E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi:Dialogu konstruktiv, garanti i stabilitetit

“Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin në familjen evropiane dhe se do të gjejë vullnetin e duhur për të përmbushur standardet e kërkuara, si tregues të angazhimit të pandërprerë jo vetëm të institucioneve të shtetit, por dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë integrimin evropian”. Kështu deklaroi Presidenti Bamir Topi ndërsa priti sot në një takim të veçantë në Presidencë, Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle. Në këtë takim, Fyle shoqërohej nga anëtari i Kabinetit, Klaus Giring dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.

Presidenti Topi ritheksoi qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv dhe me tone të qeta mes palëve është garanti i stabilitetit dhe i funksionimit të drejtë të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura të tij. Në këtë kuadër, Topi shprehu besimin se “me vullnetin e duhur të partive politike dhe angazhimin serioz të tyre, duhet të ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 të realizohen me sukses të plotë, që të jenë të drejta, korrekte dhe sipas standardeve demokratike evropiane, dhe në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle shprehu interesin e veçantë për këtë takim me presidentin Topi dhe rivlerësoi rolin e tij moderator e konstruktiv edhe në momente delikate të jetës politike dhe të institucioneve të pavarura të vendit. Komisioneri Fyle theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.

Komisioneri Fyle, duke sjellë në vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR-it drejtuar partive politike për gjetjen dhe ruajtjen e dialogut politik mes tyre, vuri në dukje se “sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje të lirive thelbësore të njeriut, të shtetit të së drejtës, të pronës, forcimit të demokracisë, lirisë së medias, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›