“Rama si Enveri, s’do t’ia dijë për asnjeri”
Reagimi i deputeti, Asllan Dogjani
Deputeti i Partisë Socialiste në Kukës, Asllan Dogjani ka reaguar pas prezantimit të Edi Rama të kandidatit për deputet në Kukës për zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit.
Sipas Dogjanit, Rama me veprimin e sotëm tregoi arrogancën e tij dhe dha provën se nuk do të dijë për asnjë njeri, jo vetëm në Kukës, por as në gjithë Shqipërinë.
“Sot, Edi Rama tregoi arrogancën e vet dhe dha provën e radhës se nuk do të dijë për asnjë njeri, jo vetëm në Kukës, por as në gjithë Shqipërinë. Nuk do të dijë për anëtarët e simpatizantët e Partisë socialiste të Kukësit, të cilët kanë tetë vjet që kontribuojnë në opozitë, pasi nuk i pyeti dhe nuk u mori mendim as për emërimin e kryetarit të partisë në rreth e as për kandidatin për deputet që e prezantoi sot. Nuk pyeti dhe hodhi në kosh kërkesën e mbi 250 anëtarëve të Partisë Socialiste që kërkuan të drejtën për të zgjedhur kryetarin e tyre me votë duke treguar se rregullat janë bërë formalisht dhe jo për t’u respektuar. Ky njeri hakmarrës nuk di as të reflektojë, pasi nuk i pëlqen e vërteta, nuk dëgjon, nuk i pëlqejnë parimet dhe vlerat, ka frikë të përballet me argumentet dhe realitetin. Ai nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë një socialist i vërtetë. Ka menduar dhe mendon vetëm për interesat e veta. Tregoi se është një kryetar pa dinjitet. Kjo është fytyra e vërtetë e tij dhe jo ajo që e tregon çdo ditë nga ekrani i televizorit. Duke pasur këto probleme ai nuk pati as guximin të shkonte në Kukës që të prezantonte në terren, në mes të anëtarëve të Partisë Socialiste, kandidatin për deputet. Ky njeri që nesër pretendon të bëhet Kryeministër u tregoi shqiptarëve se po kërkon ta identifikojë Partinë me kryetarin, tamam si në kohën e diktaturës, ku partia identifikohej me Enverin. Por socialistët e vërtetë do fitojnë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe do vendosin me votë për kryetarin e tyre. Me njerëz të tillë, Partia Socialiste nuk mund të ecë përpara”, përfundon mesazhi i Asllan Dogjanit.