E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroaci ku je?!

Nuk ka shqiptar në botë që para 17 shkurtit 2008 mund ta ketë menduar se Kroacia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, apo se këtë mund ta bëjë pas Francës ose larg qoftë Italisë. Por ja që ndodhi. Madje njohësit e rrethanave ballkanike, as sot e kësaj dite nuk e kuptojnë se pse kroatët nuk e pranojnë shtetin e bashkëvuajtësve të tyre nga Jugosllavia

Kroacia dhe Jugosllavia

Shumica e banorëve të ish-Jugosllavisë e njohin Kroacinë si agresive, armike numër një të serbëve dhe mbështetëse të të gjithë atyre që ishin nën thundrën serbe. Edhe historia na tregon të njëjtën gjë. Kroacia ishte shteti i vetëm që në Austro-Hungari e që kishte statusin e shtetit me sovranitet të kufizuar: kishte emrin - ishte mbretëri, mbreti austriak ishte emëruar mbret kroat - kishte territorin e saj të pranuar, kishte banin e saj që ishte në rolin e zëvendësit të mbretit, parlamentin, qeverinë dhe njësitet ushtarake kombëtare në kuadër të ushtrisë mbretërore e përfundoi në shtetin e Titos. Edhe pse thuhet që Kroacia për t‘u mbrojtur nga ndarja u fut nën një krijesë të re, e që me futjen në këtë shtet të çuditshëm humbi të gjitha prioritetet që kishte. Dhe nga një shtet i zhvilluar dhe ligjor, siç ishin habzburgët, me një civilizim evropian, u fut nën një regjim primitiv ballkanik serb, që njihte vetëm regjimin politik dhe ushtarak e që quhej Jugosllavi. Në të njëjtën situatë u futën edhe Sllovenia dhe Vojvodina, që në të gjitha aspektet ishin shumë larg Serbisë, urbanizimit, kulturës, arsimit etj.

Ndërsa atje ku kishte prekur tashmë Serbia dhe regjimi i saj, Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, gjithçka ishte e mjerë dhe i ngjante shtetit të mbretërisë serbe.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë, humbëse e vetme, ashtu siç pritej, doli Serbia. Edhe pse kishte vrarë me miliona njerëz, masakruar dhe përdhunuar shumë herë më tepër, dëbuar nga shtëpitë e tyre më shumë se ç‘ka popullsi edhe vetë Serbia, Serbia ngeli e vetme, ashtu siç kishte filluar aventurën e saj ballkanike. Përkundër luftërave të përgjakshme, Serbia nuk arriti të bindë popujt e tjerë për të jetuar së bashku, sepse politika që aplikonte ishte agresive, ndërsa qëllimi ishte shumë i parealizueshëm.

Fillimisht u nda Sllovenia, ku serbët nuk kishin aq shumë hapësirë veprimi. Në Kroaci ata pak serbë që ishin dhe me ndihmën e APJ-në arritën të ngatërrojnë shumë punë dhe të kryejnë masakra të papara. Betejat e zhvilluara këtu ishin më të ashprat gjatë gjithë dekadës, madje ajo që ndodhi në Vukovar ndoshta edhe nuk do të përsëritet më. Duke mos hiperbolizuar praninë shqiptare në betejat e luftës kroate, ishte karizma dhe heroizmi i Presidentit Franjo Tuxhman ajo që bëri të jenë prezentë edhe ata luftëtarë shqiptarë.

Të gjitha këto i kanë parasysh ata që luftuan serbin në Kroaci, ata që u përballën me ushtarët dhe paramilitarët serbë, ata që krijuan shtetin kroat, por jo ama edhe Kryeministri aktual kroat, Ivo Sanader, i cili bëhet palë me ish-bashkëpunëtorin e ngushtë të Millosheviçit, Milo Gjukanoviç, duke theksuar se për pranimin e pavarësisë do të vendosin në përputhje me politikën e BE-së dhe interesave të vendeve të tyre.

Tanket serbo-kroate

Shumë shqiptarë të Kosovës, para shpalljes së pavarësisë, të hapin barkun duke folur mbi praninë e mallit kroat në tregun kosovar, politikën e njohur të Mesiçit dhe raportet e egra të tij me Millosheviçin. Dhe ja që nuk ndodhi kështu.

Edhe se nuk kishte kroat që pranonte gjuhën serbo-kroate në Jugosllavinë e Titos, në Serbinë e Koshtunicës është arritur një marrëveshje me Kroacinë e Sanaderit, që të ndërtohet për nevojat e Kuvajtit, ose më saktë të modernizohet tanku kuvajtian M-84 AB.

Që të kuptohet tregtia e një Kryeministri kroat si Sanaderi, që nuk përfill kontributin dhe respektin tregtar shqiptar, shifrat flasin ndryshe. Këto ditë, mediat kroate shkruajnë jo për çështjen e Kosovës, por për modernizimin e 149 tankeve kuvajtiane të tipit M-84 AB, me vlerë prej 200 milionë eurosh, që mund t‘i sjellë fabrikës së njohur "Gjuro Gjakoviç" dhe Kroacisë me një mundësi tjetër edhe për ndërtimin e tankeve të reja.

Tanku në fjalë ishte një risi e madhe jugosllave që ishte importuar në Kuvajt në fillim të viteve ‘90. Në fillim të këtij viti, ky shtet u interesua për një kontratë me të cilën do të garantonte mirëmbajtjen dhe modernizimin e tyre, e që janë prodhuar në fabrikën kroate "Gjuro Gjakoviç" për prodhimin e makinave speciale. Madje përveç modernizimit, për të cilin fabrika në fjalë do të merrte 200 milionë euro, kontrata mund të merrte përmasa edhe më të mëdha me porosi të reja të tankut të sofistikuar.

Edhe pse kjo fabrikë është jashtëzakonisht e interesuar për tregun e Gjirit Persik, kompania serbe për prodhimin e armatimit "Jugoimport - SDPR" shumë vjet më parë ka arritur të ripërtërijë kontratat e vjetra me Kuvajtin, fillimisht për mirëmbajtjen dhe rregullimin e disa pjesëve të këtij tanku.

E përditshmja kroate, "Slobodna Dalmacija", duke folur për këtë projekt të madh, shkruan se Serbia që para tri viteve kishte ndërtuar një tank të modernizuar të M-84-shit, i cili ishte testuar në shkretëtirat e Kuvajtit. Ky tank, meqë ishte

ndërtuar me pjesë të importuara nga Rusia dhe Bjellorusia, kishte një kosto shumë të madhe. Madje, sikur të gjithë projektin ta merrte përsipër fabrika kroate, kostoja sërish do të ishte e madhe. Kështu, meqë negociatat janë duke u zhvilluar tashmë, pritet që të angazhohen fabrikat: "Zastava" nga Kragujevci i Serbisë, "Kombinati i Aluminit" nga Podgorica e Malit të Zi dhe "Gjuro Gjakoviç" e Kroacisë.

Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, nuk ka harruar që ushtarët serbë të Millosheviçit, me ndihmën e Gjukanoviçit kanë arritur të shkatërrojnë shtetin kroat, madje të bombardojnë edhe Dubrovnikun, dhe që heronj dhe gjeneralë të shtetit kroat ka edhe shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se ai duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës edhe nëse atë e kanë pranuar Franca dhe Italia.

Kur Presidenti Mesiç fliste për ushtrinë e egër serbe, kjo për italianët dhe francezët ishte një marrëzi, dhe sot kur kroatët kanë shtet, dhe krimet serbe i besojnë francezët dhe italianët, kroatët më nuk duan t‘ia dinë. Ndoshta edhe dollarët e Kuvajtit e bëjnë të vetën, por Kroacia nuk duhet të harrojë se po këtë fabrikë dhe po këta dollarë mund t‘i fitonte edhe kur u sulmua nga Serbia, sikur Kryeministër të ishte Ivo Sanader dhe Kroacia të pranohej si Serbi.

Ndërsa Ivo Sanader duhet ta dijë, se sikur edhe të përmbyset e gjithë dynjaja, kroatët nuk mund ta shohin një shqiptar duke i vënë flakën flamurit kroat, gjë të cilën serbët e bëjnë në çdo protestë, edhe kur ankohen për çmimin e abonesë në Beograd. Apo, kështu është shkruar të ndodhë gjithmonë në Ballkan, ta respektosh më shumë atë që nuk të do.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›