E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyle, Gruevski: Prioritet stabiliteti politik, jo baza etnike

Tensionet e fundit politike brenda koalicionit qeveritar në Maqedoni, ka qenë kryetema e takimit mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe Eurokomisionerit për Zgjerim, Shtefan Fyle. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp Fyle dhe Gruevski kanë dhënë detaje dhe mesazhe sipërfaqësore lidhur me gjendjen e koalicionit, ku kryeministri Gruevski ka përjashtuar prishjen e koalicionit me BDI, duke nënvizuar se Qeveria po përballet me sfida të ndryshme.
 

“Marrëdhëniet brenda Qeverisë janë komplekse dhe se partnerët e koalicionit po përballen me sfida, për të cilat po bëhen përpjekje për t`i tejkaluar përmes kontakteve të përditshme në nivele të ndryshme partiake. Qeveria dhe organet e shtetit po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa sfidat dhe qëndrimet e ndryshme, nuk kanë potencial për të shkaktuar destabilizim dhe tensione në planin ndëretnik”, theksoi Gruevski.
 

Nga ana tjetër, mesazhi i eurokomisionerit Fyle ka qenë më indirekt sa i përket tensioneve brenda partive të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI lidhur me homazhet në varrezat e UÇK-së nga ministri i mbrojtjes dhe së fundi project-ligji i VMRO-DPMNE për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë “branitellat”.
 

“Partitë politike duhet ti japin rëndësi më të madhe stabilitetit politik, se sa bazës etnike. Marrëveshja e Ohrit ka krijuar mundësi dhe bazë që të gjitha bashkësitë etnike të jetojnë bashkërisht”, ka qenë përgjigja e Fyles, lidhur me relacionet e partive politike në pushtet dhe acarimin e skenës politike në vend.
 

Ai ka bërë thirrje që të gjitha palët politike të angazhohen përmes dialogut politik për të përmbushur reformat në planin e integrimit evropian dhe marrjen e një raporti pozitiv për Maqedoninë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›