E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll-Kuzhe interesim elementëve të rinj për Kombëtaren

TIRANë-Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, vijon programin e tij për të afruar në ekipin përfaqësues futbollistë shqiptarë nga Kosova. Pas kontakteve me mbrojtësin 23-vjeçar të Bokumit, Mërgim Mavrajn, Kuzhe ka në plan dhe afrimin e dy futbollistëve të tjerë me prejardhje nga Kosova, të cilët luajnë në kampionate të rëndësishme të Europës. Në listën e gjatë të talenteve, që po mbahen nën vëzhgim nga trajneri Kuzhe, janë dy sulmues: i pari është Valdet Rama, që luan në radhët e Hanoverit në Bundesligën gjermane, Hanover ‘96, ndërsa i dyti është Andis Shala, i cili militon në radhët e ekipit të Premier Leagues skoceze, Dundee United. Ai ka një lidhje të fortë me futbollin, pasi është i biri i trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Kujtim Shala. Burime nga Federata Shqiptare e futbollit , konfirmuan sot se tekniku kroat i Shqipërisë është shumë i interesuar për dy futbollistët kosovarë, për të cilët nuk ka kursyer edhe elozhet menjëherë pas vëzhgimit të parë. Kuzhe e ka ndjekur Valdet Ramën nga afër në fundjavë, në takimin ndërmjet Hanoverit dhe Bokumit, ku kishte shkuar për të vëzhguar ekskluzivisht mbrojtësin e skuadrës mike, Mërgim Mavrajn. Valdet Rama ka lindur më 20 nëntor 1987 (22 vjeç) në Mitrovicë dhe është një futbollist që zotëron edhe shtetësinë gjermane. Pas emigrimit nga Kosova në vitin 1996, ai gjeti vend në skuadrën e VfL Volfsburg nën drejtimin e teknikut Feliks Magath, por nuk mundi të aktivizohej në asnjë ndeshje zyrtare. Mesfushori me tipare sulmuese, u transferua në verën e 2008 te FC Ingolstadt në Bundesligën 2, ku në 17 ndeshje shënoi një gol. Në sezonin 2009/10 ai braktisi FC Ingolstadt për të kaluar te Hanover 96, ku mban mbi shpinë bluzën me numër 22. Ndërkohë që Andis Shala (i datëlindja 15 nëntor 1988), 21 vjeç, zotëron edhe shtetësinë gjermane. Karrierën e ka filluar me të rinjtë e Hanover ‘96, por në janar 2008 u transferua te VfR Manhajm. Vetëm 6 muaj më vonë, skocezët e Dundee United e morën në gjirin e tyre si një futbollist shumë premtues. Tashmë, sipas teknikut Kuzhe, është në dorën e tyre e ardhmja në Kombëtare, e cila varet nga paraqitjet përkatëse në kampionatet ku luajnë. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›