E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i Shqiperise Kuzhe vleresohet si parashikues i madh i ndeshjeve

Jo vetëm trajner i mirë futbolli, por edhe një parashikues i zoti.

Drejtuesi i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, është i famshëm në Kroaci për të dyja këto mjeshtëri, ndonëse në vendin tonë njihet më së shumti për detyrën e tij zyrtare, atë të trajnerit të veshur me tuta sportive.

Gazeta më e madhe e Zagrebit, “Jutarnji List” tregon sesi Kuzhe arriti të ishte i saktë në 50 për qind të parashikimeve të tij për kampionatin botëror që u zhvillua verën e kaluar në Afrikën e Jugut. Ky rezultat u quajt i shkëlqyer nga “Jutarnji”.

Parashikimi i madh i Kuzhes u zhvillua fillimisht për të tetat e finaleve, ku ai gjeti katër rezultate nga 8 dhe po ashtu goditi në shenjë që Holanda do të eleminonte Brazilin dhe Spanja, Paraguajin. Nga katër gjysmëfinalistë, ai i gjeti dhe ata ishin Spanja dhe Holanda, ndërsa gaboi tek dy të tjerët (Angli e Argjentinë). Së fundi, ai parashikoi me saktësi se kampione e botës do të dilte Spanja.

Pas këtyre rezultateve, “Jutarnji List” me të drejtë e quajti Kuzhen si “bastvënësi i jashtëzakonshëm i dalë në pension”, duke iu referuar të kaluarës së tij si njeri i suksesshëm në pikat e basteve.

Gjithsesi, për momentin Kuzhe më shumë po interesohet për profesionin e tij kryesor, atë të trajnerit, ku shpreson të arrijë rezultate sa më të mira me Shqipërinë, pse jo edhe një kualifikim për në finalet e kampionatit europian, si dhe për të menaxhuar sa më mirë financiarisht aftësinë e tij si drejtues skuadre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›