Fustane të gozhduara
Një ditë pas ndjekësit të shpatave të Skënderbeut, restauratorit Frederik Stamata, duke zbuluar gjendjen e mjeruar të një prej muzeve etnografikë më të “mirëmbajtur” në Shqipëri, pas atij të Krujës. Ironia e gjendjes mizerje; tender për të siguruar edhe 30 mijë lekë të vjetra për të larë rrobat dhe perdet e muzeut, që janë të mbuluara nga zhuli, pluhuri dhe më keq, që ekspozohen të ngulura në mur me gozhdë të ndryshkura. Stamati kërkon vëmendjen e ministrisë që t’iu kthehet me projekte të posaçme muzeve etnografikë në të gjithë Shqipërinë. Zbulimi i shpatave që ndodhen në Muzeun e Elbasanit, dy shpata të mbuluar nga ndryshku, e çojnë specialistin e mbishkrimin në konkluzionin: ujku në njërën shpatë mbyll kohën e Skënderbeut
Njeriu që po ndjek “shpatat” e Shqipërisë në të gjithë muzetë, restauratori Frederik Stamata e thotë me gjysmë mburrje, por dhe me heshtje të plotë se është gjynah të shahet një muze etnografik siç është ai i Elbasanit. Pas atij të Krujës, ky është muzeu i dytë dhe i fundit që po qëndron në këmbë, nën trarë të vjetër të tavanit, “i frikësuar” nga zhuli që mbulon veshjet dhe të gjitha sendet e tjera të shtrojes dhe mirëmbajtjes së shtëpisë, si unikale në karakteristikën e arkitekturës dhe mënyrës së jetesës qysh nga vitet ‘700. Kati i parë, aty ku ruhen lëkurat dhe samarët e kuajve dhe gomerëve, dera nuk mund të hapet dhe as mund të shkelësh, sepse përveçse është mbushur dingas, por ka nja gjysmë centimetri ujë. Aty s’mund ta vesh këmbën. Megjithëse hyrja jonë, vizita nisi nga kati i dytë dhe përfundoi në bodrumin... aty ku zejet, artizanati dukeshin në pikë të hallit - rrobat si zhele të varura mureve dhe ngulur në gozhda gjithë ndryshk në kanape druri.
Sendet e bakrit, teneqetë artizanale, si dhe disa kallëpe prej balte të qelesheve rrinin më të sigurta - mbi sergjenë druri sa për t’u ekspozuar.
Dje, ishte një ditë me shi në Elbasan dhe sigurisht në këtë fillim janari nuk shkel asnjë këmbë vizitori. Administrata që siç duket kishte dhe një pastruese, një specialiste dhe drejtorin - nuk u gjenden aty. Roja me emrin Bardhi, që ishte punësuar aty prej një viti, skuqej herë pas here kur ndalnim mbi fustanet apo “jelekë” dhe bënim pyetjen: pse i kanë gozhduar xhanëm? Njëra veshje në ngjyrë blu e qëndisur me fije ari - e rrallë, që vishej vetëm nga zonjat - ishte e varur si mos më keq, e ngecur në katër cepa me thumba dhe në cepat që vareshin dalloheshim vrima dhe thumbat e ngelur gjithë ndryshk. Po kështu ishte dhe një jelek i qëndisur i ngulur në trarë miniature, po me gozhdë. Kur e pyet Bardhin për këtë fakt, ku zbulohej dhe një lloj revolte për “kostumet e gozhduara” ai ngre supet dhe ironia e shpëton nga situata.
Bardhi të thotë se duhej të bëjë një projekt, për ta paraqitur në bashki, pastaj duhet pritur që bashkia të ngrejë një komision për të bërë tender - dhe ky tender mund të bëhej edhe për 32 mijë lekë të vjetra. Kjo ishte aq e vërtetë sa realisht kishte ndodhur. Rasti ishte për të larë veshjet dhe rrobat unikale që zotëronte muzeu. Bardhi i shkretë detyrimisht tregon një pjesë të realitetit se aq lekë duhej për t’i larë në lavanteri. Por në lavanteri këto rroba nuk çohen çdo vit, nuk lahen.
Kështu që gjithë pamja nga ky muze ishte një zhul i gjallë. Gati të jepej përshtypja si copa leckash që vareshin, pa të nxit kuriozitetin dhe duke ta zbehur besimin se ato i përkasin një tradite etnokulturore të kësaj zone. Po Bardhi e thoshte, kjo nuk është kushedi se çfarë, dhe me mburrje tregon vlerën e këtij muzeu, si sakrilegj, se së fundi aty kishin ardhur tre ambasadorë; një francez, një anglez dhe një amerikan. Kjo i mjaftonte rojës për të na bindur se pavarësisht gjendjes, ky muze është shumë i rëndësishëm. Por deri në atë moment askush nuk ia kishte hedhur vlerat poshtë. Ne thjesht po rebeloheshim. Restauratori në ndjekje të shpatave, Stamati na thotë se duhet të gëzohemi që ka shpëtuar kjo godinë, kur dy hapa më tutje ishte rrafshuar një nga pazaret e vjetra, karakteristikë e qytetit, krahasuar, madje kaluar, nga ai pazari i vjetër i Krujës.
Dhoma e burrave, në katin e dytë të muzeut, ishte një mrekulli. Dhomë e madhe, e rrethuar me minderë të traditës, mbuluar me shilte të kuqe, leshgjatë, e prodhuar së fundi, pasi kjo shtëpi ishte kthyer në muze. Stamati shikon me kërshëri dy koburet e varura në mur, për të gjetur ndonjë mbishkrim në të, për të kuptuar rëndësinë e tyre, pse janë varur aty. Specialisti i restaurimit dhe në këtë rast ishte në kërkim të kobures së katërt që flitej se gjendej në Shqipëri, po që nuk kishte hasur akoma.
Roja na tregon se si tavani i këtij muzeu ishte dhe shtëpia e tij, gati 200-vjeçare. Punim në dru pishe dhe afresket me ngjyrat e buta të bojëqiellit, zinin pjesën anësore të murit në dhomën e burrave. Këto afreske janë të rralla, thotë shoqëruesi ynë i “shpatave”. Shtëpia është e Sejdinëve të famshëm të Elbasanit, e cila u kthye në muze në vitin 1989. Deri në këtë vit, godina ishte përdorur si shtëpi banimi. Tani e gjitha, e shpallur monument kulture ishte në varësi të bashkisë. Stamati këtu ndërhyn për të kuptuar situatën, duke u shprehur se muze të këtij lloji duhet në mënyrë absolute të kenë vëmendjen më të madhe të shtetit.
Fjalimi vazhdon të zhytet në një zymtësi dhe pak erë myku, si për t’ia shuar përtokë ishin hedhur kokrra të bardha, bar mole.
Në dhomën e vajzave, ku mblidheshin për të qëndisur pajën, rrobat, copat dhe qëndismat, të ngulura po me gozhdë, pluhuri ua kishte transformuar ngjyrën.
Nga panë e butë rrobat dhe veshjet, plaçkat, kishin marrë një irnosje të pështirë.
Bardhi kërkon “justifikimin” sërish se perdet që shihnim në dritare kanë qenë më zi dhe ishin larë falë një kërkese të vazhdueshme në bashki, për 30 mijë lekë, madje fusnin dhe vetë punonjësit ndonjë lekë nga xhepi, për të mirëmbajtur vendin.
Gozhdët që mbanin copat nuk të shqiteshin nga mendja. Stamati ul kokën dhe thotë realisht se ato veshje duhej të ishin mbyllur në vitrina prej xhami, që të mos ekspozoheshin as nga pluhuri, as nga moli dhe as nga lagështira që ishte aty.
Moli kisht bërë kërdinë. Pothuaj të gjitha rrobat dhe qëndismat ishin të ngrëna tinëz, duke iu shtuar vrimave që krijonin gozhdët.
Fjala e restauratorit shkonte më përtej me një farë ngurrimi se nëse bëhej fjalë për gozhdët, të paktën duhet të zgjidhet materiali që të mos pësonte ndryshkje dhe të dëmtonin rrobën. Dhoma e grave nuk ishte ndonjë çudi, përveç hapësirës dhe mënyrës së vendosjes se si arrddohej në atë kohë shtëpia të gjitha orenditë ishin rrezik “vdekjeje”. Shiltet nuk duhej t’i prekje, se ndryshe të mbetnin në dorë. Ndërsa dera e qurit ishte e mbyllur, vendi ku laheshin vajzat, pas saj kokat e nja dy heronjve të soc-realizmit, rrinin përtokë. Skulptura, si duket të strehuara aty pas ’90-ës.
Dhoma e dhëndrit dhe nuses ishte më delikatja. Për krevatin e vjetër prej druri roja e muzeut të thotë se është e goxha e vjetër. Ndërsa mbulesat përsipër vazhdonin të ishin të errëta nga zhuli. Nusja dhe dhëndri nuk duhej të kishin të ftohtë thotë Bardhi, sepse velenxat dhe jorgani prej leshi, me të cilat mbuloheshin ishin unikale. Diku në qoshe, një manekin tregonte rrobën e nuses, kostumet tradicionale- dikur mund të ishin në ngjyrë të bardhë, por tani vazhdonin të tregonin zymtësinë tonë, të errëtën e pluhurit të thellë. Pas pyetjes së ambasadorët mund të jenë tmerruar nga gjithë ky pluhur - Bardhi na përgjigjet duke hapur një sënduk. Aty ishin të palosura disa rroba nusesh të moçme, që përdoreshin vetëm për ekspozita jashtë Shqipërisë.
Peshtafi, arkëza e vogël, ku nusja mban sendet e zbukurimit, buzëkuqin, rrinin mbi arkë, dhe pranë tyre një pasqyrë e rrethuar me gdhendje, që nuk ishin shqiptare. Stamati ndërhyn duke na hequr habinë se pse quhet etnografi e jona, me komentin se dhe në atë kohë, pra para 300 vjetësh shumë sende të çmueshme dhe të veçanta bliheshin dhe nga jashtë. Pasqyra e ekspozuar ishte një e tillë, pa marrë vesh se nga vinte.
Ndërkohë që një tapë shishe arranxhate ishte e ngulur në derë, ishte tapë e vjetër, e kuqe, që nuk gjendet sot, që siguronte mbylljen mirë të derës së dhomës së çiftit.
Bodrumet, dhomat që ndodheshin në katin e parë, të mbushura me punë zanatçinjsh ruante dhe një tepsi të punuar nga izraelitet. Ajo ishte më e çmuar në këtë dhomë, që mbante yllin e Davidit në mes, e gdhendur, dhe e zbukuruar nga hebrenjtë që kishin ardhur gati 300 vjet më parë në Elbasan. Bardhi na thotë se 50 m larg prej muzeut, lulishtja përballë mendohej të kishte nëntokë varret e këtyre izraelitëve. Por askush nuk ka thënë gjë deri më sot për këtë fakt dhe as nuk është gërmuar. Zbritja jonë shkon në ndërgjegjen e ndjekësit të shpatave, specialistit Stamati që këmbëngul se media duhet t’i imponojë politikës të mbajë këto muze, për të mos reshtur së kërkuari mbrojtje, dhe pse është thënë njëqind herë. Stamati është nga ata specie të fundit në këtë vend, që merret me çkodimin e identitet tonë, kush jemi, nga vijmë. Shpatat, misioni pse ishte dje në Elbasan restauratori ynë i Tiranës, e quan më në fund zbulim të këtij muzeu. Dy shpata të gjata, sigurisht dhe këto të mbuluar nga ndryshku, kërkonin identifikimin. Njëra doli ashtu siç pat imagjinuar Stamati - për nja dy orë punë pastruese, mbi mikroskop, zbulon ujkun e shpatës, stampa që tregon ku është prodhuar shpata që u importua nga jashtë në kohën e Skënderbeut. Specialisti i “shpatës” nga tregon se i përket viteve ‘400 dhe është kështu nga më të vjetrat.
Stamati entuziazmohet dhe thotë se kjo shpatë përfundimisht i jep fund, mbyll kohën e Skënderbeut, duke iu bashkangjitur tre të tjerave. Disa fiksime në celuloid, kjo dëshmi e nis Stamati këtë javë në Vjenë. Ndërsa roja e muzeut vazhdon të “trembet”, se Muzeu Etnografik më i mirëmbajturi në Shqipëri na përcolli me zymtësinë e rrobave të mbytur në pluhur, të mbuluar nga zhuli dhe më zi të gozhduar në mur.
Por, krenaria kthehet në këtë shtëpi të Sejdinëve të famshëm, ka thesare pa fund, që çudisin të huajt - dhe si për të na inkurajuar, roja, ciceroni i vetëm, i pafajshëm i muzeut, na përcjell duke na treguar në krahun e djathtë të derës gurin mortor, të famshëm, pak a shumë me këtë mbishkrim; një ushtar romak, nga Skampa, ka luftuar për 40 vjet në Rumani, Bullgari, Jerusalem dhe vendos të vdesë në atdhe. Ai është Mark Maximus, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis.
Historiku
Muzeu etnografik në Elbasan është i vetmi i mbetur pas prishjes dhe tjetërsimit të muzeve të tjera. Ky objekt me vlera arkitektonike dhe historike brenda mureve ka një pasuri të vyer të kulturës popullore të kësaj treve, mes të cilave spikasin punime dhe elementë nga rreth 80 lloj zeje. Në dhomat e godinës dykatëshe të muzeut, përmes objekteve pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet etj. Janë renditur dhomat në mënyrën sesi ato funksiononin, duke të dhënë imazhin e një shtëpie të vjetër elbasanase, duke përfshirë gjithçka. Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986 në shtëpinë e Sejdinëve, e cila ishte ruajtur si monument tradite, edhe pse pronarët e saj ishin cilësuar "armiq të popullit". Jo shumë larg sheshit të Bezistanit në qendër të qytetit kjo shtëpi është restauruar së fundi. Është një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, ajo është përcaktuar si simbol i shtëpive elbasanase. Në planin arkitekturor, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës, por ka shumë elementë që e bëjnë unike.
Në numrin e madh të zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajakpunuesve, qeleshepunuesve, kazazëve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX në punimin e kostumeve kombëtare përmenden mjeshtërit elbasanas, Hasan Dilja, Tahir Kryemadhi etj. Ka ende familje që trashëgojnë zejet e vjetra, por pak prej tyre arrijnë t’i realizojnë punimet ashtu siç bënin të parët e tyre. Mosrritja e krimbit të mëndafshit, humbja e tezgjahut apo edhe futja e teknologjisë kanë bërë që gjithçka të jetë tepër të vështirë për t’u realizuar.