E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbollistët kosovarë nuk sigurojnë madje as prova

Prishtinë, 19 gusht - Mesfushori ndër më të mirët në Kosovë, Bardhyl Kaçiu, ka gati dy muaj që gjendet në Gjermani. Në këtë vend ka udhëtuar me synim për të firmosur kontratë me ndonjë skuadër profesionale. Por, synimi i tij duket vështirë i realizueshëm. Për 54 ditë qëndrim në Gjermani, 21-vjeçari nuk ka arritur të provohej në asnjë skuadër gjermane. Kaçiu pranon se është mërzitur në Gjermani, por ai megjithatë nuk ka humbur durimin. Ish-futbollisti i Trepçës e i Prishtinës është në pritje që ndonjë klub gjerman të shprehë interesim për të parë atë në stërvitje. 

"Jam duke pritur për ndonjë provë eventuale. është shumë vështirë, por megjithatë po presim. Në Gjermani më e vështirë është të sigurohet prova. Ka shumë futbollistë dhe konkurrenca është shumë e fortë. Ka 54 ditë që gjendem në Gjermani dhe nuk jam provuar në asnjë skuadër këtu", ka thënë Kaçiu të mërkurën për gazetën.

Ai është duke ndarë një banesë me dy futbollistët të tjerë kosovarë, Behar Maliqi e Suad Saliagiqi. Edhe dy lojtarët e Prishtinës, Maliqi e Saliagiq, janë në pritje të aranzhimit të ndonjë prove. Maliqi më herët ishte provuar në Arminia Bielefeld, por nuk firmosi. Ndërsa, Saliagiq është në pritje të provës së parë.

Në të vërtetë, Kaçiu është provuar te skuadra çeke Budejovice. Thotë se kjo skuadër i ofroi kontratë, por atë e ka refuzuar pasi ishte për periudhë të gjatë.

"Jetojmë së bashku me Maliqin e Saliagiqin. Jemi duke stërvitur individualisht, që nëse paraqitet ndonjë skuadër e interesuar për të na provuar do të jemi të gatshëm", ka shtuar Kaçiu.

Ai thotë se për futbollistët kosovarë është shumë e vështirë që të gjejnë angazhim në Gjermani.

"Në Kosovë futbollistët mendojnë se të luash në ligat evropiane nuk është vështirë. Kështu kam menduar edhe unë, por kjo nuk është e vërtetë. Për shkak të konkurrencës së madhe është bërë shumë e vështirë që ndonjë klub të ofrojë mundësinë për t’u provuar e lëre më për të nënshkruar".

Vetëm një transferim jashtë vendit

Asnjë futbollist kosovar gjatë afatit kalimtar të verës nuk ka gjetur angazhim në ligat evropiane. Për ndryshim nga vitet e kaluara futbollistët nga Kosova nuk u transferuan madje as në Superligën e Shqipërisë. I vetmi që realizoi transferim jashtë vendit është portieri Kushtrim Mushica që firmosi me kampionen e Maqedonisë, Renova. Në klubet e Superligës së Shqipërisë janë provuar disa futbollistë kosovarë, por asnjërit nuk iu ofrua kontratë. Futbollistët nga Kosova janë provuar edhe në shtete të tjera.

Kaçiu vlerëson se lojtarët kosovarë fizikisht janë shumë më të dobët se lojtarët në ligat evropiane.

"Në Kosovë ka futbollistë të talentuar dhe teknikisht qëndrojmë shumë mirë. Por, kur bëhet fjalë për përgatitje fizike jemi shumë larg. Në Gjermani dhe në çeki, ku u provova muajin e kaluar loja bazohet kryesisht në përgatitje fizike, tempi është shumë i shpejtë dhe i papërballueshëm për lojtarët nga Kosova. Kjo po ndikon që numri i futbollistëve nga Kosova që transferohen jashtë vendit të jetë shumë i vogël", ka thënë Kaçiu. Ai edicionin e kaluar doli kampion më Trepçën. Disa tituj i ka fituar edhe me Prishtinën.

Njohës të futbollit në Kosovë fajin për numrin e vogël të lojtarëve të transferuar jashtë vendit ua lënë menaxherëve. Aftësitë e menaxherëve që kanë punuar me futbollistët kosovarë shpeshherë janë vënë në dyshim nga drejtues të klubeve.

"Ne kemi menaxher Muharrem Rashicën që është shumë korrekt. Ai paguan shpenzimet e qëndrimit tonë në Gjermani që menaxherët e tjerë nuk do ta kishin bërë", thotë Kaçiu.

Menaxheri Rashica nuk ka dashur të fliste shumë për tre futbollistët kosovarë që ndodhen në Gjermani.

"Aktualisht jam në Poloni. Javën tjetër do të dimë më shumë për lojtarët që janë në Gjermani. Ata aktualisht janë duke u provuar", ka thënë Rashica.

Futbollistët udhëtojnë në prova, të papërgatitur

Trajneri i Trepçës '89, Afrim Tovërlani, thotë se fajin më të madh që futbollistët nga Kosova nuk po mund të gjejnë angazhim jashtë vendit e kanë vetë lojtarët.

"Ky është afati më i varfër sa i përket transferimit të lojtarët të Kosovës në ligat evropiane. Në afatet e kaluar kishte ndonjë lëvizje të vogël, ndërsa në këtë asnjë. Një pjesë të madhe të fajit për këtë e kanë vetë futbollistët që pasi të përfundojnë kampionatin nuk vazhdojnë me stërvitje, por e kalojnë kohën nëpër kafene të ndryshme. Kështu ata në prova shkojnë të papërgatitur dhe natyrisht nuk mund t'i kalojnë me sukses ato", ka thënë Tovërlani. "Futbollistët nga Kosova duhet të dinë që për të kaluar provat në ekipet e huaja duhet të jenë të paktën për një shkallë më të mirë se lojtarët e atij vendi. Në vend që të angazhojnë edhe trajner personal për t’u përgatitur si duhet para se të udhëtojnë jashtë vendit, lojtarët e Kosovës ndërpresin plotësisht aktivitetin", ka shtuar Tovërlani që ka arritur të rikthejë Trepçën '89 në Superligë. Me Prishtinën, Tovërlani kishte arritur të fitonte dy tituj të kampionit, në vitet 2009 e 2008.

"Po del që Prishtina ka arritur të shesë lojtarë në Zvicër e Gjermani vetëm në kohën kur unë isha trajner i kësaj skuadre", thotë Tovërlani.

Ai thotë se ndikim në transferimin e lojtarëve po kanë edhe menaxherët.

"është ndryshe kur në prova të dërgon një menaxher me përvojë dhe që ka lidhje me klube e trajnerë dhe ndryshe kur bashkëpunon me një menaxher që e do futbollin, por nuk i ka kontaktet dhe përvojën e duhur".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›