Fyle: Fushata parazgjedhore nuk përbën justifikim për uljen e ritmit të punës për reformat integruese
Kreu i LSI takon në Bruksel Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle. Meta: “Mendoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të fituar mundësisht edhe një ditë, për të mos thënë edhe një muaj, në këtë proces. Është një proces i rëndësishëm për Bashkimin Evropian por është akoma më i rëndësishëm për ne që duam të anëtarësohemi në BE”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u prit në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Stefan Fule ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, me fokus të veçantë në avancimin sa më të shpejtë të axhendës evropiane të Shqipërisë, mbarëvajtjen e procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe në rolin që Shqipëria luan në rajon.
Ilir Meta dhe Stefan Fule ndanë bindjen e përbashkët se axhenda evropiane e Shqipërisë duhet të mbetet prioriteti kryesor i të gjitha forcave politike në vend, duke theksuar rendësin e rritjes së angazhimit politik të të gjitha palëve, dhe te realizimit te një procesi elektoral te drejte e te ndershëm.
Nga ana e tij Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë Stefan Fyle ka ripërsëritur rëndësinë e përgatitjes dhe mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit.
Në takimin me Kryetarin e LSI-së Ilir Meta në Bruksel, Komisioneri Fyle ka theksuar se zgjedhjet janë një test kyç për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. “Është thelbësore që liderët politikë të luajnë rolin e tyre që të bëjnë të mundur që zgjedhjet të jenë në linjë me standardet ndërkombëtare, për të përmirësuar besueshmërinë dhe stadin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë llogaridhënien e politikanëve përballë shqiptarëve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet është e rëndësishme të sigurohet pjesëmarrja më e lartë e mundshme e votuesve dhe kthimi në agjendën evropiane shumë shpejt pas zgjedhjeve”, theksoi Komisioneri Fyle.
Komisioneri Fyle gjithashtu shtoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në axhendën e saj evropiane. “Periudha aktuale e fushatës parazgjedhore nuk përbën justifikim për të ulur ritmin e punës për reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian dhe si qeveria ashtu edhe opozita duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për ta sjellë Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian”, shtoi Fule.
Ndërkohë, kreu i LSI-së Ilir Meta shprehu angazhimin e LSI për një politikë konstruktive dhe bashkëpunuese në vend për të avancuar axhendën e integrimit para dhe pas zgjedhjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Pas takimit me Komisioneri Evropian për Politikën e Zgjerimit Stefan Fyle kreu i LSI Meta është pyetur nga gazetarët për temat e takimit dhe çështjen e diskutuara mes tyre. Sipas kreu të LSI përfaqësuesit e BE, “janë shumë të interesuar që Shqipëria të realizojë zgjedhjet e standardeve më të larta dhe do të japin edhe ata angazhimin dhe kontributin tyre për të nxitur realizimin e këtyre standardeve. Natyrisht që kjo është edhe një çështje e vullnetit tonë politik për të respektuar rregulla e lojës që i vendosim vetë dhe mbi të gjitha për të respektuar votën e qytetarëve me një proces transparent parazgjedhor, zgjedhor dhe postzgjedhor, dhe për të pranuar rezultatet”.
Më pas theksoi kreu i LSI Meta, “kemi diskutuar lidhur me rëndësinë e dhënies së impulseve të reja procesit të integrimit europian të vendit përpara zgjedhjeve, por njëkohësisht edhe pas tyre, ashtu sikurse kemi vlerësuar se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë. Mendoj se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të fituar mundësisht edhe një ditë, për të mos thënë edhe një muaj, në këtë proces. Është një proces i rëndësishëm për Bashkimin Evropian por është akoma më i rëndësishëm për ne që duam të anëtarësohemi në BE”.
Kreu i LSI-së ju përgjigj edhe interesimit të mediave.
Kur flisni për përshpejtimin e procesit integrues, impulset e reja apo reformat integruese, a keni parasysh dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë apo kushtin e një gjyqësori të pavarur, pa ndikime nga politika?
Unë i kam parasysh të gjitha ato kërkesa, të cilat janë konsideruar si një minimum, por edhe gjithë të tjerat të cilat bëjnë fjalë për standarde më të larta në të gjitha fushat dhe në të gjitha aspektet.
Cili është komenti juaj në lidhje me kritikat e perëndimit për retorikën nacionaliste?
Mendoj se politika e jashtme e Shqipërisë nuk ka ndryshuar, ajo nuk mund të ndryshojë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë shembulli më pozitiv i politikës së fqinjësisë së mirë. Një Shqipëri që e merr statusin e vendit kandidat është edhe më kredibile për ta luajtur këtë rol më me efikasitet në të gjithë rajonin