E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli olimpik për amatorët

Ish portieri i Anglisë, David Seaman ka kritikuar garën e futbollit në Lojërat Olimpike Verore Londra 2012, duke thënë se vetëm futbollistët amatorë do të duhej të luftonin për medaljen e artë.

“Nuk mendoj se është garë për futbollistët profesionistë. Gjithmonë kam qenë i mendimit se duhet të luajnë amatorët dhe qëndroj pas kësaj”, tha Seman i cili bëri 75 paraqitje për Anglinë para pensionimit më 2004.

Shorti për Londra 2012 u tërhoq më herët gjatë kësaj jave, kurse nikoqiri do të hyjë në garën e futbollit me ekip të kombinuar britanik për herë të parë nga viti 1960. Ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër Senegalit.

Futbollistët duhet të jenë nën moshën 23 vjeç, edhe pse në skuadër lejohet përfshirja e tre futbollistëve mbi moshë e që në rastin e Britanisë mund të jetë ish kapiteni i Anglisë, David Beckham.

Futbolli është përfshirë si sport për medalje në Olimpiadë më 1908, kur triumfoi Britania dhe ka mbetur pjesë e Lojërave me përjashtim të Los Angelesit më 1932. “Pa dyshim përfaqësimi i Britanisë së Madhe është nder i madh, por unë isha profesionist për 22 vite dhe nuk mendoj se do ta kisha bërë”, u shpreh Seaman i cili luajti në kampionatet botërore më 1998 dhe 2002.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›