E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Zgjedhja e Avokatit të Popullit në Shqipëri shembull për të gjithë rajonin

TIRANE-Bashkimin Europian, Stefan Fyle, tha sot, gjatë takimit me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, se ndihet i nderuar dhe i vlerësuar për gjithçka që ka bërë institucioni i Avokatit të Popullit gjatë këtyre muajve. "Vizita ime në këtë institucion ka për qëllim të shprehë mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për ju dhe kolegët tuaj si dhe të nënvizoj rëndësinë e punës tuaj në axhendën e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe integrimit në Bashkimin Europian", theksoi Fyle.

Fyle vlerësoi mënyrën se si z.Totozani është përzgjedhur në këtë pozicion dhe u shpreh se kjo mënyrë përzgjedhjeje mund të shërbejë si një shembull i mirë për të gjithë rajonin.

"Një element tjetër, të cilin do doja të vlerësoja, është qasja që ju keni lidhur me funksionin dhe kompetencat që keni. Ka shumë njerëz që nuk janë në gjendje të kuptojnë punën e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, ndërkohë që ju jeni duke përdorur në maksimum mundësitë që ju njeh ligji", tha Fyle.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, falenderoi z. Fyle për ardhjen në institucionin e Avokatit të Popullit, dhe u shpreh i nderuar që është vlerësuar me këtë vizitë.

Totozani falenderoi Komisionin e BE për ndihmën e pakursyer që ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi nëpërmjet bashkëpunimeve konkrete si, një raporti të përgatitur nga EURALIUS, per mënyrën e organizimit, funksionimit dhe strukturimit të institucionit, miratimit të disa kërkesave në kuadër të programit TAIEX, për ngritjen e kapaciteteve njerëzore të institucionit, mundësinë e një Trining Project, me një institucion Ombudsmani të vendeve europiane.

Avokati i Popullit, në emër të institucionit që drejton falenderoi Komisionin e Bashkimit Europian për rolin e madh që ka dhënë për institucionin e Avokatit të Popullit dhe Ambasadorin Sequi, i cili i është gjendur institucionit pranë me këshilla dhe me mendime të pakursyera, për trajtimin e çështjeve, rasteve dhe situatave me të cilat është përballur institucioni ynë gjatë kësaj periudhe.

Totozani është shprehur se institucioni i Avokatit të Popullit do të punojë maksimalisht dhe vazhdimisht për të qenë partner i denjë dhe me një rol të posaçëm në procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE.

Totozani ka vlerësuar të nevojshme ngritjen e një shkolle rajonale, e cila do të synojë ndër të tjera përveç ngrijtes së kapaciteteve njerëzore, edhe harmonizim të procedurave dhe metodologjive të misioneve monitoruese dhe të inspektimit dhe shkëmbim informacioni dhe ekspertize për mënyrën e trajtimit të rasteve apo çështjeve të ngjashme.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›