E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS-LSI, përballja mes “të fortëve”



Dy partitë e majta, PS-ja dhe LSI-ja, përballin “të fortët” me njëri-tjetrin për hartën e re elektorale të 28 qershorit. Qarqet si Tirana, Durrësi, Fieri, Berati apo Dibra pritet të kthehen në mollë sherri mes dy partive rivale të së majtës, PS-LSI. Kjo jo vetëm për shkak të mbështetjes që disponon secila preh tyre, por edhe për shkak të dorës drejtuese të dy partive në fushatën elektorale të zgjedhjeve të qershorit. Përplasjet do të jenë në favor të së djathtës, dhe jo vetëm gjatë zhvillimit të fushatës, por edhe në rezultat. Tanimë, ndarja është e qartë, shtabet janë përcaktuar, ndaj panorama e fushatës elektorale në marrëdhënie me njëra-tjetrën pritet të mos jetë shumë e ndryshme nga ajo e korrikut të 2005-ës, ku Nano dhe Meta u impenjuan mjaft për të sulmuar njëri-tjetrin. Por tani, katër vjet më vonë, kur LSI-ja e ka një ide më të qartë të elektoratit të saj, ka përcaktuar qarqet ku synon të fitojë deputetë, ndaj “duart e hekurta” të partisë kanë marrë në dorë fushatën zgjedhore të këtyre dy qarqeve. Përballja me drejtuesit e kampit tjetër është po kaq e fortë, duke filluar me qarkun kryesor, Tiranën, e duke vijuar me Dibrën, Beratin e Fierin dhe së fundmi Durrësin. Të majtët mes tyre nuk do të kenë vetëm një rival, koalicionin e djathtë, por edhe vetveten.

Përballja

Shpëtim Idrizi, që është kujdestar i qarkut të Tiranës, i ndihmuar nga deputetë të tjerë si Ulqini, apo Harasani do të ketë punën më të vështirë në selinë rozë. Përballë tij, meqë do të jetë në listën e kandidatëve të LSI-së për Tiranën do të jetë vetë kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, i ndihmuar nga Luan Rama, Sokol Dervishaj e Artur Zheji. Zgjedhjet e 2007-ës konfirmuan se të dyja partitë kanë nevojën e njëra-tjetrës për të qeverisur Tiranën. Ndaj Idrizit së bashku me stafin e tij i duhet të punojë fort për të minimizuar jo vetëm votat e LSI-së, por edhe të sigurojë se rivali i tij nuk do t’i rrezikojë fitoren PS-së në zona të caktuara të këtij qarku. Dibra mbetet një tjetër qark ku pritet të nxehet situata. LSI-ja e ka nisur ndërkohë fushatën, pasi kryesuesja e shtabit elektoral, Monika Kryemadhi, do të garojë edhe për deputete. Veç një gare të fortë mes dy partive, e duke lënë jashtë edhe synimet e së djathtës, gara bëhet mes dy ish-figurave të FRESSH-it, Pandeli Majkos e Monika Kryemadhit. Berati dhe Fieri mbeten zona problematike që kanë shkaktuar përplasje mes tyre edhe më parë, madje edhe në 2007 kur PS-LSI ishin së bashku në koalicion. Dritan Prifti dhe Spartak Braho do të jenë përballë Ermelinda Meksit në Fier, ndërsa Erion Braçe do të ketë përballë tij Nasip Naçon në Berat. Nëse në Fier edhe me ndihmën e PS’91 dhe Petro Koçit situata duket se mund të anojë në favor të LSI-së. Berati mbetet gjithmonë një synim i madh, por shumë pak i realizueshëm për Metën. Në këtë qark, prania e Braçes, por edhe elektorati pro PS-së do t’ia vështirësojë së shumti punën Nasip Naços dhe LSI-së. Sa për Durrësin, përballja do të jetë mes Namik Dokles, një figure me mjaft peshë në PS, i sprovuar me gara elektorale dhe Pëllumb Xhufit, një ndër njerëzve më të besuar të Metës. Xhufi nuk ka eksperienca elektorale veç asaj të 2005-ës, por ajo çfarë e bashkon me rivalin e tij është fakti se që të dy nuk kanë pasur asnjëherë më parë lidhje me qarkun e Durrësit. Natyrisht, rivalitet mes partive ka edhe në Korçë e Gjirokastër dhe Shkodër. Vetëm qarku i Kukësit mund të jetë më i lehtë për PS-në, e puna e saj mund të fokusohet tek e djathta, pasi LSI-ja në dy procese zgjedhore nuk ka pasur rezultate të mira.

Drejtuesit e shtabeve të PS-së

Namik Dokle Durrës

Ermelinda Meksi Fier

Arben Isaraj Vlorë

Lindita Nikolli Lezhë

Mimi Kodheli Kukës,

Shpëtim Idrizi Tiranë

Valentina Leskaj Elbasani

Mimoza Hafizi Shkodër

Erion Braçe Berat

Ben Blushi Korçë

Pandeli Majko Dibër

Gramoz Ruçi Gjirokastër

Drejtuesit e shtabeve të LSI

Ilir Meta Tiranë

Monika Kryemadhi Dibër

Sokol Axhemi Shkodër

Petrit Vasili Korçë

Brizida Gjikondi Vlorë

Nasip Naço Berat

Dritan Prifti Fier

Pëllumb Xhufi Durrës

Ndre Legisi Lezhë

Bujar Kllogjeri Elbasan

Ja skema e falsifikimit të 50 ha tokë në Kavajë

Prokurorët e çështjes duket se kanë në dorë një pistë të re për falsifikimin e dokumenteve për 50 hektarë tokë në Gjirin e Gjeneralit. Falsifikimi i kryer, me vlerë rreth 24 milionë euro, sipas pistës së re, duket se është bërë nga avokati i një firme private të cilës i përket një biznesmeni të njohur. Vendimi nr. 235 të datës 14 gusht 2008 të AKKP-së rajonale, është paraqitur për regjistrim te Zyra Rajonale e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë në datën 18 shtator. Sipas këtij vendimi të AKKP-së, subjekti i shpronësuar Jonuz dhe Nexhmi Shijaku, i ishte njohur një kthim sipërfaqe prej 472.800 metra katrorë truall. Por në dokumentin bazë i cili ka numër hipotekor 76 të vitit 28.05.1935, rezulton se Jonuz dhe Nexhmi Shijaku kanë gjithsej 112.000 metra katrorë tokë në parcela të ndryshme. Por në informacionin e grumbulluar në drejtorinë qendrore, u vu re se kopja e këtij regjistri hipotekor tregonte sipërfaqen prej 472.800 metrash katrorë, pra më të madhe se ajo e regjistruar në regjistrin e vjetër hipotekor. Ky fakt e bën që ky dokument të jetë i falsifikuar nga ky falsifikim është tentuar të vidhet 360.800 metra katrorë tokë në fshatin Bardhor Peqinaj, në komunën Synej të Kavajës. Pista e parë e hetimit të Prokurorisë binte mbi trashëgimtarët Jonuz dhe Nexhmi Shijaku dhe tek avokati i tyre Dilaver Rexhepaj. Avokat Rexhepaj ka deklaruar për gazetën se ai, së bashku me trashëgimtarët, ishin futur në kurth dhe se firmat e tyre ishin falsifikuar. “Nuk e kuptojmë se ç’po ndodh, por firma ime dhe ajo e familjarëve janë të falsifikuara. Nuk e di kush e ka bërë. Vendimi më pas për kthimin e kësaj prone u anulua nga kreu i AKKP-së Vatnikaj”, - tha Rexhepaj i cili u shpreh se e disponon këtë vendim. Sipas tij, “është luajtur me emrin e familjes e cila ka shumë pronarë dhe disponojnë rreth 2 mijë hektarë tokë në Kavajë”. Ai mendonte se prapa kësaj fshihej ndonjë firmë fantazmë e cila kërkon të përvetësojë padrejtësisht tokën me vlerën prej 24 milionë eurosh. Dyshimet kanë rënë mbi avokatin Sokol Çomo, i cili mbron interesat e biznesmenit Alban Xhillari, një nga ndërtuesit më të mëdhenj në kryeqytet, thonë burime të prokurorisë të cilat po udhëheqin hetimin. Avokati Çomo dyshohet se ka paraqitur kërkesën për kthim prone me firma të falsifikuara. Emri i tij dhe i biznesmenit Xhillari janë përmendur në hetimet e Prokurorisë. Biznesmeni në fjalë ka disa kompani të ndryshme ndërtimi në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›