E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në shesh, zbardhet projekti i PS-së

Selia rozë ka përcaktuar strategjinë e saj për mënyrën e organizimit dhe synimet që do të kërkojë të arrijë nëpërmjet tubimit


TIRANË - Protesta e 30 prillit do të jetë fillimi i një përpjekje të vazhduar për rrëzimin e qeverisë nëpërmjet paralizimit të jetës ekonomike të vendit.


Selia rozë ka përcaktuar strategjinë e saj për mënyrën e organizimit dhe synimet që do të kërkojë të arrijë nëpërmjet tubimit që do të nisë në mbrëmjen e së premtes dhe do të vijojë edhe gjatë 1 majit, ku paraprakisht është vendosur që mund të bllokohen të gjitha akset hyrëse dhe dalëse nga kryeqyteti për të paralizuar trafikun dhe të gjitha shërbimet e tjera publike.


Organizimi


Strukturat e organizative të Partisë Socialiste në qendër në bashkëpunim edhe me deputetët dhe degët lokale kanë nisur mobilizimin e të gjitha kapaciteteve të tyre me qëllim që protesta e 30 prillit të jetë më e madhja e organizuar ndonjëherë nga opozita shqiptare.


Kështu, krerët lokal të partisë dhe deputetët e qarqeve respektive kanë marrë së fundi udhëzime të qarta për një organizim perfekt të qytetarëve që kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në mitingun që do të nisë të premten.


Për këtë arsye, ndaj tyre janë rritur kërkesat për të sjellë më shumë protestues sesa sollën në protestën 3 ditore të nëntorit të shkuar. Burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar se në shesh ditën e premte do të jenë të pranishëm rreth 30 deri në 40 mijë protestues më shumë.


Pas transportimit nga rrethet respektive, protestuesit do të mblidhen fillimisht në sheshin "Skënderbej" për t'u zhvendosur gradualisht drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit", i cili synohet të mbushet tërësisht në segmentin nga Ministria e Brendshme deri tek kryeministria, ku dhe do të vendoset dhe podiumi.


Ndërkohë që degët e PS-së së kryeqytetit janë angazhuar që, ashtu si edhe herët e shkuara, t'i përqendrojnë mbështetësit e tyre në pjesët përbri bulevardit dhe që do t'i bashkëngjiten turmës gjatë zhvendosjes së saj drejt kryeministrisë.


Natyrisht, në bulevard protestuesit e çdo qarku do të kenë vendqëndrimin e tyre në mënyrë që organizimi i tyre të jetë sa më i kontrollueshëm dhe i lehtë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se për këtë miting janë marrë edhe të gjitha masat me organet e rendit, të cilat janë njoftuar për protestën. Nuk dihet nëse policia ka dhënë pëlqimin e saj për ditën e dytë të protestës, e cila përkon dhe me "koncertin" festiv që organizon PD-ja në sheshin "Nënë Tereza" në formën e një antimitingu.


Bllokimi


Qëllimi i protestës së datës 30 prill përveç sensibilizimit të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me shqetësimet që ka opozita lidhur me mosbërjen e hetimit të zgjedhjeve dhe thellimit të krizës ekonomike të vendit do të jetë dhe një detyrimi i qeverisë për të pranuar zgjidhjen e krizës nëpërmjet hapjes së kutive.


Në funksion të këtij qëllimi, është menduar që ky tubim të prodhojë edhe një reagim politik, duke bllokuar aktivitetin qeverisës. Kështu, e premtja do të shërbejë për të zhvilluar një manifestim të madh politik, për të shprehur publikisht pakënaqësitë ndaj qeverisjes, ndërsa e shtuna që përkon me 1 Majin do të kthehet në një protestë të vërtetë në çdo rrugë të kryeqytetit.


Të njëjtat burime bëjnë të ditur se krerët lokal të partisë kanë vendosur disa piketa, ku një ndër to mund të jetë edhe bllokimi i akseve kryesore hyrëse në Tiranë, me qëllim paralizimin e trafikut dhe për pasojë edhe shërbimeve të tjera publike. Nuk dihet nëse ky veprim do të ketë për qëllim që të bëjë të pamundur edhe transportimin e mbështetësve të djathtë, të cilët nga ana tjetër janë organizuar nga rrethet për të marrë pjesë në koncertin e 1 Majit në sheshin "Nënë Tereza".

*************************

Partia Socialiste kërkon nga forcat e rendit që të ruhet qetësia dhe siguria me 1 maj

PD, festë tek sheshi "Nënë Tereza", PS: Është provokim

TIRANË - Partia Socialiste kërkon nga forcat e rendit që të ruhet qetësia dhe siguria ditën shtunë, ku do të zhvillohen fare pranë njëra-tjetrës protesta e PS-së përballë kryeministrisë dhe festa e PD-së në sheshin "Nënën Tereza".

Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, e ka cilësuar "festën" e PD-së një provokim të hapur nga kjo parti. "Në datën 1 maj do të ketë edhe një manifestim të PD-së, një provokim i hapur ky i protestës së PS-së. Do të duhet të jenë edhe forcat e shtetit që duhet ta tregojë veten se është i pavarur, të mos e tregojë veten palë me asnjë nga grupimet e datës 1 Maj, të paktën.


Protesta jonë do të jetë e vazhdueshme pa fund dhe padyshim ne do të kërkonim atë çka na takon me ligj, atë çfarë na takon si taksapagues i rregullt i këtij shteti që policia dhe shteti të bëjnë detyrën e tyre për të siguruar protestën tonë", - tha Klosi.


Deputeti i PS-së theksoi se protestuesit socialistë do të qëndrojnë në shesh pa limit, deri kur të vijë një përgjigje për hapjen e kutive apo për largimin e kryeministrit Sali Berisha.


"Protesta do të fillojë ditën e premte pasdite, ku do të marrin pjesë më shumë se në datën 20 nëntor dhe do të mbarojë duke protestuar në mënyrë paqësore, kur protestuesit të kenë përgjigje nga qeveria, të kenë reagim qeveritar, të kenë reagim të mazhorancës, reagim të Sali Berishës për të hapur kutitë ose për të balancuar krizën politike në vend", - tha Klosi. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat organizative që në 30 prill, protestuesit të jenë më shumë se 100 mijë vetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›