Fyle: Përmbyllja e negociatave të MSA-së me Kosovën pranverën e ardhshme

Komisioneri për zgjerimin në konferencë të përbashkët me kryeministrin Thaçi
“Nisja e negociatave me MSA, është shpërblim i merituar për Kosovën” kështu ka deklaruar komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa u shpreh optimist për përmbylljen e tyre pranverën e ardhshme. Ai ka theksuar nisja e negociatave të MSA për Kosovën një hap i madh, pasi ky shtet ka arritur përparime të shpejta, ndërsa ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e kritereve.
“Nisja e negociatave me MSA, është shpërblim i merituar për Kosovën, keni punuar shumë për përmbushjen e kritereve. Shpresoj të takohemi në vjeshtë për të diskutuar përparimet e mëdha, urojmë që një pranverën e ardhshme të mbyllim negociatat” – theksoi Fyle.
Nga ana e tij kryeministri Hashim Thaçi shprehu gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet në një kohë rekord për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Do të plotësojmë edhe kriteret për liberalizimin e vizave me Kosovën, sot kemi miratuar një paketë ligjesh në Kuvend”- theksoi Thaçi.
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku do takohet me Presidenten Atifete Jahjaga dhe do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.