E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyerjet nuk janë argument

Nëse dikush do ta shikonte së jashtmi arenën politike të vendit, me siguri do ta krahasonte "të egër" për nga mënyra me të cilën individët, por edhe fryma, veprojnë e bashkëveprojnë ndaj njëri-tjetrit. Kjo "egërsi" nuk shfaqet sikundër ndodh në botën e qytetëruar, me argumente agresive dhe mënyra organizimi të suksesshme, as me thënie e kundërthënie jo rrallë ironike e cinike, por shfaqet si një betejë, ku ai që del në ring ka vetëm një rrugëzgjidhje: ose ta vrasë kundërshtarin, ose të vritet prej tij. Kjo do të thotë se, në ringun politik shqiptar duhet të hysh i përgatitur me mjetet më të pamoralshme që ekzistojnë në botë: shpifjet, fyerjet dhe poshtërimin e "armikut" që ke përballë. Nëse nuk i "gëzon" këto armë dhe "kurajon" për t‘i përdorur, më mirë rri larg politikës. Ky është pak a shumë imazhi që kemi krijuar për politikën. Ky është ai imazh që i mban larg njerëzit "me cipë morali", të cilët, edhe pse duan të japin kontributin e tyre në politikë, preferojnë të qëndrojnë jashtë arenës, madje nuk dëshirojnë më as të jenë spektatorët e jashtëm të saj. Prandaj, gruaja më së shumti i largohet politikës, sepse ndihet e "paaftë" të përballet me këto armë.

Kjo frymë egërsie është pasqyruar natyrisht edhe në jetën publike, të formatuar nga televizioni. Madje, personalisht më është krijuar bindja, se po të bësh diçka që mund të faktorizojë si individ, atëherë do të gjenden të tjerë që do "të vërsulen" për të "shqyer" deri në vdekje "bëmën" tënde dhe natyrisht edhe ty vetë. Hidhini një sy shtypit, televizionit dhe do të bindeni për këtë. Askush nuk do të dëgjojë apo japë argumente. Vetëm fyerje, sharje, shpifje… Shkruan dikush një roman. Askush nuk merret me të, për aq kohë sa autori nuk shfaqet në arenën politike. Por, nëse ai guxon dhe fut këmbët, ose më keq është pjesë e politikës, gjendet përballë një grupi "të specializuar" për të shqyer. Dhe asnjë nuk merret me romanin, por me autorin, i cili fyhet deri në palcë (me libër shtëpie), madje, nëse guxon e vihet përballë panelit të "opinionistëve", kthehet në heretikun e ditës, që ka shtrembëruar historinë, që ka përdhunuar kohën, që nuk ka talent, që është injorant, që ka vjedhur të gjyshin apo ku e di unë se çfarë. Dhe askush nuk interesohet të japë një argument për problemin, pra për romanin.

E njëjta ndodh edhe me gazetarin. Sa kohë që ai nuk cenon politikën, nuk hyn në arenën e saj, askush nuk merret me shkrimet e tij, por sapo ai vë këmbën në këtë arenë, sulen me dhjetëra të tjerë, që bëjnë të diturin, të studiuarin jashtë vendit, të aftin, që "shqyejnë" jo shkrimin, por atë personalisht. Fyerjet e tipit ‘injorant‘, ‘hajdut‘, ‘bashkëpunëtor i Sigurimit‘, ‘komunist‘, janë lule përballë shpifjeve për korrupsion, imoralitet, degjenerim familjar etj., etj. Por asnjeri nga këta nuk analizon, nuk jep argument, vetëm shan, shpif dhe fyen. Ka një shprehje Albert Schweitzer, nobelist: "Hapi i parë në evolucionin e etikës është sensi i solidaritetit me qeniet e tjera njerëzore, jo lufta kundër tyre". Ky sens moral te ne po humbet dhe shkak është politika.

Në këto 20 vite, kjo politikë ka punuar intensivisht vetëm për të shpërbërë moralin dhe sensin e solidaritetit. Kam dëgjuar se këtë e quajnë politikë, pikërisht sepse nuk ka moral. Madje, përmendet edhe Makiaveli. Natyrisht që nuk është kështu. Përdorimi i mjeteve, pa argumente, është thjesht dhe vetëm mungesë profesionalizmi, vulgariteti dhe primitivizmi politik, të cilit i ka kaluar koha. Por pse i mungon argumenti luftës politike? Pse vetëm fyhet dhe shahet në politikë? Pse kaq vulgare politika jonë? Mund të ngremë me dhjetëra pyetje, për të cilat ka vetëm një përgjigje: ne shqiptarët, si ballkanas të vjetër, e kemi ushqyer urrejtjen me gjakun tonë, por u bënë kohë që po e ushqejmë edhe me shpirtin tonë. Politika, e parë si një biznes fitimprurës në një shoqëri të varfër ekonomikisht, e ka shndërruar lojën e saj në lojën e egër të interesave personale. Prandaj, edhe roli i "njëshit" në politikë është i barasvlefshëm me padronin që të jep bukën e përditshme, prandaj dhe sulmet shndërrohen të tilla, prandaj mungojnë argumentet. Ka vetëm urrejtje dhe dëshirë për ta "groposur" kundërshtarin, sapo ai të na dalë në shteg. Thënia e Çajupit në komedinë "14 vjeç dhëndër": "Ooh, sa u kënaqëm", ndërsa sherri kishte plasur mes njerëzve, tashmë është shndërruar në lojën e radhës me publikun. Në median vizive sherret personale shkojnë përtej çdo parashikimi: Ti je i tillë, ti je i atillë! Dhe drejtuesit e programeve i organizojnë vetë në mënyrë të tillë programet e tyre, me qëllim që të "rritet shikueshmëria". Shkurt, i nxisin vetë këto britma fyerjesh e sharjesh. Ndryshe nuk ka të ftuar në programe. Po argumente? Natyrisht s‘ka nevojë për to. Publiku nuk do argumente, do "gallatë", kush del më i forti në fyerje, kush arrin të fitojë duke e çuar cinizmin e tij në kulmin e së keqes morale. Rëndësi ka të jenë larg lëkurës sime!

Por ka edhe një arsye tjetër, që ka të bëjë me këtë imoralitet të politikës shqiptare; integriteti profesional dhe njerëzor i individëve. Në skalionin e "ujqërve" që kërkojnë të shndërrojnë në kërma të politikës kundërshtarin, që ushqehen me shpifjet, fyerjet dhe urrejtjen ndaj tij, rreshtohen individë pa integritet profesional e njerëzor, individë që "njëshi" i përdor si "këlyshë" për të lehur në mbrojtje të tij dhe si "çakej" për të shqyer kundërshtarin politik. Këta individë, qofshin zëdhënës, qofshin opinionistë të padronëve të tyre, pavarësisht faktit se janë "publik" apo të shprehurit "i pavarur", njohin vetëm një integritet: integritetin e parasë. Dhe nuk duan t‘ia dinë për integritetin njerëzor, profesional. Dhe komentohet se "kjo është shoqëria e sotme", ku individi çan me mjetet që ka. Por jam e bindur se në asnjë vend të botës kjo praktikë nuk ka zgjatur shumë. Cinizmi që teksa sheh një buqetë me lule kthen kokën për të kërkuar arkivolin, nuk është shenjë e shoqërisë së emancipuar, por e një shoqërie të kalbur, nga e cila duhet të largohemi një orë e më parë. Sikur të gjithë të jemi më të mirëkuptueshëm mes njëri-tjetrit, sikur të mos u hapim më rrugë individëve pa integritet, sikur të mos përplasim duart nga kënaqësia, kur shohim se sa shumë e fyejnë dikë në publik, sikur ne vetë të mos i ushqejmë çakejtë me komentet tona të tavolinave me thashetheme, atëherë do ta kuptojmë se sa afër Evropës jemi. Po a duam vërtet ne të ndryshojmë? Qytetarët përditë e më shumë përsërisin: "Nuk kemi më nevojë për këtë politikë dhe politikanë, kemi nevojë për argumente!". Por kur dikush synon të japë argumentet, atëherë sërish ngrenë krye individët pa integritet, për t‘i futur në batakun e asaj që ata dinë të bëjnë mirë: "shqyerjes personale"! Ja pse secili duhet ta kuptojë që indiferenca jonë ndaj këtyre shfaqjeve është e mirë, por nuk mund të justifikohet nëse nuk bëjmë secili diçka që ta ndryshojmë këtë rrjedhë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›