E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20, te gjitha pyetjet per takimin

Çështja thelbësore e takimit të G20-ës është: a do të dilet prej andej me një plan të përbashkët për rindërtimin e ekonomisë botërore? Veç kësaj ekzistojnë edhe shumë pyetje të tjera në lidhje me mbledhjen e shumëpërfolur të Londrës, si cila do të jetë menyja, çfarë do të veshin zonjat e para e të tjera si këto. Më poshtë mund të shuani kuriozitetin me disa përgjigje.

Përse 20?

Në fakt është shumë më tepër. Gordon Braun u ka bërë ftesë vendeve të G20, plus Spanjës dhe Holandës, që nuk janë pjesë e grupimit, Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore dhe Komisionit të Bashkimit Afrikan. Të mos harrojmë pa përmendur kreun e OKB-së, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në tërësi bëhen 29 duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe. Takimet e rregullta vetëm me anëtarët e G20 janë ato mes ministrave të Financave të grupit dhe bankierëve të bankave qendrore, ndërsa takimi i 2 prillit përfshin liderët e ekonomive dhe organizatave më të rëndësishme të botës

Përse Spanja

Një pyetje mjaft e mirë. Sigurisht që Spanja ka një ekonomi shumë të rëndësishme (e teta në botë) por duke qenë se është e vonuar si në klubin e vendeve demokratike ashtu edhe në atë të ekonomive të zhvilluara nuk është përfshirë në grupimet e rëndësishme, pra nuk është as pjesë e G20. Në takimin që pati në nëntor, Franca kishte dy vende një në pozicionin e vendit udhëheq BE-në dhe një si Francë. Kësisoj, njëri prej vendeve në tryezën e G20 mbeti bosh. Për të konkurruan Holanda dhe Spanja dhe kjo e fundit ia doli mbanë të merrte pjesë në takim. Spanja do të jetë prezente edhe në Lodër së bashku me Holandën, por jo me statusin e vendeve anëtare të grupit.

Sa "G" ka gjithsej?

Nëse një vend kërkon që të ecë përpara në ekonominë botërore duhet të ndjekë rregulla të hekurta. Njëri syresh është anëtarësimi në grupin e vendeve që i drejtohen njëri-tjetrit me germën "g"(grup). G20 është konceptuar si një version i zgjeruar i G8 që është grupi i vendeve më të pasura të botës plus Rusinë. Deri në mesin e viteve ‘80 pushteti ekonomik ndahej mes Britanisë, Francës, Gjermanisë, Japonisë dhe Amerikës, që ndryshe njiheshin si G5. Më pas grupi u hap edhe për vende të tjera evropiane dhe u quajt G10. Numri pas germës G jo gjithmonë ka të bëjë me numrin e anëtarëve. Kështu G77, që përfaqëson kombet e zhvilluara në OKB ka 130 anëtarë. Ndërkohë ekzistojnë 3 parime të arta: së pari, këto grupe marrin rëndësi të posaçme vetëm kur ka ndonjë krizë, apo ndonjë problem tregtar ndërkombëtar, së dyti, fakti që ka shumë grupe të tilla është tregues i nevojës për një sistem të ri dhe më të drejtë për ekonominë botërore dhe së treti sa më i vogël të jetë numri që pason "G"-në aq më i rëndësishëm është vetë grupi. Klubet më të efektshme kanë pak anëtarë çka do të thotë që edhe vendimmarrja bëhet më shpejt. Disa thonë se grupi më i efektshëm do të ishte G2 me anëtarë të vetëm e ekskluzivë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Liderët pjesëmarrës

Obama është ndër liderët e parë e më të rëndësishëm që do të marrin pjesë. "Ne jemi të gatshëm të qeverisim", deklaroi Presidenti, por a është e gatshme pjesa tjetër e botës për ta pasuar? Një tjetër President që gjithmonë bie në sy është ai francez, Sarkozi, ose siç njihet ndryshe "Burri i Vogël i Madh". Do të jetë Merkel që përfaqëson ekonominë më të madhe në Evropë dhe që do të jetë një kundërshtare e hapur e planit Obama/Braun për paketën e stimujve ekonomikë. Sigurisht që është Gordon Brauni, i zoti i shtëpisë, Medvedev i Rusisë që gjithmonë është në qendër të vëmendjes, por varet se çfarë pozicioni do të marrë e roli do të luajë.

Cilët janë ata që do t‘u dëgjohet zëri?

Brazili. E ardhmja. Një ekonomi jashtëzakonisht e madhe në zhvillim dhe Presidenti i vendit, Lula, një lider me shumë besim në vetvete që nuk përton të bëjë deklarata të ashpra e kontradiktore. Kina, që ose do të shndërrohet në superfuqinë e shekullit, ose në një dështim kolosal. Për momentin është shumë e fuqishme dhe luan rolin e bankierit botëror, duke qenë se vetë Shtetet e Bashkuara mbështeten në dollarët e ruajtur nga Kina. Me ndikim të madh është edhe Japonia. Ajo ka 10 vjet përvojë nga krizat e rënda që kapën thuajse gjithë rajonin. Të rëndësishme janë edhe Koreja e Jugut, një ekonomi shumë e përparuar dhe vetë Turqia, një nga fuqitë e ardhshme të mëdha. Nuk duhet harruar Arabia Saudite që përfaqëson vendet e OPEC dhe vendet arabe.

Ata që kanë ardhur vetëm për të dëgjuar

Argjentina. Nuk ka shumë rëndësi në ekonominë botërore. Australia, gjithashtu është një vend relativisht i qetë që ndryshe nga vendet e tjera po përjeton kohë më të mira në mes të stuhisë botërore. Kanadaja, edhe ky vend nuk pritet të thotë ndonjë gjë apo të ketë ndonjë peshë, India, një tjetër ekonomi e madhe në zhvillim, por mbetet ende të përcaktojë rolin e saj në kuadrin e ekonomisë botërore. Indonezia, vendi më i madh mysliman në botë. Është pozitiv fakti që ajo po merr pjesë. Afrika e Jugut, e rëndësishme, por këtë herë, të paktën, vjen vetëm për të dëgjuar.

Përse truprojat e shërbimit sekret amerikan mbajnë gjithnjë syze dielli?

Së pari, kjo nuk ndodh gjithmonë dhe së dyti për të mbrojtur sytë nga dielli. Të paktën ky është shpjegimi që jepet në sajtin e CIA-as. Arsyeja e tretë është ajo e detyrës, pasi përmes syzeve të errëta ata "skanojnë" ambientin përreth personit që ruajnë, pa rënë në sy. Syzet i bëjnë më të identifikueshëm, por në fakt, është e gabuar ideja që ekziston se ata bëjnë çmos që të fshihen. Nëse do të ishte kështu, ata nuk do të ishin aq të gjatë, truplidhur, me kostume gri e me syze të errëta.

Sa pajisje dhe personel merr me vete Presidenti i SHBA-së?

"Air Force" ka një palestër, njësi elektronike që merren me sigurinë dhe mbrojtjen e avionit deri edhe nga shpërthimet bërthamore. Me të mbërritur në aeroportin londinez të "Standstend", Obama do të transferohet me helikopterin e tij Marine One, që ka armë antiraketë për t‘u mbrojtur edhe nga goditjet më të rënda. Në Londër Obama do të udhëtojë me "Kadillak One" dhe që është një ///////////mietër më vete për sa i përket teknologjisë. Brenda tij ka mitraloza, gaz lotsjellës, kamera me rreze ultraviolet dhe madje edhe çanta me grupin e gjakut të Obamës. Me Presidentin mund të udhëtojë një personel prej 500 personash brenda të cilit përfshihen edhe infermiere dhe kirurgë. Më pas në staf bëjnë pjesë agjentë sigurie dhe ndihmës personalë të Presidentit.

Ku do të qëndrojnë?

Jo në Ritz, por në Winfield House, rezidenca zyrtare e ambasadorit amerikan në St. James. Godina është e fshehur pas një pylli pemësh të ulëta, me një kopsht shumë të madh përpara. Eshtë një copëz e vërtetë Amerikë në zemër të Londrës. Është projektuar nga një arkitekt britanik, por duke pasur parasysh stilin e ndërtimeve amerikane në vitet ‘30.

Përse emri në kod i Obamës është: "tradhtari"?

Dikur emrat e koduar ishin një masë paraprake që merrej nga shërbimet sekrete për mosdekonspirimin e personave gjatë transmetimeve me radio, por sot të gjitha agjencitë më të mira kanë pajisjet e duhura për zbërthimin e kodeve. Kjo është arsyeja që sot njerëzit nuk përpiqen shumë të fshehin kodet e emrave. Për sa i përket Obamës, thuhet, se atij iu la e lirë zgjedhja e emrit në kod, por me disa përkufizime: në transmetimet në radio emri duhej të ishte i qartë dhe gjithë emrat e Familjes së Parë duhet të fillonin me R. "Tradhtari"(renegate) përkon me mesazhin e Obamës për ndryshim, edhe pse kuptimi i kësaj fjale është negativ dhe shumëkush ka rrudhur vetullat kur e ka dëgjuar. Kjo fjalë vjen nga një fjalë e vjetër spanjolle që përdorej për të krishterët që konvertoheshin në myslimanë. Ndërkohë, emri i koduar i bashkëshortes së tij është "Rilindje" (Renaissance, Malia e ka "Shkëlqim" (Radiance) dhe Sasha "Gonxhe trëndafili" (Rosebud). Xhon MekKein e kishte Phoenix, ndërsa Sara Palin Denali, emri i një mali në Alaskë.

Ku mund të protestohet?

Janë parashikuar shumë protesta në Citi, qendrën financiare të Londrës, në lindje të Londrës dhe perëndim, si dhe para ambasadave të vendeve pjesëmarrëse. Do të ketë edhe marshime të ndryshme sporadike. Arsyet: klima, lufta, Afrika, bankat....ka sa të duash. Por bëhet fjalë për protesta paqësore. Megjithatë, policia ka marrë masat maksimale për t‘i paraprirë çdolloj rëndimi të papritur të situatës. Për Londrën bëhet fjalë për operacionin më të madh të policisë në 5 vitet e fundit.

Çfarë do të përmbajë çanta e suvenireve?

Ka shumë mundësi që të jenë suvenire që paraqesin kreativitetin britanik. Në to thuhet se do të ketë kravata të stilistëve më të mirë të vendit, një peshqir nga fabrika e lirit në Ulster të Irlandës së Veriut. Qirinj dhe çokollata. Po ç‘mund të thuhet për ata liderë që nuk mbajnë kollare si Merkel, Singh? A do të marrin ndonjë dhuratë alternative? Kjo nuk dihet ende.

Partneret shoqëruese

Mendohej se do të ishte një shfaqje ku do të predominonin Mishel Obama, Karla Bruni e të tjera, por duket se francezja nuk do të vijë duke e ditur se Mishel do të jetë në qendër të vëmendjes dhe se këtë herë dritat e prozhektorëve do të jenë të gjitha për të. Megjithatë, thuhet se do të marrë pjesë bashkëshortja e Berluskonit, Veronika Lario. Veç tyre do të jetë bashkëshortja e Presidentit kinez, nga e cila askush nuk pret ndonjë gjë të madhe si dhe bashkëshortja e Medvedevit, Svetllana Medvedev, që është një grua shumë e ndrojtur. Po sikur Mbreti saudit të vinte me 4 gratë e tij. Ah, atëherë po që kjo do ta bënte atmosferën shumë më interesante. Sa i përket bashkëshortit të Merkelit, ai duket se nuk do të jetë prezent. Po ashtu edhe bashkëshorti i Presidentes së Argjentinës, ish-presidenti i vendit nuk do të vijë.

Kush është Karla Bruni e re?

Takimet e mëdha janë për politikanët si kupa e botës dhe sikurse ndodh në këto veprimtari sportive nuk ka shumë rëndësi nëse fiton apo jo ndeshjen, pasi në shtëpi mund të shkosh me fitore edhe po të jesh veshur mirë. Me Karla Brunin që nuk do të vijë dhe Mishel Obamën që mund të duket pak jashtë mode, pasi moda lëviz shpejt, dikush tjetër mund të ketë shansin të shkëlqejë. Ajo mund të jetë Sonsoles Espinosa, një këngëtare opere që është edhe bashkëshortja e Kryeministrit spanjoll, Zapatero. Ajo është shquar shumë për elegancën e saj në daljet e herëpashershme në publik, përkrah të shoqit dhe se ka ditur gjithmonë të kombinojë mënyrën e të veshurit me ngjyrat.

Sa do të kushtojë i gjithë ky argëtim?

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike takimi do t‘i kushtojë qeverisë 30 milionë dollarë. Në të përfshihet marrja me qira e ambienteve të mbledhjes, të konferencave të shtypit dhe masave të sigurisë. Kjo sigurisht që është një shifër shumë e lartë, por ministria justifikohet duke thënë se veprimtaria është një rast i mirë për t‘i bërë publicitet dhe reklamë Londrës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›