Futuristët, 100 vjetet e primitivëve te ndjesisë së re
Futurizmi, manifesti që iu kundërvu ‘800-s, i quajtur avangard eksploziv i ‘900-s
Bota e artit dhe e kulturës feston sivjet njëqindvjetorin e lindjes së një prej lëvizjeve më të rëndësishme të shekullit XX, Futurizmit. Mostra, ekspozita, performanca, aktivitete novative po evokojnë sivjet në mbarë botën artistët më të mëdhenj futuristë, gjenialiteti i mendimit të të cilëve krijon dhe sot jo pak polemika.
“Ju mendoni se jemi të çmendur. Ne jemi veçse primitivët e një sensibiliteti të ri komplet të transformuar. Jashtë atmosferës ku ne jetojmë është vetëm errësirë. Ne futuristët shkojmë drejt majave më sublime, më radioze, e proklamohemi zotërinjtë e diellit…”. Shumë e konsiderojnë si i vetmi revolucion i vërtetë kulturor i ‘900-s, shumë të tjerë si një bashkësi elementesh me një aktualitet transparent, motivuar nga një sërë rrethanash historike-artistike, për të tjerë akoma është sinonimi i dhunës e i transgresionit e pothuajse për të gjithë është babai i gjithçkaje që përfshin “avangarda”.
Plot një shekull më parë do të lindte zyrtarisht në Paris, futurizmi, kjo lëvizje pluridisiplinore, që me idetë e saj do të trondiste jo pak jetën artistike, sociale e ideologjike në mbarë botën. Në fillimin e ‘900-s, teksa kultura zyrtare vazhdonte të propozonte modele të ‘800-s, lindja e lëvizjes futuriste proklamonte me tërë fuqinë e saj, dëshirën për një rinovim global. Para së gjithash futuristët afirmuan principin e artit-jetë, gjë që i çoi të përballojnë tematika të reja si ideologjia politike, fetare e deri tek problematika e “kostumit” si publiciteti, moda etj. Ata lajmëruan me idetë e tyre nevojshmërinë e rolit që një intelektual duhet të ketë në shoqërinë e masës. Futuristët propozojnë ide e teknika revolucionare për çdo fushë arti, duke nënvizuar aspektin kolektiv të tërë aktivitetit artistik. Ata i japin jetë “mbrëmjeve futuriste” si një formë komunikimi që ngjall një emocion kolektiv. Lëvizja futuriste përdor manifestin si të vetmin instrument thelbësor për të shpërndarë idetë, duke e shndërruar karakterin industrial e politik të këtij mjeti propagandistik.
Qe 20 shkurti i vitit 1909, kur në faqet e gazetës franceze “Le Figaro”, poeti italian, Filippo Tommaso Marinetti, do të publikonte për herë të parë Manifestin e Futuristëve, i destinuar për të qenë i pari i një serie manifesteve të tjerë që do të parapërcaktonin e do të përshkonin rrugën e gjatë të mendimit futurist në çdo fushë të artit.
Arritjet teknologjike-shkencore të gjysmës së dytë të ‘800-s shkaktojnë në Evropë ndryshime të mëdha. Përhapja e elektricitetit, e motorit me shpërthim, fuqizimi i transportit, përdorimi i telegrafit, i telefonit, zhvillimi i madh që mori prodhimi industrial e si rrjedhojë dhe ekonomia krijuan kushtet për shndërrimin e shoqërisë së vjetër ekzistuese në një shoqëri moderne. Në fund të ‘800-s e në fillim të ‘900-s orientime të reja shkencore e filozofike çuan në ndryshime të konsiderueshme.
Bie besimi i pakushtëzuar në shkencën e arsyen, këmbëngulja pozitiviste hyn në krizë, relativizmi i Ajnshtajnit, teoria e Planck, mendimi i Bergson lëkundin qartësitë e mëparshme, tendencat nacionaliste e imperialiste nga njëra anë (Bismarku), revolucionare nga ana tjetër (Sorel) fusin në krizë demokracinë parlamentare.
E pikërisht në këtë kontekst del në skenë editori italian Filippo Tommaso Marineti, i cili kish thithur ajrin kozmopolitan të Aleksandrisë së Egjiptit e kishte jetuar në Paris fragmente të një kulture e shoqërie moderne. Me një inteligjencë unike, me një temperament vullkanik e me rezerva ekonomike të konsiderueshme, ai propozon të shndërrojë të gjitha modelet e përcaktuara si “të shkuara” e të modernizojë artin, kulturën, jetën sipas një projekti global që provokon e shkatërron duke arritur qëllimin parësor të tij, që qe tërheqja e vëmendjes publike.
Ky revolucion do të marrë emrin Futurizëm, lëvizja e avangardës letrare e artistike. Intelektualët futuristë sillen në mënyrë të padenjë e aristokratike ndaj realitetit të zakonshëm, ndaj vlerave klasike e tradicionale. Ata kërkojnë me çdo mënyrë origjinalitet, iracionalizëm e shpërthim teknologjik të shoqërisë kapitaliste.
Futurizmi imponohet si një organizim kulturor, politik, editorial, me një ideologji që synon të kthehet në një “kostum jete”. Organizohet si një shkollë e përcaktuar mirë me një drejtues historik si Marineti e me një akt lindje të prezantuar në publikimin e Manifestit të Futurizmit më 20 shkurt të 1909-s në gazetën “Le Figaro” të Parisit.
Manifesti i Futurizmit
Ne duam t’i këndojmë rrezikut, energjisë dhe jo frikës.
Kuraja, guximi, rebelimi do të përbëjnë elementët parësorë të poezisë sonë.
Letërsia deri tani i ka shërbyer qëndrueshmërisë, entuziazmit e gjumit. Ne duam të ekzaltojmë lëvizjen agresive, pagjumshmërinë eksituese, ecjen më vrap, kërcimin e vdekjes, shuplakën e grushtin.
Ne pohojmë se mrekullia e botës pasurohet nga një bukuri e re, bukuria e shpejtësisë.
Ne duam të idealizojmë njeriun që mban fort timonin, shigjeta e të cilit kapërcen tokën. Ne duam që poeti të impenjohet me forcë, lirshmëri e thellësi për të rritur entuziazmin e zjarrtë të elementëve primitive.
Nuk ka bukuri tjetër përveç asaj të luftës. Asnjë vepër pa karakter agresiv nuk është një kryevepër. Poezia duhet konceptuar si një sulm i dhunshëm ndaj forcave të panjohura, duke i detyruar të përulen para njeriut. Ne jemi në majën ekstreme të shekujve… Pse duhet të shikojmë prapa në qoftë se duam të shembim portat misterioze të të pamundshmes? Koha e hapësira vdiqën dje. Ne jetojmë në absoluten, pasi kemi krijuar një shpejtësi të përjetshme ekzistuese. Ne himnizojmë luftën, e vetmja higjienë e botës, militarizmin, patriotizmin, sjelljen shkatërruese të një çlirimtari, idetë e bukura për të cilat mund të vdesësh e përçmimi i gruas. Ne duam të shkatërrojmë biblioteka, muze, akademi të çdo tipi e luftojmë kundër moralizmit, feminizmit e ndaj çdo jete oportuniste e të nevojshme.
Ne i këndojmë turmave të eksituara nga puna, kënaqësia e revolta, i këndojmë marsheve shumëngjyrëshe e polifonike të revolucioneve nëpër kryeqytetet moderne, i këndojmë pasionit vibrues të kantiereve të flakëzuara nga hëna të dhunshme elektrike, uzinave të lidhura me retë nga fijet e tymrave të tyre, i këndojmë urave të ngjashme me gjimnastë gjigandë që kapërcejnë horizontet, lokomotivave gjoksgjerë që tronditin shinat si kuaj gjiganteskë prej hekuri të lidhur me tuba, i këndojmë fluturimit të një aeroplani, helika e të cilit i ngjan një flamuri që duartroket një turmë entuziaste.
****
Futurizmi qe lëvizja e shprehjes së dinamizmit të botës moderne, himnizon civilizimin e makinës pasi vetëm me një shpejtësi të madhe mund të kemi një perceptim të ndryshëm të peizazhit, e mund të priten sensacione të reja nga bota e shkencës dhe e teknikës. Futurizmi solli një shndërrim të formave shprehëse të artit, pa dashur të elaburojë asnjë ideologji revolucionare. Rezultatet më të mira të kësaj lëvizjeje u arritën në pikturë, poezi e muzikë me anë të abstraksionit të formave. Në fushën e artit figurative, futurizmi qe një nga nxitësit kryesor të asaj që do quhet më vonë revolucioni i artit modern. Emrave e futuristëve italianë si Buzzi, Boçioni, Carra, Bragaglia etj., iu shtuan dhe dy futuristët më të mëdhenj rusë, si poetët Vladimir Majakovski e Velemir Kheblnikov, apo ata hungarezë si piktori Bela Kadar e Hugo Scheiber.
Futurizmi paracaktoi lindjen e Kubofuturizmit rus e të Vorticizmit anglez. Sivjet në 100-vjetorin e lindjes së këtij revolucioni, një nga aktivitetet më të rëndësishme e më të pritshme qe ekspozita e madhe e quajtur “Futurizmi në Paris - një avangard eksplozive”. Kjo mostër e mirëpritur nga Center Pompidou ribashkoi mbi 200 vepra e dokumente që evokojnë aventurën e paimitueshme të kësaj rryme. Pas Parisit, kjo ekspozite u ndal në Romë, në Londër e kaloi dhe kufijtë e Evropës drejt Nju Jorkut.