Fyle: Janë të gjitha mundësitë për marrjen e statusit brenda këtij viti
Komisioneri për Zgjerimin ftoi sot të gjitha palët politike në parlament që reforma zgjedhore dhe ajo e rregullores së parlamentit të përfundojnë deri më 24 maj, kur nisin edhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri
Në Bruksel u zhvillua takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, forumi më i lartë ku përfaqësohen vendet anëtare, ku u diskutua ecuria e zhvillimeve në Shqipëri. Në përfundim të takimit, eurokomisioneri për zgjerimin Stefan Fule shprehu shqetësim për vonesat në përmbylljen e reformës zgjedhore dhe, ashtu sikurse theksoi gjatë vizitës në Tiranë, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur. “Jam i shqetësuar se reforma elektorale nuk është përmbushur pavarësisht afatit të fundit që është sot. Por jam i vetëdijshëm që diskutimet janë duke vazhduar. E dimë që ka angazhim dhe vullnet nga të dy palët për të finalizuar punën. Partitë mund të kenë nevojë për kohë ekstra, është absolutisht në dorën e tyre” - u shpreh Fyle. “Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar për përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politikë në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj” ka theksuar Fyle. Sipas Fyles, Shqipëria ka pasur progres sa i përket reformave por theksoi se duhet më shumë punë për përmbushjen e 12 kritereve e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Shqipëria përballet me një sërë sfidat ku janë të përfshira edhe 12 kriteret e BE-së dhe unë kam besim tek potencialet e saj për t`i përmbushuar ato. S`ka kohë për tu humbur përsa i përket reformave” - përfundoi Fyle. Në të njëjtën linjë edhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet për të plotësuar rekomandimet, ndërsa theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit do të jetë konform Kushtetutës. “Takimi i sotëm u zhvillua në një klimë të re. Ka progres të qartë. Sot arritëm në përfundimin se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet për të plotësuar rekomandimet. Konfirmojmë se për zgjedhjen e presidentit dhe procesi do të jetë konform Kushtetutës dhe do të jetë një sinjal se situate politike do të jetë konform marrëdhënieve me BE, por edhe në respekt të institucioneve”- tha Haxhinasto. Nga ana e tij, kryetari i komisionit të integrimit Ditmir Bushati ka theksuar se marrëveshja e arritur nga të dyja palët në nëntor nuk është arritur plotësisht. Sipas tij po punohet për të përmbushur reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Ndërsa ministri i jashtëm Danez Sovndal tha se fati i statusit të Shqipërisë është në dorën e politikës shqiptare.
...