Qafë-Kërrabë, plagosen katër efektiva policie dhe një qytetar
Katër efektiva të policisë dhe një qytetar janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti në aksin automobilistik Elbasan-Tiranë. Agjentët ishin duke udhëtuar me një makinë tip BMW me targa të huaja, ndërsa janë përplasur me një mjet tip fuoristradë me targa TR 4005 M. Dy prej tyre ishin punonjës të Antidrogës në Tiranë, ndërsa dy të tjerët punonjës të policisë në Elbasan. Në veturën tip BMW po udhëtonin Koço Simaku, efektiv policie, Bledar Rreshka, Arben Mimami, Sokol Myrto, Edmond Hala. Goditja ka qenë e fortë për të dy ata, duke bërë që plagët e tyre të jenë të shumta. Të plagosurve u është dhënë ndihma e parë, duke i transportuar ata me urgjencë për në spitalin e qytetit të Elbasanit. Ndërkohë, si pasojë e përplasjes së fortë, njëri prej efektivave të policisë është bllokuar brenda në makinë dhe u desh që makina të sharrohej për të bërë të mundur nxjerrjen e tij. Më pas, ai është transportuar menjëherë me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Ngjarja
Përplasja e dy makinave ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Ara e Çollakut”, në Qafë-Kërrabë të Elbasanit. Efektivat e policisë ishin duke lëvizur me një makinë tip BMW me targa të huaja. Por ata janë përplasur fuqishëm me një fuoristradë me targa TR 4005 M. Goditja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që të dëmtohen rëndë pasagjerët. Menjëherë ndaj të plagosurve është dhënë ndihma e parë, duke i nxjerrë ata nga makina dhe raportuar në spital. Megjithatë, si pasojë e përplasjes së fortë, vetura tip BMW është dëmtuar rëndë. Tre punonjësit e policisë janë transportuar menjëherë në spitalin e Elbasanit, për të marrë ndërhyrjen mjekësore. Ndërkohë që personi i katërt në makinë, Edmond Hala, si pasojë e goditjes së fortë është bllokuar. Për ta nxjerrë atë është dashur që të ndërhyhet në makinë, duke e sharruar atë, me qëllim që të bëjnë të mundur dërgimin me urgjencë në spital. Punonjësve u është dashur rreth një orë që të mund ta nxirrnin efektivin e plagosur nga makina. Më pas, nëpërmjet një helikopteri të vënë në dispozicion, ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjendja e të plagosurve është e rëndë, ndërkohë që ata janë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Policia
Në vendngjarja ka shkuar menjëherë edhe policia, e cila ka ndihmuar në nxjerrjen dhe transportimin në spital të të plagosurve. Ndërkohë që si pasojë e aksidentit, për një periudhë prej rreth dy orësh ka ngelur i bllokuar edhe aksi nacional Tiranë-Elbasan. Kjo, si pasojë e bllokimit të rrugës nga aksidenti. Radha e makinave, të cilat u bllokuan në rrugë, ka arritur gati 3 km, duke krijuar probleme në trafik. Ndërkohë që u ngrit një grup pune, i cili nisi nga hetimet në lidhje me shkaqet e ndodhjes së aksidentit. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i përplasjes ka qenë shpejtësia e madhe dhe thyerja e rregullave të qarkullimit rrugor.
Të plagosurit
Koço Simaku
Bledar Rreshka
Arben Mimami
Sokol Myrto
Edmond Hala