Fyerja
Një grup aktivistësh të MJAFT dhe pak gazetarë u munduan të tërhiqnin vëmendjen për rrahjen e një gazetari të BIRN para Parlamentit shqiptar. Rezistencës këmbëngulëse të këtyre pak njerëzve, në prag të shiut, iu përgjigj indiferenca totale e gazetarëve shqiptarëve. Pak syresh, që kaluan aty transit, ikën duke qeshur nënbuzë për vakinë e kolegut, me justifikimin e pritjes së lajmeve të ditura të radhës. Në Parlament flitej për korrupsion, për parametra të munguar...
Treqind qindra metra më tutje, piktori Maks Velo, i zhytur në një mori shkresash mundohej të hidhte dritë në një çështje civile dhe penale, ku është futur së fundmi. E kanë fyer, e kanë poshtëruar në media për shkak të mendimit të tij. Ndryshe. Por, ndryshe, në këtë vend je gjithmonë një dele e zezë. Dhe Maksit, që e ka provuar njëherë në socializëm, tashmë i duhet të marrë "gjysmën" tjetër. I shpalos të gjitha artikujt kundër tij dhe nuk e di se ku e kanë fundin. Por, di mirë që tashmë ka filluar kalvarin në gjyqin shqiptar. Për të drejtën e munguar. Për të hequr llumin e fyerjes. Më tej. Një periodik shqiptar boton dendur fabula armiqsh, spiunësh të koduar, pa iu dridhur qerpiku. Së fundmi, shumë artikullshkrues u bën përshtypje sesi Obama dhe Klinton janë ofenduar me njëri-tjetrin dhe se si pasojat vazhdojnë... deri në bazë. Për fyerjen.
Që pas vitit ‘90, në këtë vend nuk kanë reshtur ofendimet dhe përplasjet e ndryshme. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës në prill të vitit 2000, i rekomandoi qeverisë shqiptare të shfuqizonte me themel ligjin penal për shpifjen, në mënyrë që të parandalohej zbatimi abuziv i tyre. Po teprohej nga palët. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Këtu mund të fyhesh lehtësisht nga kushdo që merr të drejtën të shkruajë. Dhe të vjen për të qeshur, "kur je spiun i serbëve" dhe të fyejnë duke mbajtur argumentet e Millosheviçit. Por aspak, kur pas fyerjes Maksin edhe e kërcënojnë. Shumë flasin për kodin etik, të tjerë na servirin se si duhet të shkruajmë dhe si duhet ta zbatojmë, por për të mbrojtur një koleg nuk ndodh. Në fakt, ndodhi pak vjet më parë me të drejtë kundër ministrit Luan Rama, por u pa shpejt qartë, që fjala ishte thjesht për heqjen e tij. Jo për kolegun. Me gishtat e dorës ishin dje gazetarët që do mbështesnin kolegun e tyre. Pak dashamirë e kanë përkrahur Maks Velon. Ajo që ndodhi më 10 mars, kur një deputet dhe një tjetër, që i bënte karshi, rrahën gazetarin e BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) ishte flagrante. "Doshi (deputet) papritur filloi të më godasë me një dosje lëkure, të cilën ai e kishte me vete. Ai më theu syzet dhe më nxiu syrin dhe pastaj u largua", ka thënë gazetari i dëmtuar. Por, kaq. Nuk mund të rrihet fizikisht një njeri, që kryen punën e tij; nuk mund ta fyesh në këtë mënyrë një institucion. Ndërsa, deputetëve shqiptarë u lejohet. Pak ditë më parë, një tjetër syresh, ofendonte në shkallët e një stadiumi. Si për ironi në politikën shqiptare synohet që Parlamenti të vazhdojë me sisteme zgjedhore, që në ulëset e tij të jenë sërish këta deputetë.
Edhe pse shpifja nuk do të dënohet më penalisht, por t‘i përkasë Kodit Civil dhe mund të thuhet se do të shpëtojë gazetarët nga burgu, kjo nuk do të thotë që gazetarët mund të jenë të lirë të ofendojnë gjithçka. Apo të ofendohen nga gjithkush. Nën flamurin e nacionalizmit, patriotizmit fals, paditurisë... nuk mund të lejohet të ofendohet.
Në diktaturë thuhej se ekzistonte një zyrë ku fabrikoheshin shpifje dhe thashetheme. Jo më kot armiqtë ishin perversë, me vese të ndyra dhe njerëz të këqij në thelb. Thashethemnaja duhet të mbërrinte para katil-fermanit komunist. Ishin sërish vullnetarët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit që arrinin të sajonin shpifje e thashetheme, që u paraprinin arrestimeve të njeriut. Dhunës më pas. Njësoj dhe tash, në këtë vend, është e vështirë që të thuash të vërtetën ose mendimin ndryshe. Ashtu si ishte kur thoshe "mbetëm në radha", edhe sot, nëse do të guxosh të prekësh njerëzit me imunitet e paguan. Si gazetari i BIRN. Apo Maks Velos, që tash i duhet të përballet veç presioneve të vazhdueshme dhe ofendimeve që ka derdhur një periodik shqiptar: "Vonë e mora vesh se paske qenë në shkollë për riedukim, ku, për hir të rrethanave, mësohet dhe zanati i kurvërisë fizike a politike. Është një zanat që është praktikuar nga jeniçerë turk, kur qëndronin për shumë kohë larg gjinisë tjetër, asaj femërores...", i shkruan një artikullshkrues në "Ndryshe" e 23. 08.2007. Pastaj me panegjirizëm i shpalos një histori që nuk u vlen as klasave fillore... Më 24 janar të vitit 2008, në të njëjtën gazetë i thonë: "Ka mundësi që jot ëmë të ketë shfryrë dufin me ndonjë serbo-francez antishqiptar, atë ditë që projektoi një insekt si ty"...
Mbase do të ishte më i arsyeshëm artikullshkruesi me z. Velo, nëse po të kishte lexuar pak më shumë Evlia Çelebiun për situatën sociale shqiptare, të mësonte lehtësinë sesi gjendeshin dylberët në Shqipëri. E tepërt të flasësh më shumë për dhunën ndaj gazetarit, apo ofendimet e zakonshme mbi Velon, por e dhimbshme të mbash këtë peshë, që po e mundon sot fyerjen, që vjen nga gjithkah. Dhe, më e madhja nga të gjitha, është ajo e vetë gazetarëve. Organizimet e gazetarëve në mesditën e enjte nuk ishin. Ato nuk janë në rastin e Velos dhe as në shumë e shumë raste të tjera. Ato që janë duhen për të mbushur formularë dhe për t‘u përfaqësuar para institucioneve ndërkombëtare në mënyrë që Shqipëria të mbetet e tillë virtuale. Në fakt, në një vend që ecën krahas fyerjes, ajo nuk të bën më përshtypje. Ecën në kryeqytetin më të ndotur, ndanë plehrave, mungesës së dritës dhe racionimit të ujit...dhe listës së gjatë për ushqime dhe ...ecën. Ecim. Ndaj, në letër mund të shkruhet gjithçka. Shoqëria jonë ende e paemancipuar, nuk e di kurrë se ku i ka sinorët e saj. Kishte shumë pak gazetarë, sepse gazetarët kanë fituar imunitet nga vetëfyerjet e tyre.