E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezon i rokadave

Klubet e Superligës sivjet kanë bërë ndërrime të trajnerëve si asnjëherë më parë. Prej dymbëdhjetë skuadrave, vetëm Trepça e Besa ende udhëhiqen nga trajnerët me të cilët edhe e kishin nisur këtë kampionat, derisa dhjetë të tjera deri më tani i kanë ‘provuar’ deri në katër trajnerë. Ky fenomen po e shqetëson Shoqatën e Trajnerëve.

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll, si asnjëherë më parë, nuk kanë qenë më të pasigurta për trajnerë sesa në këtë edicion. Prej dymbëdhjetë klubeve, vetëm dy prej tyre ende udhëhiqen nga trajnerët me të cilët edhe e kishin nisur këtë kampionat.

Fjala është për Besën e Trepçën, të cilat u kanë ofruar rehati të mirë trajnerëve të tyre, Valdet Shoshit, respektivisht Fidaim Haxhiut. Ndërsa dhjetë skuadra tjera, ende pa përfunduar edicioni, deri më tani i kanë ‘provuar’ deri në katër trajnerë.

Listës i prin Hysi, i cili këtë kampionat e pati nis me Fadil Ademin, pastaj angazhoi Afrim Tovërlanin, i cili nuk qëndroi më gjatë se dy ditë në Merdarë për t’ia liruar vendin Jusuf Tortoshit, të cilit po ashtu nuk i shkoi gjatë, duke u zëvendësuar sërish nga Tovërlani.

Prishtina gjatë vjeshtës udhëhiqej nga Ramiz Krasniqi, të cilin e zëvendësoi me Wolfgang Jeratin, e këtë të fundit po ashtu e shkarkuan dhe në vend të tij angazhuan Jusuf Tortoshin. Kurse Drenica këtë kampionat e pati nis me Tahir Lushtakun, pastaj e angazhoi Afrim Jasharin e në fund u përforcua me Bylbyl Sokolin.

Liria sezonin e pati filluar me Ali Maralushën, më pastaj detyrën e trajnerit ia besoi Skënder Kaprës dhe në fund duket se u rehatua me Skënder Shëngylin. Ky i fundit kampionatin e kishte nis me Vëllaznimin, por u shkarkua për t’ia liruar vendin Ajet Shoshollit.

Për trajner i parehatshëm ishte edhe Lepenci, i cili i provoi tre trajnerë: Selajdin Zenelin, Arsim Abazin dhe Muharrem Sahitin. Me këtë të fundit, Gjilani e nisi kampionatin, por pa filluar sezoni vjeshtor e shkarkoi, duke e emëruar trajner të ri Sallah Sherifin. Por, ky i fundit para pak ditësh dha dorëheqje, derisa gjilanasit sot po i udhëheq Sadullah Ajeti.

Trepça ’89 pati debutuar me Gani Sejdiun, kurse sot trajner e ka Rafet Prekazin, sikurse KEK-u që kampionatin e kishte filluar me Mentor Miftarin e me gjasë po e përfundon me Fetah Veliun. Edhe te Drita Bekim Isufi ia liroi vendin Afrim Shahinit, por u rikthye pas një jave.

Ky fenomen po e shqetëson edhe Shoqatën e Trajnerëve të futbollit kosovar. “Klubet i kanë politikat e tyre, por ne si shoqatë jemi të shqetësuar. Klubet nuk po tregojnë durim për të prit fryte nga trajnerët. Rezultatet po i dëshirojnë në kohë shumë të shpejtë, gjë që është e pamundshme. Madje, klubet duket se nuk po e dinë as vetë se çfarë trajnerësh po i kërkojnë, krijues, formues apo garues”, deklaroi për Express kreu i kësaj shoqate, Ajet Shosholli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›