Fyle - Metës: Zgjidhni krizën politike

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, ka deklaruar se Shqipëria ka bërë progres me vizat
BRUKSEL - Komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, i ka kërkuar dje zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, se Shqipëria duhet të zgjidhë krizën politike, nëse kërkon që të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe nëse do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
Këtë qëndrim, Fyle e shprehu në një prononcim për mediat pas takimit të tij në Bruksel me kreun e diplomacisë shqiptare, kur ky fundit mori pjesë edhe në një seancë dëgjimore, që është zhvilluar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Megjithëse, ka vlerësuar progresin e deritanishëm të Shqipërisë dhe opinionin e Komisionit Europian mbi procesin e liberalizimit të vizave, Fyle theksoi se janë disa parakushte që Shqipëria duhet t'i përmbushë përgjatë procesit të përbashkët të Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian, për të dhënë më pas edhe rekomandimet mbi heqjen e vizave.
Duke vlerësuar plotësimin dhe dorëzimin e Pyetësorit nga ana e Shqipërisë, komisioneri për Zgjerimin Europian, specifikoi se Shqipëria duhet të ndryshojë situatën e saj politike, në një kohë kur e presin përpara sfidat e integrimit në Bashkimin Europian. "Ka një vlerësim tashmë që është ndarë me vendet anëtare dhe me Parlamentin Europian.
Më duhet të them se është një vlerësim i mirë, i cili evidenton progresin e shkëlqyer që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit. Janë ende dy-tre çështje, të cilat duhet të adresohen, por mendoj se janë parakushte, të cilat, le të themi se do të përmbushen përgjatë (njëkohësisht) procesit të përbashkët të Parlamentit Europian dhe Këshillit Evropian gjatë këtij viti, për të konsideruar rekomandimet relevante të Komisionit, të cilat janë bazuar mbi këtë vlerësim shumë të mirë.
Një punë e madhe është bërë me plotësimin e Pyetësorit, por duhet të ndryshoni situatën politike", - tha dje Fyle. Komisioneri për Zgjerimin Europian ka përsëritur edhe mënyrën e zgjidhjes së krizës politike. Sipas tij, zgjidhja e krizës duhet t'u referohet dy elementëve themelorë demokratikë; transparenca dhe Kushtetuta.
Fyle dhe Meta biseduan gjithashtu mbi zhvillimin rajonal, duke sjellë në vëmendje edhe konferencën e Sarajevës, ku mendohet të merret një vendim politik nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. "Kemi folur patjetër rreth planeve për Konferencën e Sarajevës në Qershor, sepse përveç afirmimit të perspektivës europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo Konferencë do të fokusohet midis të tjerave në aspektin rajonal", - u shpreh Fyle.
Ndërkohë që disa raporte të publikuara së fundmi nga organizata dhe nga institucionet kryesore të Bashkimit Europian kanë evidentuar probleme, duke vënë në dukje se këto dy vende kanë plotësuar pjesërisht blloqet e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.