Sulova e Poshtme
Janë orët e para të paradites, porse Cërriku, dikur një qytet i zhurmshëm dhe i mbipopulluar, është krejt i heshtur. Vetëm në lulishtet në qendër të qytetit, pleqtë kanë përfituar nga "armëpushimi" i shkurtër i shiut për të kryer ritualin e përhershëm e të ngadaltë të dominosë. Shkumbinin e kemi kapërcyer me kohë. Sipas të gjitha gjasave duhet të kishim hyrë tashmë në "gjysmën" e madhe të Shqipërisë, në Toskëri. Jetë e mot lumi, që vjen nga malet e Mokrës është cilësuar si kufiri ndarës mes dy krahinave të mëdha etnografike dhe dialektore: Gegërisë (Shqipëria e Mesme dhe e Veriut) dhe Toskërisë (Shqipëria e Jugut). Porse urat, lëvizja e popullsisë, industrializimi i sforcuar, shpopullimi i malësive, ndryshime hera-herës të ngadalta e si të padukshme dhe herë të tjera të vrullshme e kanë shtyre disi Gegërinë edhe ca më në Jug të Shkumbinit. Ku nis sot Toskëria e vërtetë? Shpejt, vetëm pas disa minutash udhëtim, do ta kuptojmë se ku, pasi të kemi kapërcyer më parë një tjetër lumë të njohur: Devollin.
Hapat e parë në Jugun e vërtetë
Lemë pas heshtjen e Cërrikut dhe, pasi kemi kaluar një grumbull godinash të braktisura të kohës së socializmit, kalojmë Shtërmenin dhe Gostimën. Këto janë dy fshatra të mëdha, jetë e mot të lidhur me Elbasanin. Ndryshe nga qyteti i tyre më i afërt, Cërriku, këto fshatra janë të mbushura me gjallëri. Kamionë që japin e marrin mall, nxënës të hareshëm shkollash, të rinj që qeshin me nga një birrë përpara, të gjitha këto e bëjnë më të hareshëm udhëtimin tonë. Kemi rast të dëgjojmë dialektin në të cilin flasin njerëzit e këtyre anëve. Me përjashtim të ndonjë fjale të rrallë, nuk na duket se ka ndonjë ndryshim të madh me atë të Elbasanit. Në fakt, e ndjejmë veten ende në Gegëri.
Menjëherë pas Gostimës na shfaqet Devolli. Ka bërë një rrugë të gjatë që nga skaji juglindor i Shqipërisë e deri në këto anë. "Takimin" e parë me lumin e njohur e bëjmë sapo ai ka dalë nga diga e hidrocentralit në tentativë të Banjës. Shtrati i lumit pas Gostimës nis të zgjerohet. I fryrë edhe nga shirat e ditëve të fundit, Devolli vërshon hareshëm drejt Kuçovës në afërsi të së cilës lidhet me Osumin duke formuar një tjetër lumë, Semanin. Të paktën deri në mesin e shekullit të XIX-të Devolli derdhej në Shkumbin dhe e vazhdonte bashkë me "mikun" e vjetër rrrugën drejt detit. Fenomenet aluvionale kanë bërë që Devolli të ndryshojë drejtim duke shkuar drejt Jugut dhe duke takuar kështu Osumin.
Ne po udhëtojmë drejt Jugut. Në krahun tonë të djathtë, matanë lumit dallojmë fare mirë fshatrat më skajorë të Dumresë. Ecim mbi një urë të gjatë të betontë, poshtë saj mbahen ende në këmbë rrënojat e urës së vjetër. Kapërcimi i Devollit ka qenë gjithnjë një telash i madh për njerëzit e këtyre anëve. Një urë e gurtë e ndërtuar në kohën e Turqisë nga një Haxhi Sali bej Prrenjasi, nuk e përballoi dot trysninë e ujrave të dimrit. Për shumë kohë fshatarëve u duhej të kalonin në va. Një punë fort me rrezik. Në 1953, më në fund ata iu gëzuan një ure me konstruksion metalik, por të veshur me dërrasa. E ndërtuar mbi këmbët e urës së Haxhi Sali beut edhe kjo nuk e pati jetën e gjatë. Për afër 20 vjët si "urë" përdorej tubacioni i naftës që lidhte Kuçovën me Cërrikun. Ura mbi të cilën po kalojmë është ndërtuar andej nga fundi i viteve ‘70.
"Matanë Urës së Gostimës mbi Devoll nis Sulova e Poshtme, këtu jemi toskë", këtë fjali do të na e përsërisin thuajse në çdo takim, ndonëse toskët sulovarë janë një lloj i veçantë toskësh, ata nuk e fshehin lidhjen e tyre të fortë me Elbasanin. Sulova e Poshtme është një grumbull fshtrash që shtrihen në një territor kodrinor e fushor në të majtë të rrjedhës së Devollit. Në pikëpamje administrative banorët e këtyre anëve formojnë dy komuna, Mollasin dhe Klosin, të Qarkut të Elbasanit, porse krahina ka kaluar herë me Beratin dhe herë me Elbasanin. Dëshira e banorëve ka qenë që të ishin të lidhur me qendrën e madhe të Shqipërisë së Mesme. Lart në male, në kufijtë e Gramshit shtrihet Sulova e Sipërme, një zonë e thellë malore. Ne zgjedhim të udhëtojmë në fshatrat në anë të Devollit, në komunën e Mollasit.
Të parët janë mësuesit
Shkolla e parë shqpe në këto anë është hapur në kohën e "nemces" në 1916, sikurse i thonë pleqtë këndej kohës së pushtimit austro-hungarez. Në Mollas, në qendër të komunës mbahet ende në këmbë një godinë e vjetër njëkatëshe, tashmë e braktisur. Në krah të saj është shkolla fillore dhe ca më tej një godinë e madhe që zhurmon nga nxënësit e shumtë. Eshtë shkolla e mesme e bashkuar. Sikurse na ndodh shpesh të parët miq që bëjmë janë mësuesit. Xhafer Sade dhe Alush Xheria janë drejtorë shkollash. Të dy janë sulovarë. I pari është drejtor në Selitë, fshati më jugor i komunës dhe i dyti në Linas. Të dy diskutojnë me zjarr për problemet e arsimit dhe të dy kanë dëshirë të na tregojnë shkollat e zonës. Kanë të drejtë të krenohen. Ndërsa vizitojmë shkollën e mesme të Mollasit nuk e ndjejmë veten fare në fshat. Vetë godina, veshja e nxënësve, rregulli, të gjitha këto na krijojnë përshtypjen e gabuar se jemi diku në ndonjë lagje qytetit, aq sa na vjen menjëherë dëshira që të futemi sa më thellë në fshat. Xhaferi dhe Alushi do të bëhen shoqëruesit tanë në krahinën e tyre.
Lapidarë të harruar
Në kohën e Zogut Mollasi ishte një krahinari (komunë) më vete. Godina ku rrinte krahinari dhe xhandarët është ende në qendër të fshatit. Tashmë e shndërruar në një shtëpi të thjeshtë banimi, ajo na bën përshtypje me arkitekturën e saj të veçantë. Krejt ngjitur me të lartësohet një lapidari. Ai përkujton dëshmorët e krahinës, por edhe një ngjarje të rëndë që ka ndodhur këtu në verën e 1944. Sulova duket se është përgjakur keq në vitet e trazuara të Luftës. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe me një krahinë "korridor" ku kalonin rrugët për në Gramsh, Elbasan, Dumre, Berat, Myzeqe. Pëllumb Gorica, sulovar ka botuar vetëm para pak koësh një libër fort të mirë mbi krahinën e tij. Vetëm disa pasazhe të shkëputura nga ky botim mund të na lejojnë të përfytyrojmë atë kohë kur shqiptarët nisën të vriten mes tyre: "Kadri Musai, ish drejtues partizan: …Dora e zezë e ballit vrau edhe xhandarin Fetah Devolli të postëkomandës së Mollasit, por i lidhur me LANÇL me anë të jevgut hyzmeqar të Rushan beut, kovaçit të fshatit Sherif Kanani. Hakun e tij e mori Batalioni i Myzeqesë duke e pushkatuar sipas ligjeve të luftës". Në marsin e 1944 disa korrierë partizanë, që sapo kishin kapërcyer Devollin në va, u pritën me krisma pushkësh. Njëri prej tyre u plagos. "Për ta rregulluar këtë punë" vjen në Sulovë vetë Mehmet Shehu me 200 partizanë të Brigadës I. Një njeri me influencë, Bexhet Cërriku, mbasi torturohet pushkatohet diku nga krahina e Oparit. La pas gruan shtatëzënë me fëmijën e parë. Kalvari i të birit dhe të shoqës së Bexhetit vazhdoi gjatë, deri në 1990. Disa muaj më vonë, është krahu tjetër që merr hak. Në qershor të 1944, njëzet partizanë që vinin nga Sulova e Sipërme u strehuan në Mollas. Çdo gjë dukej krejt në rregull. Porse papritur ata e panë veten të rrethuar nga një numër i madh kundërshtarësh të ardhur nga Berati. Plas batareja, katër partizanë mbeten të vrarë. Pikërisht për kujtim të tyre është lapidari ngjitur me godinën e vjetër të krahinarisë.
Para se të mbërrijmë në Mollas, kemi hasur në një tjetër lapidar. Në anë të fshatit Selvias, në mes të një fushe të pambjellë, ai i ngjan më shumë një kotësie se sa një objekti që përkujton diçka. Pllakat e tij të rrjepura prej kohësh dergjen mes barit. Sikur të mos ishin miqtë tanë nuk do ta merrnim vesh asnjëherë se përse njerëzia e kishin marrë mundimin të ndërtonin një diçka të tillë. Alushi, që është edhe historian, na tregon se kjo ngrehinë, tashmë e kotë në mes të fushës, ka tentuar tu kujtojë njerëzve se pikërisht këtu është vrarë një figurë shumë e njohur në Elbasan, mësuesi, gazetari, aktivisti, Sali Çeka. Ky ishte treguar shumë aktiv në ngjarjet e trazuar të qershorit 1924. Armik i betuar i Ahmet Zogut ai ishte arrestuar menjëherë sapo ishte vendosur "Legaliteti". Në ditën e parë të shkurtit të 1925 dy xhandarë po e shoqëronin për në vendin e internimit, në Berat. U tha se Saliu tentoi tu shpëtonte xhandarëve dhe ata kishin qenë të detyruar ta vrisnin. Por, si në çdo vrasje ku përzihet politika, e vërteta mbeti gjithnjë e fshehur. Mësuesi Sali Çeka ishte 33 vjeç, kur mbeti i vrarë në këtë anë të Sulovës së Poshtme. Vendi ku u vra quhej dikur "Arrat Binjake". Tani arrat nuk janë më dhe ka shumë gjasë që edhe mbetja e lapidarit të mos jetë më brenda pak kohësh dhe bashkë me të do të nisë të harrohet edhe kujtimi i vrasjeve politike. "Kështu e ka jeta", thotë njëri prej nesh duke kpaërcyer një kanal të vogël për të dalë në xhade.
Nga Mollasi shkojmë në Linas. Ky është një fshat i begatë i vendosur në shpatin e disa kodrave të buta që zbresin pak nga pak drejt luginës së Devollit. Udhëtojmë në një rrugë të gjerë. Ndonëse asfalti mbi të është një gjë e harruar, prapë se prapë është një rrugë e kalueshme lehtësisht edhe për makinat e ulëta. Miqtë tanë na thonë se kjo xhade është hapur në 1960. Atëherë u prit me hare të madhe. Deri asokohe e vetmja rrugë e përdorëshme kishte qenë një shteg shekullor, rrugë karvanesh që lidhte Elbasanin me Beratin.
Emri Linas diç na kujton nga fëmijëria jonë, por ndërsa endemic mes shtëpive të fshatit, e kemi të vështirë ta lidhim emrin e tij me një ngjarje konkrete. Na vjen në ndihmë Alushi. Pasi kemi vizituar edhe shkollën fort të mirë që ai drejton, Alushi na pyet: Mos e keni fjalën për heronjtë e Linasit? I ka rënë pikës. Tani na kujtohet gjithshka. Në fundin e viteve ‘60 Enver Hoxha, ca nga që asokohe e besonte edhe vetë dhe ca se "ashtu ia donte puna" nisi të imitonte Revolucionin Kulturor Kinez dhe "heroin" e tij Lei Fen. Nuk duhet të ketë qenë e vështirë. Viktima të aksidenteve në punë kishte sa të duash. Kështu fatkeqët e ngratë e shndërruan befas në "heronj të punës socialiste" dhe vargani i pelegrinëve, që shkonin për të nderuar vendin ku ata vdisnin, krijohej menjëherë sapo propaganda e përhapte lajmin e vdekje-lindjes së një heroi të ri. Në fund të viteve ‘60 në Linas kalonin tuba të trashë nafte. Ata lidhnin vendburimet e Kuçoës me rafinerinë e përpunimit të thellë të Cërrikut. Gjatë rrugës kishte stacione pompimi dhe pastrimi. Pikërisht një i tillë ishte në Linas. Nw shkurtin e 1967 dy heronj fatkeqë, Muhamet Shehu dhe Myrteza Kepi, morën flakë gjatë një përpjekjeje për të shuar një zjarr të papritur. Vdiqën pas plagëve të rënda. Menjëherë pas ngjarjes nisi rituali i paracaktuar. Më kot kërkojmë bashkë me miqtë tanë ndonjë shenjë të kësaj ngjarjeje. "Ja atje, përtej ka ndodhur", na thotë Alushi duke bërë me gisht drejt një pike të pacaktuar në fushën në anë të Devollit. Tashmë nuk ka më as lapidar, as stacion dhe asnjë shenjë nga lavdia e fatkeqëve. Në vend të tyre shohim disa shtëpi të reja, që banorët e ardhur nga malet e Gramshit kanë nisur të ndërtojnë mbi tokën e butë.
Fotografi dhe "diversanti"
Pajazit Senja punon që prej 35 vjetësh fotograf. Me të miqësohemi shumë shpejt sikurse mund të afrohet kolegu me kolegun. Pajaziti është dëshmitar i të gjitha ngjarjeve më të rëndësishme që ka kaluar krahina e tij në dekadat e fundit. Dasma, festa, mbledhje, portrete, ndërtime, peisazhe, të gjitha janë të sistemuara në arkivin e tij të madh. Eshtë, si të thuash, "syri i madh" i Sulovës, ai që mundohet të mos i shpëtojë asnjë gjë. E harrojmë fshatin teksa shkojmë në dyqanine tij në qendër, krejt mbas një godine të harruar, ish-muzeut të Sulovës. Në mes të kompjuterave, paisjeve të ndërlikuara dhe fotove të ekspozuara e ndjejmë veten njësosj si në ato dyqanet tona në Tiranë, kur shkojmë të stampojmë fotografitë. Pajaziti nuk është tip që flet shumë. Vë buzën në gaz me çudinë tonë dhe portreti i tij i heshtur duket sikur na thotë: E përse u çuditët kaq shumë o djema? Tani çdo gjë është bërë më e thjeshtë, jo si në kohën tonë.
Pajaziti, me sa duket gjithnjë i dhënë pas teknikës, aparatin fotografik e ka zënë me dorë në kohën kur ishte ushtar në Vaun e Dejës. Asokohe atje punonin kinezët dhe "kutia magjke" që ata mbanin në dorë e ka tërhequr fort ushtarin nga Sulova. "Fillova të bëj fotografi si dija vetë, por ende nuk isha bërë fotograf. Këtë e dija mirë - vazhdon të tregojë historinë e tij - por fati deshi që të bëja fotografi në dasmën e një oficeri të lartë në Kuçovë. Në shtëpinë e tij gjeta një manual për fotografinë dhe për larjen e filmave. Me atë libër mësova. Solucionet e para i kam bërë vetë. Blija kimikate në Elbasan dhe kështu, pak nga pak…". Kjo "pak nga pak" ka vazhduar për 35 vjet me radhë deri sa stafetën e të jatit e mori djali, Edi.
Nga Linasi marrim udhën për në Selitë. Ky është skaji më jugor i komunës. "Edhe 5 kilometra dhe dalim në Kuçovë", thotë qetësisht një prej miqve tanë, njësoj sikur të thotë një gjë të njohur prej të gjithëve. Selita është e lidhur më shumë me Beratin, Kuçovën, me të gjithë zonën që ka në kufirin jugor. Pajazitit i kujtohet një histori që është e lidhur me aerodromin ushtarak të Kuçovës: "Ne me avionët ishim mësuar, sepse mbi fshatrat tona bëheshin fluturimet mësimore. Kështu që zhurma e tyre nuk na bënte edhe aq përshtypje. Por një ditë, duhet të ketë qenë fundi i viteve ‘60, ishim në qendër të Mollasit me disa shokë duke luajtur domino. Dëgjuam një zhurmë të madhe dhe para këmbëve tona u përplas kabina e një avioni. Nuk shkoj shumë dhe, të trembur siç ishim, pamë një parashutist teksa zbriste nga qielli jo shumë larg nesh. ‘Diversant!‘ i shkoi mendja njerëzisë dhe u turrën me të mëdhenj e të vegjël, dikush me pushkë e dikush me cfurk, që ta zinin të gjallë. Por ai foli shqip: Jam i Kuçovës, me ndihmoni se kam thyer këmbën. Ky kishte qenë instruktori i një avioni me difekt. Gjatë një fluturimi mësimor bashkë me nxënësin e tij avionit i kishte fluturuar kabina. Mësuesi ishte hedhur me katapultë, ndërsa nxënësi kishte arritur ta ulte avionin sërish në pistë. Ky nxënësi u lavdërua, ndërsa ‘diversanti‘ ynë u dënua me 12 vjet burg. Kishte braktisur pasurinë socialiste. Kështu thuhej asokohe".
Me hoxhë efendinë
Në Selitë na shoqëron Xhaferi, drejtori i shkollës. Fshati e ka një qendër me shkollën dyqanet, lokalet. Krejt në krah të tyre lartësohet një godinë e verdhë, aq e verdhë sa që ia kalon edhe gjetheve të vjeshtës së tretë. Kjo është xhamia e re e Selitës. Xhamia është krejt e heshtur. Disa djem të rinj që pyesim ngrenë supet, njësosj sikur të mos kenë asnjë lloj lidhjeje me këtë godinë që lartësohet krejt afër lokalit ku po rrinë. Bëjmë si bëjmë dhe bashkë me Xhaferin marrim guximin të trokasim në portën e shtëpisë së hoxhës së fshatit. Nuk vonon shumë dhe në portë jepet vetë Aqif Efendiu, 85-vjeçar, hoxha i Selitës. Aqif efendiu i përket një familjeje hoxhallarësh që prej tre brezash. Sikurse i takon, në fillim na bën një predikim të gjatë se vetë Allahu e di fare mirë se çfarë bën me njerëzit. Për ta ilustruar mendimin me shembuj praktikë na rrëfen edhe një histori se si para disa kohësh "Allahu i kishte marrë gojën" dhe se si asnjë mjek nuk po i "bënte derman". Atëherë Aqif efendiu ishte falur gjatë dhe kishte thënë me vete: O Allah ti që ma dhe, ti edhe ma merr, kjo është mnçuria jote elham-dyrylah. Por ama nëse të duhem prapë me gojë atëherë ma kthe. Shih e bëj. "Pas dy ditësh u bëra prapë si më parë. Allahu e kishte gjykuar të drejtë që unë të kisha edhe disa kohë gojë për të folur me njerëzit. Kështu janë këto punë. Po kujt ia thua se?! Këndej, nga anët tona, po kemi gjithnjë e më pak besimtarë. Myslimanë janë për të qënë, por as nuk vinë në xhami, as nuk agjërojnë për Bajram, pinë raki me opingë. Keq puna me këta të rinjtë", thotë hoxha duke parë me sy kritik nga Xhaferi.
Aqif efendiu na fton në xhami. Ka orarin për tu falur. Rrimë dhe e dëgjojmë një copë herë teksa thotë disa fjalë arabisht, të cilat sigurisht nuk i marrim vesh. Bashkë me hoxhën janë edhe dy mbesat dhe nipi i tij. Bajamja, mbesa e madhe, vihet pak në siklet kur ne i shohim një goxha kryq që mban në qafë. Si të gjitha vajzat e fshatit i fshihet aparateve tona dhe nuk di të përgjigjet kur e pyesim se përse mban kryq. I vëllai, Aliu i vogël nuk i ndahet gjyshit. E shikon gjysmë me admirim dhe gjysmë me të qeshur teksa ai flet në një gjuhë të panjohur për të. Mbi qafë i varet, i njejti kryq si i motrës. Vetëm pak orë më parë në qendër të komunës në Mollas, ishim çuditur me një goxha kishë që lartësohej në krah të xhamisë. Në të gjithë Sulovën nuk gjen dot asnjë të krishterë për be. Një murgeshë katolike na kishte përshëndetur me mirësjelljen tradicionale teksa po shoqëronte fëmijët e kopshtit që kisha subvencionon atje. Që ta sqarojmë mirë këtë punën e fesë, apo të feve tashmë, në Sulovë do të na duhet të rrimë gjerë e gjatë me Aqif efendiun, por ai është aq i zënë në përshpirtjet e tij sa që vendosim t‘i mbyllim blloqet tona.
Dielli ka nisur të bierë matanë Dumresë. Devolli është bërë si i argjendë nën ndriçimin e rrezeve të ulta. Brenda diçka më pak se gjysmë ore kapërcejmë sërish Devollin, kufirin e vërtetë mes Gegërisë dhe Toskërisë.
Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Pëllumb Gorica, Sulova e Poshtme në shekuj, "Ada". Tiranë 2009.