Rrumpallë në PS, si vetë jeta e Ramës
Baza socialiste s’po i pranon prurjet 99-she të Edi Ramës, dhe publikisht po i shndërron ata në objekt talljeje. Erion Braçe e Arben Isaraj tallen me edvinistët, duke i quajtur uzurpatorë, kurse Asllan Dogjani e quan Ramën hakmarrës. Edhe më denoncuese është situata me kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini, i cili e akuzon kryetarin e tij se po nxit elbasanasit që të mos paguajnë taksat vendore. Përballë gjithë kësaj rrumpalle, qendron Edi Rama, të cilit gjendja i duket normale, pasi vlera e vetme që ai po i sjell të majtës është kaosi
Kryeneçësia e Edi Ramës për të bërë si të dojë në Partinë Socialiste po kap kufijtë maksimalë të keqpërdorimit të neneve të statutit të ashtuquajturës organizatë vullnetare. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shkarkoi brenda ditës 10 kryetarët e grupeve të detajimit të programit të miratuar nga Asambleja Kombëtare për paaftësi. Asambleja Socialiste me datë 2 dhjetor 2011 përveç përbërjes së kryesisë dhe sekretarit të PS kishte miratuar 21 kryetarë të grupeve të punës që do të merreshin me detajimin e programit sipas tematikave, por vetëm gjysma e tyre prezantoi programin, të ndarë në panele të ndryshme në Konventën dy ditore, ndërsa të tjerët, edhe pse kanë drejtuar këto grupe, janë përjashtuar në këtë paraqitje. 10 të përjashtuarit për paaftësi janë Merita Qato, për Çështjen e Pronës, Adriana Berberi, për Politikat Fiskale, Andis Harasani, për Energjinë, (i larguar në SHBA), Ilir Zela, për Telekomunikacionin, Ilir Gjoni, për Rendin Publik (zëvendësuar nga Sajmir Tahiri), Shega Ligori, për Shtetin e së Drejtës (zëvendësuar nga Vasilika Hysi), Iris Luarasi, për Mediat (zëvendësuar nga Alfred Peza), Kiço Londo, për Menaxhimin e Kulturës (zëvendësuar nga Auron Tare) dhe Marko Bello, për Shërbimin Diplomatik (zëvendësuar nga Ditmir Bushati) nuk u ftuan nga organizatorët e Konventës për programin. Po kështu interesante ishte marrja e postit të Kosta Barjabës nga ana e deputetes Eglantina Gjermeni, e cila e ka zëvendësuar drejtuesin e grupit për Çështjet Sociale, pas incidentit me drejtësinë amerikane në Kaliforni.
Kjo do të thotë se këto 10 personalitete të përjashtuar nga shpalosja e programit nuk do të jenë në listat e preferencës nën pragun e sigurisë për deputetë të PS. Nëse Edi Rama shkarkon me një të rënë të lapsit 10 kryetarët e dalë nga Asambleja Kombëtare e PS, kjo do të thotë se ai mund të bëjë çfarë të dojë si me anëtarët e kryesisë po ashtu me Sekretarët e Partisë Socialiste.
Këtë gjë e kanë kuptuar edhe anëtarët e tjerë të kryesisë së PS, si Asllan Dogjani, Arben Malaj, Arben Isaraj e Erjon Braçe, për të thënë ca emra që do të jenë jashtë listës për deputet.
Ndërkohë këto shkarkime vijnë në një moment kur disa deputetë socialistë i kërkojnë kryetarit të respektojë rolin e kryesisë dhe statutin në përzgjedhjen e emrave për listën e deputetëve që do të garojnë ne zgjedhjet e 23 qershorit.
Menjëherë pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar Asllan Dogjani, deputet Kukësit theksoi për mediat se në këtë proces po shmangen institucionet partiake.
Por kritikat në adresë të lidershipit socialist vijojnë edhe nga deputetët Erjon Braçe dhe Arbej Isaraj. Përmes një dialogu në “Facebook” mes të dyve ironizohen personazhet e reja të promovuar në Partinë Socialiste, disa prej të cilëve tashmë janë prezantuar si kandidate për deputetë.
Në një kohe që Erion Braçe i kërkonte Arben Isarajit një reagim duke shkruar “Fol e mbro të drejtat tona”, Isaraj përgjigjet me ironi “Ata që më parë ishin miqtë e rinj të PS-së, sot po përpiqen të largojnë kontribuuesit e kësaj partie”.
Me tej Isaraji shkruan: “Para disa kohësh ftuam disa miq në shtëpinë tonë politike, por ata ndryshuan ngjyrën e shtëpisë, oborrin, derën, dritaren dhe dhomat”.
Këto pakënaqësi të deputetëve të PS në rrjetet sociale janë veçse maja e ajsbergut të pakënaqësisë së personaliteteve të ndryshme socialiste që janë lënë jashtë dere. Sidoqoftë një gjë është e sigurt në këtë lëvizje të fundit të Edi Ramës përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit: ai po nxjerr jashtë partisë çdo njeri “që nuk ka të bëjë me të”.
Edi Rama kërkon një parti të pastër në sinkron me xhevahiret që nxjerr nga goja. Por kjo sjellje e Edi Ramës me socialistët me kontribute në PS na jep edhe standardin më të ulët që po përdoret për të hequr qafe ca “opozitarë” të brendshëm. Dëmi elektoral për PS pas kësaj sipërmarrje të nxituar të Edi Ramës do të duket në zgjerimin e hendekut të humbjes.