E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbolli në epokën moderne, 50 elementët që e kanë përkeqësuar

Futbolli ka ndryshuar. Sporti më i dashur në planet ka humbur identitetin, duke pësuar një mutacion të vërtetë "gjenetik". Shkak janë bërë paratë, televizioni, ligji "Bosman", tatuazhet, menaxherët, por edhe aktivizimi i lojtarëve me rotacion. Në të kaluarën, bota e topit nuk ka qenë perfekte, megjithatë në epokën moderne ajo është përkeqësuar. Britanikja "The Times" ka klasifikuar 50 elementët (që sipas të përditshmes mund të kishin qenë edhe 500), për të pasqyruar gjërat që nuk shkojnë në vitet e fundit. Pesëdhjetë arsye, të shoqëruara me komente "ironizuese". Në vendin e parë qëndron televizioni, i cili përkufizohet "përbindëshi që urren futbollin". Nuk shihet me sy të mirë as Liga e Kampioneve, që ndryshoi emrin (nga Kupa e Kampioneve) dhe formulën për (shumë) para. Qëndrimi është i njëjtë edhe për FA Cup, që humbi origjinën si aktivitet i hapur për të gjitha klubet në Angli dhe u shndërrua në një tjetër fenomen mediatiko-sportiv. Po çfarë është thënë për rotacionin e përdorur në masë nga klubet elitare? Një tifoz shpenzon shifra marramendëse për të vajtur në stadium dhe trajneri hedh në fushë skuadrën e të rinjve. Shitja dhe blerja e klubeve shihet si një tjetër çështje problematike: jo vetëm se skuadrat janë shndërruar në asete, të cilave u rritet vlera, por edhe sepse për të kuptuar diçka nga të gjitha këto "manovra", tifozëve u nevojitet një master në ekonomik. Duke shfletuar klasifikimin, në pozicionin numër 48 gjendet merkato: blerja vetëm dy herë në vit, në një periudhë të përcaktuar, nuk mund të funksionojë në jetën e përditshme dhe aq më pak në botën e futbollit. Një vend më poshtë ndodhet problemi i numrave nëpër fanella. "Ishin kohë të bukura, ato kur portieri mbante numrin 1, ndërsa lojtari më i mirë i skuadrës kishte 10-ën, theksonte gazeta. Por tashmë ka filluar moda si në futbollin amerikan: Ronaldinjo te Milani merr numrin 80, ndërsa Gallas tek Arsenali numrin 10. Përse"? Autobiografia e sportistëve renditet e 46-ta: deri më tani, 23-vjeçari Uein Runi ka shkruar dy libra, një më shumë nga sa ka lexuar në jetën e tij. Tetë vende më poshtë flitet për modulet taktike (4-4-1-1; 4-3-3; 3-5-2, 4-2-3-1 e kështu me radhë), më poshtë akoma janë deklaratat e lojtarëve, që përdorin fjalë të panjohura (në vendin e 32-të) dhe faqet zyrtare të klubeve (20), të cilat mund të shërbejnë vetëm për t‘u treguar tifozëve rrugën për në stadium. Mes elementëve negativë janë edhe tatuazhet (15), të cilat i kanë shndërruar dhomat e zhveshjes në një vend ku krahasohen kryqet, engjëjt, proverbat kineze dhe emrat e ndryshëm, apo edhe super-menaxherët (14), të cilët mund të ndjehen të plotfuqishëm vetëm duke bërë disa telefonata, të krijojnë miqësi me Abramoviç dhe të blejnë apartamente luksoze. Nuk janë kursyer as "shigjetat" për Kaka (23), me citimin "nëse nuk i interesojnë paratë, përse Milani duhet ta paguajë 186 mijë euro në javë" dhe për Mançester Sitin e sheikut Mansur (12), që po e shndërron skuadrën në "Çelsin e ri".

Klasifikimi

10 vendet e para

1. Televizioni

2. Premiership

3. Champions League

4. Stadiumet e reja

5. Rotacioni

6. Telefonatat e tifozëve në emisione

7. Stadiumi "Uembli"

8. Shit-blerjet e klubeve

9. FA Cup

10. Muzika që shoqëron shënimin e golave



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›