E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Dule e Ndoka mbështesin PS-në

Protestës së PS-së, që synon në thelb transparencën e zgjedhjeve, do t'i bashkohen edhe parti të tjera të majta, por edhe të djathta. PBDNJ e PDK vendosin zyrtarisht për të qenë nesër në protestë


TIRANË - Në kuadrin e protestës së 30 prillit për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, krerët e koalicionit të opozitës së majtë, por edhe parti të djathta kanë kërkuar që qytetarët shqiptarë t'i bashkohen kësaj proteste në emër të votës së lirë dhe transparencës së zgjedhjeve.


Një nga aleatët e Partisë Socialiste, Vangjel Dule, i cili drejton Partinë "Bashkimi për të Drejtat e Njeriut" theksoi dje se protesta e afërt nuk është një manifestim partiak, por një protestë që bëhet në emër të votës së lirë dhe vendosjes së demokracisë legjitime. Edhe Këshilli Kombëtar i PDK-së ka vendosur dje që t'i bashkohet zyrtarisht protestës së PS-së që do të mbahet nesër në sheshin "Skënderbej"


PBDNJ


Sipas kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, motivi i gjithë kësaj proteste është rikthimi dhe vendosja e votës së lirë, si dhe transparenca e zgjedhjeve të fundit parlamentare.


"Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dëshiron të ftojë ditën e premte jo vetëm anëtarët, simpatizantët dhe dashamirësit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, apo të forcave të tjera që mbështesin kauzën e votës së lirë, por të gjithë qytetarët.


Nuk është një manifestim partiak, është manifestimi më fisnik që është organizuar, që pas rënies së sistemit komunist në vendin tonë. Motivi i tij përbën thelbin e shoqërive të civilizuara, është motivi i votës së lirë, i transparencës, i demokracisë", - tha dje Dule gjatë konferencës për shtyp.


Ai vuri në dukje se kjo protestë e opozitës, jo vetëm që kërkon të nxjerrë vendin nga kriza politike, por për ta nxjerrë atë edhe nga rënia e vazhdueshme ekonomike. "Kërkohet zgjidhje, e cila do të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, do të nxjerrë vendin nga rrënimi i vazhdueshëm ekonomik", - u shpreh Dule.
PDK


Edhe Partia Demokristiane do t'i bashkohet nesër protestës së Partisë Socialiste në sheshin "Skënderbej". Këshilli Kombëtar i PDK-së ka marrë këtë vendim, ndërsa vlerësuan edhe projekt-programin e PS-së, ku garantohet mbështetje për ish të përndjekurit dhe ish-pronarët.


Gjatë kësaj mbledhje, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, bëri një analizë të zgjedhjeve të fundit politike, duke denoncuar edhe një herë manipulimin e zgjedhjeve që dëmtuan rëndë përfaqësimin, sipas tij, të kësaj partie. Ndoka shtoi se PDK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me opozitën për zbardhjen e së vërtetës të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe largimin e kësaj mazhorance nga qeverisja.


"Kjo mazhorancë erdhi në pushtet duke dhunuar votën e lirë të qytetarëve dhe çdo ditë e më shumë po thellon krizën politike dhe ekonomike në vend me keqqeverisjen dhe vendosmërinë e saj për të bllokuar me çdo kusht hapjen e kutive të votimit dhe hetimin ligjor të zgjedhjeve", - tha Ndoka. Ai theksoi se PDK-ja pavarësisht bashkëpunimit me partitë e opozitës së majtë, ruan identitetin dhe programin e saj politik.


Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDK-së që nga sot e tutje do të quhet Asamble Kombëtare, u vendos edhe hapja e partisë ndaj intelektualëve dhe figurave me kontribute politike dhe publike, duke synuar që të rrisin nivelin e përfaqësimit të vlerave demokristiane në skenën politike shqiptare.


Kryesocialisti Edi Rama vijoi turin derë më derë në njësinë numër 2 të kryeqytetit

Protesta, Rama fton qytetarët e Tiranës

TIRANË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka ftuar dje qytetarët e njësisë numër 2 në kryeqytet që të protestojnë nesër në sheshin "Skënderbej". Gjatë turit derë më derë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në afërsi të Liceut Artistik, ku gjatë takimeve spontane me banorët e zonës, kryesocialisti i ka ftuar ata të marrin pjesë në valën e re të protestave që, sipas Ramës, do të karakterizohen nga rezistenca qytetare.


Banorët kanë shfrytëzuar takimin me kreun e opozitës për t'i shprehur atij shqetësimet për rritjen e papunësisë, faturave të ujit, energjisë dhe përkeqësimit të jetesës. Ndërsa kryetari i opozitës ka deklaruar së zgjidhja është pikërisht transparenca. "Pasnesër (nesër) në orën 18:00 në sheshin "Skënderbej", për një protestë të madhe, për një rezistencë të fortë të pandalshme që të bëhet transparenca, se të gjitha këto të këqija e kanë aty burimin.


Se më e keqja është kur qeveria ta merr votën e nuk do t'ia dijë më për ju. Se votën ta merr e ju si duheni më. Nuk të dëgjon, nuk të shikon e të merr me vete në humnerën e borxheve, sepse në fund të fundit karrigen e vet e merr. Që kjo mos të ndodhi më, duhet të protestojmë", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›