E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma Zgjedhore, PD-PS s’gjejnë konsensus, negociatat vazhdojnë

TIRANE-Pas një mbledhje që zgjati disa orë, e shoqëruar me debate e kundërshti mes palëve, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka përfunduar pa konsensus mes palëve, për sa i përket miratimit të kodit elektoral.

Bashkëkryetari i këtij komisioni Damian Gjiknuri deklaroi se palët nuk arritën një konsensus, ndërsa la të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave.

“Palët nuk gjetën konsensus. Kemi divergjenca te çështja e administrates dhe ajo e ankimimit, por negociatat do vazhdojnë. Divergjencat janë të karakterit politik. Shpresojmë të gjejmë zgjidhje deri në 24 maj”, tha ai.

Gjiknuri shtoi më tej se shpreson që zgjidhja të mund të gjehet përmes filtrave parlamentarë, ndërsa I të njëjtit mendim ishte edhe bashkëkryetari tijerër në komision Oerd Bylykbashi.

Sipas tij, “Shumica e rekomandimeve të ODIHR janë reflektuar. Duhet konsensus i mirëfilltë, ne do eksplorojmë filtrat parlamentarë”.

Ai shtoi se Reforma zgjedhore nuk duhet të lidhet me asnjë çështje tjetër. Reforma ka karakter teknik e politik”, komentoi ai.

NIS MBLEDHJA E KOMISIONIT TE REFORMES ZGJEDHORE
Sot finalizohet puna për reformën elektorale. Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore që nisi rreth orës 17:30 duket se do të përcakojë fatin e kodit të ri elektoral. 
Partitë politike të cilat u mblodhën në kryesinë e Kuvendit po diskutojnë çështjet e "nxehta" siç është formatimi i KQZ-së, mënyra si do procesohet për ankimimet zgjedhore dhe veçanërisht përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.

Mësohet se mbledhja është shoqëruar me debate mes PD e PS për KQZ, pasi të dyja palët nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre. Partia Socialiste ka deklaruar se “Anëtari i 7-të i KQZ-së duhet të vijë nga institucione të pavarura”. Ky propozim është kundërshtuar nga të djathtët.

Burime pranë mbledhjes që po zhvillohet me dyer të mbyllura sqarojnë, se nuk do të ketë shtyrje të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë që, nesër raporti i Komisionit të Reformës do t’i dorëzohet Kuvendit.

Të dyja palët ndahen në një pikë sa i përket kapitullit të KQZ-së. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet që sot të ketë një ditë të gjatë, në afatin e e fundit të përfundimit të tij që skadon në orën 24:00. Kështu të dyja palët, do të kenë vetëm 24 orë në dispozicion për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në Kod, përpara se drafti t`i kalojë Parlamentit. 

PALËT NË KOMISIONIN E REFORMËS ZGJEDHORE S’BIEN DAKORD PËR ANKIMIMIN
Pas rreth dy orësh diskutime palët në komisionin e Reformës Zgjedhore nuk kanë rënë dakord për ankimimin. PS kërkon që të hapen kutitë pas kërkesës të bërë nga 2 anëtarë të KQZ-së, ndërsa PD kërkon që hapja e kutive të bëhet pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje. 

PAS DEBATEVE, KOMISIONI I REFORMËS ZGJEDHORE 1 ORË PUSHIM
Rreth orës 19:40 Komisioni i Reformës Zgjedhore ka ndërprerë mbledhjen për një pushim 1 orësh. Ndërkohë që mbledhja është shoqëruar me debate mes opozitës e mazhorancës.
Opozita ka pretenduar se në draft janë hequr disa kapituj për numërimin elektronik. PS ka kërkuar që “Të ripunohen kapitujt e miratuar nga ekspertët”. Përfaqësuesit e majtë kanë deklaruar gjithashtu se “S’ka opinion me shkrim për numërimin elektronik të ODIHR. Kapitulli është hequr në mënyrë të njëanshme”. 
(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›