ka asnjë reagim konkret në lidhje me pretendimin e të burgosurve.

(s.g/NEWS24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›