E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcaktimet kushtetuese për ekzekutivin, Berisha: Injoranca nuk është argument, me kushtetutë mandati i qeverisë mbaron në shtator

18-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha i kujtoi mazhorancës së zgjedhur në 23 qershor detyrat dhe pozicionin e qeverisë së drejtuar prej tij në Kushtetutë. Gjithashtu, Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë u ndal dhe në çështjen e vlerësimit të financave duke i dhënë përgjigje dhe pretendimit të kampit kundërshtar i cili ka paralajmëruar për një auditim ndërkombëtar të tyre. “Ka një debat që ka në bazë injorancën, ka në bazë revanshin. Injoranca, siç ka thënë latini, nuk është argument. Ndërsa revanshi, tjetër problem, është sëmundje. Lidhur me vendimet e kësaj qeverie, Kushtetuta ka qartësuar në mënyrën më të përsosur, më precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një maxhorance dhe qeverisë së saj. Kushtetutat e Europës e në tërësi të botës nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë, nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj. Kushtetuta e Shqipërisë i jep parlamentit dhe qeverisë së tij katër vjet, ditë më ditë, për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston në Europë e pothuajse në botë, qeveri kujdestare. Qeveri kujdestare të lidhura me zgjedhje ka vetëm në Bangladesh, por edhe atje me Kushtetutë. Dhe ai është një vend demokratik që ka fiksuar me Kushtetutë që 3 muaj para zgjedhjeve dhe derisa të formohet qeveria e re, qeverinë e merr në drejtim kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ajo quhet qeveri kujdestare. Ka edhe një vend tjetër, unik, që e ka vendosur me ligj se çfarë mund të bëjë dhe nuk mund të bëjë qeveria deri në dorëzimin e mandatit. Të gjitha të tjerat, pa përjashtim, nuk kanë përcaktuar në Kushtetutë asnjë kufizim, përfshi këtu edhe vendimet më të mëdha që mund të marrë një vend e komb. Ky është morali. Mund të ngrihen jo një, por pesë zyra, por Kushtetuta është Kushtetutë. Ata që bëjnë fjalë për qeveri në detyrë, tregojnë injorancën e tyre. Qeveria në detyrë është qeveria e një kryeministri të dorëhequr, i cili pasi ka dhënë dorëheqjen është i detyruar të qëndrojë në detyrë derisa parlamenti dhe presidenti i vendit të gjejnë kryeministrin e ri. Këto janë nocionet themelore kushtetuese. Ata që tregojnë padurim dhe mendojnë se dikush duhet të ketë mandat tre vjet e shtatë muaj dhe tjetri, katër vjet e tre muaj, nguten e gabojnë. Kushtetuta është Kushtetutë në germë e në frymë dhe nuk ka të bëjë me një a tjetër person, por  ajo rregullon funksionimin e institucioneve të vendit. U ndala edhe një herë në këtë çështje për ata që bëjnë zhurmë. Nuk është e vërtetë se është ndryshuar Kushtetuta për këto etapa. Përsëri injoranca nuk shërben. Në vitin 2004, në marrëveshje të plotë me Partinë Socialiste është ndryshuar Kodi Zgjedhor dhe me një normë të Kodit Zgjedhor janë përcaktuar datat e përfundimit dhe fillimit të mandatit. Përse kjo? A nuk ishim ne që në vitin 2001 na vazhduan votimet deri në 20 gusht dhe ne ishim në opozitë, jo për fajin tonë. Aso kohe u përcaktua kjo normë, e cila, siç ishte në Kod, u vendos në vitin 2008, sepse në Kushtetutën që ekzistonte thuhej se parlamenti mblidhej 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Por zgjedhjet përfundojnë pasi përfundon çdo lloj ankese dhe kjo mund të shkojë në kalendat greke. Faktikisht, ajo e përcaktonte sine die datën e mbledhjes së parlamentit, ndërsa përcaktimi siç e kemi ekziston në shumicën e kushtetutave, në shumicën e ekzekutivëve. Nuk është risi, nuk është shpikje. Ka vende që e kanë gjashtë muaj, ka vende që e kanë një muaj. Afatet përcaktohen që të mos ketë konfuzion”- sqaroi kryeministri Berisha. 
Por, gjithashtu në plotësim të të gjitha detyrimeve që përcakton ligji, Kryeministri kërkoi nga ministrat që të vazhdojë me intensitet hartimin i buxhetit. “Ju kërkoj në mënyrë shumë të vendosur që hartimi i buxhetit të vazhdojë me intensitet të madh. Kjo është dëshirë e jona për një tranzicion sa më dinjitoz të pushtetit. Natyrisht, ata që vijnë në shtator kanë të drejtë ta përmbysin tërësisht, ta ndërtojnë, por ne t’i lëmë atyre një skemë. Në varësi nga vizioni mund të mbajnë atë që vlerësojnë, mund të hedhin të tjera. Por nuk duhet të ndodhë që buxheti të fillojë nga e para, pasi ajo është një punë e gjatë. Ndaj të gjitha drejtoritë e angazhuara në hartimin e buxhetit, në përputhje me udhëzimin e Ministrisë së Financave, duhet të bëjnë punën më serioze dhe t’ia lënë mbi tavolinë drejtuesve që do të vijnë. Të mos ndodhë që buxheti të mos jetë hartuar në një shkallë të caktuar. Ai është një projekt, i cili duhet të dorëzohet nga secila ministri dhe pasardhësit duhet ta gjejnë në tavolinë. Më pas është në tagrin e tyre të veprojnë sipas vizionit të tyre për zhvillimin dhe vitin buxhetor”- tha kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›