Fyle-Berisha: Angazhim i plotë i qeverisë, për zgjedhjet e 8 majit

Anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha ndërsa priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri – KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së.
Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.
Komisioneri Fyle i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE.
Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin proaktiv të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi dhe i rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarish.