E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Europa është ajo çka duan shqiptarët

TIRANË-Komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Stefan Fyle me rastin e 9-majit, ditës së Europës, u ka kushtuar shqiptarëve një mesazh urimi. Duke iu referuar vizitës së fundit në vendin tonë pak javë më parë, ku mori pjesë në konferencën "Thjesht Bashkimi Evropian", komisioneri Fyle është shprehur i prekur nga mikpritja e ngrohtë që i është bërë nga qytetarët shqiptarë dhe nga diskutimet e gjalla që pati mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Sot, në Ditën e Evropës, kur festojmë synimet themeluese dhe parimet e Evropës, po ju drejtohem sërish për t’ju siguruar se besoj fort në vendin e Shqipërisë në Evropë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Fyles.

Ai vazhdon më tej duke thënë se: “Me zhvillimin e tij, Bashkimi Evropian u ka mundësuar njerëzve të tij të shijojnë një periudhë të paprecedent paqeje dhe prosperiteti. Me gjithë vështirësitë e kohëve të fundit, Evropa vazhdon të jetë një burim frymëzimi me vlerat dhe standardet e saj të jetesës, dhe në rastin e zgjerimit, edhe me pushtetin transformues që sjellin reformat dhe ndryshimet që nevojiten për arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e jetës”.

Nëpërmjet mesazhit, ai ka vlerësuar se integrimi evropian do të sjellë përmirësime të mëdha jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në luftën kundër korrupsionit dhe në menaxhimin e shëndetshëm financiar, por gjithashtu edhe në mbrojtjen sociale dhe perspektivat e punësimit, në sigurinë e ushqimit dhe mjedisit, duke përmirësuar kështu në mënyrë radikale cilësinë e jetës së njerëzve.

“Pasi dëgjova mendimet e shqiptarëve në konferencën "Thjesht Bashkimi Evropian", jam më i bindur se kurrë se Evropa është ajo çka duan shqiptarët, dhe se është entuziazmi dhe motivimi i popullit shqiptar që do ta shtyjë përpara Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, thekson ai.

Në përfundim, Fyle ka siguruar se BE-ja është e angazhuar të ndihmojë shqiptarët për arritjen e aspiratave të tyre evropiane.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›