E Shtunë, 31 Tetor 2026

ǑNDODH ME HYRJEN NE FUQI TE MSA-së?

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është një instrument, me anë të të cilit Shqipëria, në një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Evropian, angazhohet për realizimin e një sërë reformave politike, ekonomike e sociale, me synim arritjen e qëllimit final të përafrimit të vendit tonë me standardet evropiane. MSA përmban shumë kapituj që përfaqësojnë formulime të sakta dhe ligjore mbi dialogun politik e bashkëpunimin rajonal mes palëve, dispozitat tregtare lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve, liritë komunitare dhe bashkëpunimin në fushat prioritare, me theks në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Në mënyrë të përcaktuar janë parashikuar procedurat dhe mënyrat e realizimit të lëvizjes së lirë të mallrave, si produktet industriale, bujqësore apo të peshkut, lëvizja e punëtorëve, vendosje të kompanive apo të filialeve të tyre, mënyra e ofrimit të shërbimeve, procesi i përafrimit të legjislacionit, rregullat e sigurimit të konkurrencës së lirë e të ndershme apo çështjet e drejtësisë dhe sigurisë etj. Pjesë integrale të Marrëveshjes janë edhe Anekset dhe Protokollet e saj, si dhe Deklaratat e Përbashkëta, që trajtojnë në mënyrë shumë të detajuar se çfarë është liberalizuar për çdo produkt, sipas shërbimeve, apo japin shpjegime më të hollësishme, teknike të neneve të veçanta të Marrëveshjes.

Hyrja në fuqi e MSA-së

MSA hyn në fuqi sot, më 1 Prill, që sipas MSA-së, është dita e parë e muajit të dytë pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit ose miratimit te sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të BE-së. Me hyrjen në fuqi të MSA, ky është dokumenti i vetëm dhe i plotë kontraktual me BE. Pas 1 Prillit, shfuqizohet marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Shqipëri-BE, në fuqi që prej vitit 1992. Po kështu, shfuqizohet edhe Marrëveshja Interim, ose pjesa ekonomike tregtare e MSA-së, që hyri në fuqi në dhjetor 2006. Me hyrjen në fuqi të MSA-së shfuqizohen edhe strukturat e mëparshme, të ngritura për të shqyrtuar marrëveshjet e mëparshme. Konkretisht, nuk do jetë më Komiteti i Përbashkët Shqipëri-BE, që mblidhej një herë në vit për shqyrtimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar apo CTF (Task Forca Konsultative, e krijuar në kuadrin e negociatave të MSA) dhe do të ngrihen struktura të reja për të shqyrtuar zbatimin e MSA-së.

Sipas nenit 6 të MSA-së, në Shqipëri ka një qasje në dy faza të procesit të Asociimit. Konkretisht, sipas këtij neni, "Asociimi zbatohet në mënyrë progresive dhe do të realizohet plotësisht përgjatë një periudhe tranzitore që mund të shkojë deri në dhjetë vjet, e ndarë në dy faza të njëpasnjëshme. Dy fazat nuk zbatohen për Titullin IV të kësaj Marrëveshjeje (Lëvizja e Lirë e Mallrave), për të cilin në atë Titull të Marrëveshjes përcaktohet një kalendar specifik".

Qëllimi i ndarjes së procesit të Asociimit në dy faza të njëpasnjëshme për Shqipërinë është rishikimi i hollësishëm afatmesëm i zbatimit të Marrëveshjes. Gjatë fazës së parë, synimi është që Shqipëria, në fushën e përafrimit dhe ekzekutimit të ligjeve, të përqendrohet në elementët themelorë të "acqui".

Në nenin 70 të MSA-së sqarohet se elementë thelbësorë të "acquis" përbëhen nga ata të Tregut të Brendshëm dhe të fushave të tjera të rëndësishme, si konkurrenca, të drejtat e pronësisë intelektuale, industriale e tregtare, prokurimi publik, standardet dhe certifikimi, shërbimet financiare, transporti detar dhe tokësor - duke i kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë dhe standardeve mjedisore, si dhe aspekteve sociale - ligji për shoqëritë tregtare, kontabiliteti, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e të dhënave, shëndeti e siguria në punë dhe mundësi të barabarta. Ndërsa gjatë fazës së dytë, Shqipëria do të përqendrohet në pjesët e mbetura të "acquis". Procesi i përafrimit për fazën e parë kryhet në bazë të një programi të rënë dakord më parë ndërmjet Komisionit të Komuniteteve Evropiane dhe Shqipërisë.

Periudhat Tranzitore në MSA

Le të shohim më konkretisht disa nga angazhimet në MSA lidhur me politikat e konkurrencës, prokurimit publik, pronësia intelektuale, industriale e tregtare, si dhe të bilancit të pagesave.

1. Për Politikat e Konkurrencës në MSA është rënë dakord me palën komunitare për të vendosur në vend një regjim konkurrence të drejtë sa më shpejt që të jetë e mundur. Në MSA përshkruhen elementët kryesorë të politikave të konkurrencës, ku ndalohen sjelljet antikonkurruese dhe transaksionet e pandershme nga kompanitë, të shfaqura në formën e marrëveshjeve apo veprimeve të përbashkëta. Gjithashtu, në të sigurohet se masat shtetërore në formën e subvencioneve nuk duhet të shtrembërojnë konkurrencën. Ndihma shtetërore konsiderohet një barrierë serioze që mund ta dëmtojë atë. MSA i referohet ligjit komunitar mbi konkurrencën si bazë e vlerësimeve të parimeve të mësipërme. Shqipëria ka tashmë një ligj të plotë mbi konkurrencën dhe mbi ndihmën shtetërore. Por sipas nenit 72 të MSA, Shqipëria ka në dispozicion një periudhë tranzitore trevjeçare para se të aplikojë këto rregulla te ndërmarrjet publike dhe kompanitë, që kanë të drejta ekskluzive apo speciale. Sipas MSA-së, Shqipëria do të ngrejë brenda 4 viteve, që nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, një autoritet të pavarur të ndihmës shtetërore. Ai do të ketë kompetenca për të autorizuar skema të ndihmës shtetërore dhe grante ndihme individuale, në përputhje me kriteret e dhëna në MSA dhe kompetenca për të urdhëruar rikthimin e ndihmës shtetërore të dhënë në mënyrë të paligjshme. Për këtë, Shqipëria do të hartojë një inventar gjithëpërfshirës të skemave të ndihmës, të krijuara para ngritjes së autoritetit të përmendur dhe të sigurojë pajtueshmërinë e këtyre skemave të ndihmës me kritere të përmendura në MSA, brenda një periudhe jo më shumë se katër vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes.

2. Aspektet e Prokurimit Publik. Lidhur me monopolet shtetërore, në nenin 40 të MSA-së është përcaktuar se brenda një periudhe 4- vjeçare Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa që të rregullojë monopolet shtetërorë me karakter tregtar, me qëllim që të sigurojë se asnjë diskriminim nuk aplikohet midis kompanive /individëve të Vendeve Anëtare dhe Shqipërisë, lidhur me kushtet ku mallrat prokurohen dhe tregtohen. Sipas nenit 74 të MSA-së, Shqipëria duhet t‘u akordojë trajtim të njëjtë kompanive evropiane të vendosura në Shqipëri gjatë kësaj kohe. Për sa më sipër, Shqipëria duhet të heqë të gjitha barrierat ndaj kompanive evropiane që operojnë në Shqipëri, të përafrojë legjislacionin në fushat utilitare, si dhe brenda një periudhe 4-vjeçare të eliminojë të gjitha barrierat ndaj kompanive evropiane.

3. Pronësia Intelektuale, Industriale e Tregtare. Sipas nenit 73 të MSA-së, Shqipëria merr masat e nevojshme për të garantuar brenda një periudhe tranzitore po 4-vjeçare pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, një nivel mbrojtjeje të të drejtave të pronësisë intelektuale, industriale e tregtare, të njëjtë me atë që ekziston në Komunitet, përfshirë mjetet e efektshme për realizimin e këtyre të drejtave. Po ashtu, sipas këtij neni, Shqipëria merr përsipër të anëtarësohet brenda periudhës së përcaktuar më lart në konventat shumëpalëshe për të drejtat e pronësisë intelektuale, industriale e tregtare të përmendura në Shtojcën VI, paragrafi 1. Këshilli i Stabilizim-Asociimit mund të vendosë për të detyruar Shqipërinë të bëhet palë në Konventa të veçanta shumëpalëshe në këtë fushë.

4. Lëvizja e Kapitalit. Liberalizimi progresiv i shërbimeve do të fillojë me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe do shtrihet për një periudhë 5-vjeçare. Një kusht i domosdoshëm për zbatimin me sukses të këtij detyrimi është edhe niveli i përafrimit të legjislacionit shqiptar me "acquis communautaire". Ndërsa pesë vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së, sigurohet lëvizja e lirë e kapitalit për investimet në letrat me vlerë, huatë financiare dhe kreditë me një afat maturimi më të shkurtër se një vit. Tre vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së, palët do të marrin masa për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin gradual dhe të mëtejshëm të rregullave komunitare që lidhen me lëvizjen e lirë të kapitalit, si edhe përcaktimin e modaliteteve për zbatimin e plotë të rregullave që parashikon MSA për lëvizjen e kapitalit.

Për t‘i kuptuar më mirë këto afate duhet të sqarojmë se faza e parë fillon me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes. Për sa më sipër, tri çështjet si konkurrenca, prokurimi apo pronësia intelektuale, industriale e tregtare (si pjesë e liberalizimit të mallrave) nuk ndahen në faza dhe angazhimet për to kanë nisur me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Interim tre vjet më parë. Vetëm çështjet e liberalizimit të shërbimeve dhe kapitalit, afatet e angazhimeve, lidhen me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes. Prandaj është theksuar si shumë i rëndësishëm realizimi i këtyre angazhimeve të Marrëveshjes Interim, pavarësisht hyrjes në fuqi të MSA-së. Është kjo arsyeja që komisioneri Olli Rehn rekomandoi së fundi se, do të ishte e mençur të aplikohej për statusin e vendit kandidat, pasi Shqipëria të japë prova se po zbaton MSA-në, duke përmendur veçanërisht Marrëveshjen Interim. Dhe këtu zbatimi, sigurisht që lidhet me vlerësimin e realizimit të angazhimeve që cituam më lart për periudhat tranzitore.

Strukturat për zbatimin e MSA-së

a) Një nga strukturat më të rëndësishme që ngrihen për shqyrtimin e MSA-së është Këshilli i Stabilizim-Asociimit. Gjatë vitit të pestë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, Këshilli i Stabilizim-Asociimit do të vlerësojë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe do të vendosë nëse ky përparim ka qenë i mjaftueshëm për kalimin në fazën e dytë, me qëllim arritjen e asociimit të plotë. Ai do të vendosë gjithashtu edhe për dispozita të veçanta që konsiderohen të nevojshme për t‘u zbatuar në fazën e dytë. Këshilli i Stabilizim-Asociimit, i krijuar sipas Nenit 116, shqyrton rregullisht zbatimin e Marrëveshjes dhe plotësimin e reformave ligjore, administrative, institucionale dhe ekonomike nga Shqipëria, në përputhje me parimet e përgjithshme të parashtruara në Marrëveshje. Ky Këshill mblidhet në intervale të rregullta kohe dhe kur ta kërkojnë rrethanat, ndërsa shqyrton çështje madhore në kuadër të Marrëveshjes, si dhe çështje dypalëshe ose ndërkombëtare me interes të përbashkët. Në këtë Këshill marrin pjesë anëtarë të Këshillit të BE-së dhe të Komisionit të Komuniteteve Evropiane, nga njëra anë, dhe anëtarë të qeverisë shqiptare, nga ana tjetër. Ai vendos rregulloren e brendshme të tij dhe kryesohet me rrotacion nga një përfaqësues i Komunitetit Evropian dhe një përfaqësues i Shqipërisë, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në rregulloren e brendshme. Banka Evropiane e Investimeve merr pjesë si vëzhguese gjatë punimeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit për çështjet që lidhen me të.

Këshilli i Stabilizim-Asociimit ka kompetencën për të marrë vendime për çështje të parashikuara në MSA. Vendimet e marra janë detyruese për palët, që do të marrin masat e nevojshme për t‘i zbatuar vendimet e marra. Këshilli mund të bëjë rekomandimet përkatëse. Ai përpunon vendimet dhe rekomandimet e tij me marrëveshje mes palëve. Mosmarrëveshjet që lidhen me zbatimin ose interpretimin e MSA i paraqiten Këshillit, i cili mund t‘i zgjidhë ato nëpërmjet vendimeve detyrues.

2. Komiteti i Stabilizim-Asociimit është një strukturë tjetër, që ngrihet në zbatim të MSA-së, i cili:

- ndihmon Këshillin e Stabilizim-Asociimit gjatë zbatimit të detyrave të tij, përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të BE-së dhe përfaqësues të Komisionit të Komunitetit Evropian, nga njëra anë, dhe përfaqësues të Shqipërisë;

- Këshilli i Stabilizim-Asociimit vendos detyrat e Komitetit, që përfshijnë përgatitjen e takimeve të Këshillit dhe mënyrën e funksionimit të Komitetit;

- Këshilli mund t‘i delegojë Komitetit çdo kompetencë të tij;

- Këshilli mund të vendosë ngritjen e komiteteve ose organeve të tjera të veçanta, që mund ta ndihmojë atë në kryerjen e detyrave të tij.

Para përfundimit të vitit të parë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, Komiteti ngre nënkomitetet e nevojshme për zbatimin e duhur të Marrëveshjes.

Nënkomitetet, që janë vendosur tashmë të ngrihen, janë:

1. Tregti, industri, dogana dhe taksa

2. Bujqësi dhe peshkim

3. Tregu i brendshëm dhe konkurrenca

4. Ekonomia, financat dhe statistikat

5. Drejtësia, liria dhe siguria

6. Politika sociale dhe zhvillimi teknologjik

7. Transporti, ambienti, energjia dhe zhvillimi rajonal

3. Në MSA vendoset krijimi i Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Ky Komitet është forumi i Anëtarëve të Kuvendit Shqiptar dhe Parlamentit Evropian për të diskutuar dhe shkëmbyer mendimet e tyre. Ai mblidhet në intervale kohore që vendosen nga ai vetë. Komiteti Parlamentar përbëhet nga anëtarë të Parlamentit Evropian, nga njëra anë, dhe anëtarë të Kuvendit shqiptar, nga ana tjetër. Ai e vendos vetë rregulloren e brendshme dhe kryesohet me rrotacion nga Parlamenti Evropian dhe Parlamenti Shqiptar, sipas dispozitave që do të parashikohen nga rregullorja e brendshme. Ky Komitet do të zëvendësojë delegacionin parlamentar Shqipëri-BE, që përfundoi misionin e tij me mbledhjen e fundit më 19-20 mars 2009. Sigurisht, ngritja e strukturave do t‘i japë një shtysë tjetër seriozitetit të shqyrtimit të MSA-së. Sot, vëmendja për Shqipërinë është adresuar në një proces zgjedhor, sipas standardeve të BE-së, prandaj Këshilli dhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, sipas gjasave, do të mundësohen pas zgjedhjeve. Realizimi i MSA-së dhe procesi i aplikimit për statusin e vendit kandidat, që vjen si pasojë, është e kundërta e demagogjisë elektorale të mazhorancës. Në këtë drejtim, zgjedhjet janë testi më i mirë i shkallës së demokratizimit dhe arritjes së standardeve të një vendi që synon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kujtoj se në vitin 2005, kur socialistët kishin përfunduar negociimin e pothuajse të gjitha neneve dhe anekseve të MSA-së, një kusht i panegociueshëm i partnerëve evropianë ishte zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe në rast të humbjes së forcave politike në pushtet, kalimi normal i pushtetit ekzekutiv te kundërshtarët politikë. Këto parime janë të pandryshueshme dhe do të jenë guri i provës edhe në zgjedhjet e këtij viti, për të vazhduar më tej me statusin e vendit kandidat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›