E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjordi ndryshon taktikë: Nuk i shkoj më Adelës nga pas

Nominimi i Bjordit nga Adela ka ndryshuar marrëdhëniet mes të dyve. Ai është ndjerë i nënvlerësuar, ndonëse "zysha" e penduar është përpjekur t‘i shpjegojë gjërat. Bjordi ka vendosur: "Nuk do t‘i shkoj më pas Adelës". Ajo duhet të vendosë se si duhet të shkojnë më tej gjërat. Diskutimi nuk ka ngelur vetëm mes tyre.

Adela: Bëra gabim!

Adelajda dhe Dritani diskutojnë për nominimet e së shtunës. Dritani shprehet i habitur në lidhje me nominimin e Bjordit nga Adelajda dhe thotë se arsyeja që ajo dha ishte kot. Adelajda i thotë që ajo nuk e kishte në plan që ta nominonte. Sipas saj, ajo kishte ndërmend të nominontë Aidën dhe njërin nga të rinjtë, por meqë ato kishin imunitet, ajo u vu pak në siklet. Dritani i thotë: "Na është ngushtuar rrethi!" Ajo i thotë që e kishte diskutuar me Bjordin më përpara dhe ai vetë i kishte thënë që nëse ajo do vihej në siklet mund të thoshte emrin e tij, ndërsa shton: "Bëra gabim!" Adelajda thotë që nëse Bjordi do të kishte dalë në nominim, ajo nuk do ia kishte falur vetes. Dritani i thotë që rëndësi ka kur të dalin jashtë, pasi nuk janë ato që e mbajnë njëri-tjetrin brenda, por është publiku. Ai shton: "Ndihem keq që nuk kam dalë në nominim!". Sipas tij, ai do të ndihej shumë keq nëse në momentin e parë që të dilte në nominim të ikte nga shtëpia. Adelajda thotë: "Sa herë jam në nominim i them vetes që jeto ditët, orët. Kur të jesh atje përjashta, do të shikosh televizor dhe do i thuash vetes sa budallaqe paskam qenë!"

Bika: Kam frikë!

Republika dhe Dritani qëndrojnë në kopsht dhe diskutojnë për ditët e para në "Big Brother". Republika thotë që ajo nuk e mban mend javën e parë kur kanë hyrë. Dritani i thotë që ajo javën e parë i fliste rëndë. Biseda kalon te dalja nga shtëpia. Republika i thotë: "Sa frikë kam nga kjo e shtuna!" - ndërsa Dritani i thotë që ajo nuk duhet ta marrë me frikë, pasi është publiku ai që e ka në dorë. Ajo është dakord, por shton se për të është hera e parë dhe frika është më e madhe. Sipas saj, konkurrentët e tjerë në nominim janë më të fortë, pasi janë testuar nga publiku. Dritani është i mendimit që të gjithë janë konkurrentë të fortë dhe shton: "Po nuk besove te vetja kot që hyn!"

"Mozën e ndiej timen!"

Pasi ka vallëzuar me Mimozën, Arjoni i ka thënë Aidës se Mimoza i pëlqen shumë. Aida i ka thënë se e ka të kotë. Ai ka shtuar se e shihte si të tijën, ndërsa ajo e ka pyetur nëse e kishte fjalën për brenda në shtëpi, apo kur të dilnin. Ai i është përgjigjur në të dyja rastet. "Kur e shikoj, e shikoj sikur është e imja!" - ka thënë Arjoni. Për të qenë sa më e qartë, Aida e ka pyetur nëse nënkuptonte si shoqen e tij, kur thoshte "si të tijën". Arjoni ka mohuar. Sipas Aidës, ndikonte "edhe ngjashmëria me të kaluarën", por edhe fakti i të qenit i izoluar. "Moza më vë në siklet dhe janë të rralla femrat që më bëjnë këtë efekt!" - ka thënë Arjoni, duke shpjeguar se në shumicën e rasteve ishte ai dominuesi. "Atëherë pse jo", i ka thënë Aida, duke e këshilluar gjithashtu "të mos dilte me flamur në dorë", por dhe të kishte parasysh se koha nuk luante në favor të tij. Ajo i ka thënë se deri tani ai mund të kishte bërë diçka, por sipas Arjonit ai vetëm tani po e ndiente këtë gjë. "Kudo nga hedh sytë, dua të shikoj vetëm atë, nuk më intereson asgjë tjetër!" - ka thënë ai. Arjoni ka shtuar se në përgjithësi i pëlqente tipi i femrës si Mesida, si Anjeza, si Aida, me të cilat ke çfarë të flasësh, por çuditërisht tërheqja që ndjente për Mimozën ishte "e paparë". "O Zot sa i ngjan! - ka thënë ai më pas për ngjashmërinë e Mimozës me ish të dashurën e tij, Roselën, - i njëjti flokë, i njëjti trup...!". Por, gjithashtu ka shprehur se nuk mund të ishte ky motivi kryesor i tërheqjes që ndjente, sepse do ta kishte vënë re që në fillim.

"Nuk mund t‘i vij më Adelës nga pas!"

Duke folur për faktin që Adelajda kishte nominuar Bjordin, ky i fundit i ka thënë Adit se mendon që me këtë që ka bërë, ajo i ka ulur shumë pikë vetes. Adi e ka pyetur Bjordin a ishin sqaruar ata me njëri-tjetrin dhe i ka treguar se Adelajda i kishte thënë se ai vetë i kishte thënë të thoshte emrin e tij. Sipas Bjordit, kjo nuk ishte e vërtetë, ai i kishte thënë që nëse ndonjëherë nuk do të kishte çfarë emri të thoshte, le të jepte emrin e tij, por kjo kishte ndodhur para një muaji. Adi tha se Adelajda kishte bërë shumë gabim. Sipas Bjordit, kjo ishte një gafë jo e vogël dhe e detyronte atë që të sillej ndryshe me Adelajdën. "Unë nuk mund të dal si budalla, duke u treguar gjithmonë i mirë! - ka thënë ai. Ai ka shtuar se nuk mund t‘i rrinte gjithmonë nga pas Adelës dhe ajo t‘i thoshte "ik". "Adelës i pëlqen që unë t‘i vij vërdallë e të më thotë "ik!" - pastaj sapo unë i rri larg, më vjen nga prapa gjithë ditën!" - ka thënë Bjordi. Sipas tij, ajo mund të kishte nominuar këdo nga banorët e shtëpisë, Mozën, Bikën, Adin, por jo atë, sepse gjithçka që ajo ka dhënë e ka dhënë prej tij. "Unë jam pasqyra e Adelës këtu brenda!" - tha Bjordi, duke shpjeguar se qëndrimi me të kishte nxjerrë në pah të mirat dhe të këqijat e Adelajdës. "Me këtë që ka bërë, ajo më ka nënvlerësuar shumë!" - ka shtuar Bjordi. Ai ka sqaruar se nuk e shqetësonte aspak nominimi, por arsyeja që kishte dhënë, që sipas tij, nuk ishte kot, por ishte e vërtetë. "Duhet t‘ia thuash patjetër!" - e ka këshilluar Adi. "Tani është momenti që Adela të marrë në dorë situatën dhe të luftojë për të marrë atë që do!" - ka përfunduar Bjordi.

"Si të duket Anjeza?"

"Si të duket Anjeza?" - e ka pyetur Dritani, Adelajdën. Ajo i ka thënë se i dukej e thjeshtë, nuk mund të thoshte më shumë. "Kaq është shumë pak!" - ka thënë ai dhe ka shtuar se mendonte se Anjeza vetëm e thjeshtë nuk ishte. Adelajda ka sqaruar se kur kishte thënë e thjeshtë, e kishte fjalën që përshtatej lehtë, por nuk mund të cilësonte as anët pozitive, as ato negative të Anjezës, sepse ishte shumë herët. "Seç ka diçka që nuk më bind!" - ka thënë Dritani.

"Tani e ke ti në dorë!"

"Ti je mërzitur për nominimin?" - e ka pyetur Adelajda, Bjordin. "E mendova dhe nuk është kaq e lehtë!" - i ka thënë ai. Ai i ka thënë se me këtë që ka bërë ajo e ka vënë në të njëjtin nivel me banorët e tjerë të shtëpisë, kur e vërteta nuk është aspak kështu, të paktën ai mendonte se ishte më i rëndësishëm sesa të tjerët për të. Adelajda ka pohuar dhe ka rishpjeguar se e bënte sepse e dinte që ai nuk rrezikonte. Sipas Bjordit, nominimi nuk ka asnjë lidhje, por arsyeja që ajo kishte dhënë. Ai tha se tani ndihej i detyruar të bënte atë që kishte thënë ajo: t‘i rrinte larg. Bjordi ka vazhduar, duke thënë se e kishin bërë një herë këtë bisedë, që ai nuk duhej të sillej siç po sillej, por duhet t‘i rrinte larg dhe ai kishte gabuar përsëri. "Tani e ke në dorë ti!" - i ka thënë ai Adelës. "E çfarë do të ndryshojë tani?" - e ka pyetur ajo Bjordin. "Do të rrimë si atë ditë që më ke thënë të rrimë larg" - ia ka kthyer ai, duke shtuar se kjo e kësaj të shtune ishte vetëm një gjë e vogël, por që ajo duhej ta kuptonte vetë, nuk ishte diçka që të mund t‘ia shpjegonte ai. Sipas këndvështrimit të saj, gjërat po shkonin mirë. Bjordi i ka thënë se mund të ishin mirë për Adelën, por jo për Bjordin. Siç kishte menduar ai për të, duhej të mendonte edhe ajo për të e të mos e linte të bënte figurën e injorantit apo budallait. Për më tepër, sipas tij, ajo nuk po dinte t‘u jepte gjërave vlerën e duhur. Ajo i ka thënë se e vlerësonte Bjordin, përtej shakave, apo lojës që mund të ishin duke bërë. "Pastaj gjërat duken!" - ka thënë ajo. Sipas saj, ata të dy e dinin mirë se çfarë kishin me njëri-tjetrin dhe nuk ishte e nevojshme t‘i thoshin. Por, sipas Bjordit, ata nuk ishin të qartë as me njëri-tjetrin. "Atëherë ne nuk kemi një lidhje me njëri-tjetrin!" - ka thënë ai. "Nuk kemi, sigurisht që nuk kemi!" - është përgjigjur Adelajda. "Atëherë muhabeti mbaroi këtu!" - ka shtuar Bjordi. "Tani nuk është më problemi im!". Por Adelajda i ka kërkuar sqarime të mëtejshme. Bjordi i ka thënë se tani duhet të fillonte të mendonte atë që kishte, atë që donte dhe atë që duhet të bënte për ta arritur. Ajo ka përmbledhur në pak fjalë se çfarë kishte deri tani ishte hyrja në shtëpinë e "Big Brother", gjë që kishte dashur ta bënte, marrëdhënia normale me banorët e shtëpisë, shoqëria me një pjesë të tyre, gjetja e njerëzve të cilët i donte fort dhe e donin e që i respektonte, i vlerësonte dhe që e respektonin. Një prej tyre, sipas saj, ishte edhe Bjordi. Ajo që donte ishte të shkonte deri në finale, duke pasur në krah këta njerëz. "Ti nuk ke kuptuar asgjë!" - i ka thënë Bjordi asaj. Ai ka shtuar se kishte dalë shumë jashtë karakterit të tij për të dhe ajo as e kishte kuptuar, as e kishte vlerësuar. Ajo i ka thënë se kishte dy zgjedhje: të bënte të tjerët të ndihen keq, duke aluduar për familjen, ose të bënte të ndihej keq ai. Sipas Bjordit, ky ishte një konflikt pa zgjidhje, sepse ajo s‘mund të ndryshonte dot familjen e saj, e për më tepër ai nuk mund ta pretendonte këtë. Adelajda ka filluar të qajë, duke thënë se nuk i kishte të gjitha gjërat ajo në dorë, por Bjordi i ka thënë se gjithçka që kishte të bënte me jetën e saj e kishte ajo në dorë. Sipas Adelës, ajo nuk i kishte kërkuar ndonjë gjë të madhe dhe se ajo dinte të mjaftohej me kaq sa kishin. "Nuk mund të mjaftohem unë!" - i ka thënë Bjordi. Ajo i është përgjigjur se e dinte këtë dhe kishte pritur t‘ia thoshte, por ka shpresuar se ndoshta, duke menduar se ajo çfarë kishin, vlente, ai nuk do t‘i kërkonte më tepër. "Ti ke nevojë për një lidhje këtu brenda? - e ka pyetur ajo Bjordin. "Ne kemi krijuar diçka, që tani kërkon të evoluojë!" "Më thuaj çfarë do, të të them e bëj apo jo!" - e ka pyetur Adelajda Bjordin. "Ne nuk kemi relatë!" - i ka thënë ai. "Për këtë nuk mund të bëj asgjë!" - ia ka kthyer ajo. Ata e kanë ndërprerë bisedën në dhomën e gjumit për ta rimarrë sërish jashtë, në oborrin e shtëpisë.

"Duhet të luftosh njëherë këtu, pastaj jashtë"

Adelajda i ka thënë Bjordit se është ndjerë shumë mirë me të, në të gjitha rastet. Sipas Bjordit, ajo ishte ndjerë mirë, sepse gjithçka kishte ndodhur brenda kufijve që kishte vendosur ajo. "Për ty nuk janë mirë këta kufij?" - e ka pyetur Adela. "Jo! - i është përgjigjur ai. Adelajda i ka thënë se e kishte të qartë se me atë që i kishte kërkuar Bjordit të bënte, ai kishte dalë nga vetja dhe këtë e kishte bërë vetëm për të. Ajo po e kuptonte tashmë se ishte ndjerë mirë dhe ai jo. "Tani më thuaj çfarë të bëj unë që ti të ndihesh mirë! A do t‘i heqim kufijtë?". Bjordi i ka thënë se nuk mund t‘ia thoshte këtë, kjo ishte diçka që duhet ta vendoste vetë ajo. Adelajda i ka shpjeguar se edhe po të ishin jashtë, ajo do të sillej po njësoj, në mos më e larguar, sepse nuk do të kishin pasur kaq kohë për të kaluar bashkë. Sipas Bjordit, nuk mund të llogariteshin gjërat duke marrë për bazë çfarë mund të ndodhte jashtë. "Ti nuk ke kurajë t‘i ndryshosh gjërat!" - i ka thënë ai. Adelajda i ka thënë se ai nuk e kishte idenë sesa të vështirë e kishte ajo. Sipas Bjordit, nëse ajo nuk e luftonte dot këtë luftë të vogël këtu brenda, si do t‘i përballonte vështirësitë e jetës. Ai i ka thënë se kështu nuk mund të vazhdonte më, sepse ai nuk kishte pretenduar e nuk pretendonte asgjë nga ajo; kishte qenë Adela që kishte pretenduar prej tij dhe ai i kishte bërë, por nuk mund të pranonte më që "injoranca të ndërhynte në jetën e tij". "Ti e di sa njerëz duan të më puthin, të më përqafojnë këtu apo jashtë?" - i ka thënë ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›