Moti i keq në Adriatik, vonohen tragetet në Durrës e Vlorë
DURRËS- Situata sinoptike në rajonin detar të Durrësit është përkeqësuar gjatë natës së kaluar, duke shkaktuar ditën e sotme vonesa të trageteve të linjave. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit detar të Durrësit thanë se në gjirin detar të Durrësit shqetësimet nuk kanë qenë të mëdha, ndërsa në det të hapur me forcë 7 ballë dhe erë të fortë nga jugu dhe juglindja shpejtësia e saj arin deri në 20 metra në sekondë, çka ndikon në vonesat e trageteve. “Trageti i linjës Ankona-Durrës është ankoruar natën e kaluar në port me rreth 12 orë vonesë, ndërsa pak më vonë është rinisur drejt portit Italian për të fituar kohën e humbur. Edhe sot paradite katër tragetet e linjës Bari-Durrës, më të cilët po udhëtojnë qindra bashkëatdhetarë që do të kalojnë pushimet e fundvitit pranë familjeve do të mbërrijnë pas orës 09.00, duke shënuar vonesa disaorëshe", nënvizuan burimet e kapitenerisë. Trafiku dhe përpunimi i anijeve tregtare dhe ai i trageteve në dalje nga porti i Durrësit do të vijojë normalisht, shtuan burimet, sipas të cilave vetëm motopeshkatoret do të mbeten në kalatë. Nga parashikimet metereologjike rezulton se rajoni i Durrësit do të mbetet dhe 2-3 ditë nën ndikimin e motit të keq me kushte detare të trazuar. Porti I Durrësti ditët e fundit është populluar nga emigrantët shqiptarë që rikthehen në atdhe për të festuar festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Vlore, tragetet ankorohen me vonese Probleme dhe veshtirësi në qarkullimin detar edhe në portin e Vlorës.Deti jashtë gjirit 7-8 ballë ka sjellë vonesa në dy tragetet e linjës me Italinë. Trageti i parë ka mbërritur me vonesë dhe pas ankorimit është vendosur në radë, që do të thotë se nuk do të lëvizë më në orët në vijim. E njëjta situatë pritet të krijohet edhe me tragetin tjetër, për të cilin është informuar se do të mbërrijë me vonesë në portin e Vlorës rreth orës 12.00. Sipas burimeve nga kapiteneria nëse kushtet e motit me det 7-8 ballë jashtë gjirit, dhe 5-6 ballë në gji, edhe trageti tjetër do të ketë vështirësi në ankorim dhe mund të bllokohet lëvizja e tij duke u vendosur në radë.(d.b/BalkanWeb)