Udhëtim në parkun-varrezë të Bashkisë së Tiranës
Tiranë- Pas denoncimit të z. Gëzim Vaska në gazetën IDEA për abuzime nga ana e ish- zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, me blerjen e pjesëve të këmbimit për makinat e parkut të saj, stafi i gazetës e ka investiguar më tej këtë rast.
Nga një vëzhgim në parkun e këtyre automjeteve është parë që janë rreth 25 makina në pronësi të Bashkisë të cilat kanë patur probleme të vogla mekanike, që sipas mekanikut tani kanë dalë jashtë përdorimit.
Shumica prej tyre janë të markës Shevrolet, dhe defektet janë të tipit: çarje gomash, prishje amortizatorësh, apo defekte jo shumë të kushtueshme në motor. Ndërkohë duke parë që janë makina të reja dhe kanë kushtuar me dhjetra miliona lekë, ato tani kanë dalë jashtë përdorimit dhe lekët e taksapaguesve janë shpenzuar kot.
Mekaniku Vaska pretendon se automjetet mund të rregullohen shumë lehtë dhe të rikthehen në qarkullim ose edhe mund të shiten dhe fitimi të rikthehet në buxhetin e Bashkisë në mënyrë që të përdoret në shërbim të qytetarëve.
Për sqarim, automjetet janë blerë në kohën kur kryetar ishte z. Edi Rama dhe pasi kanë pësuar disa defekte shërbimit mekanik të Bashkisë i është deklaruar se do të rregullohen në pika servisi, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Makinat kanë shkuar në parkun e grumbullimit dhe nuk kanë shkuar për rregullim, ndërkohë që nuk dihet çfarë është bërë me buxhetin e dhënë për riparimin e tyre.
Sipas mekanikut të bashkisë, makinat do të riparoheshin në një servis të kontraktuar nga bashkia dhe jo më nga shërbimet e këtij institucioni, për të cilat ai kishte punuar.
Makina me goma të shfryra, të mbuluara nga pluhuri, xhama të thyer, kjo është pamja që kanë marrë sot këto automjete, të cilat janë blerë me taksat e qytetarëve dhe sot këto para kanë shkuar dëm. Ndërkohë që ato mund të riparohen dhe të vihen sërish në shërbim të personelit ose të shiten.
Këtë abuzim stafi i gazetës IDEA është duke e investiguar dhe do të ketë shkrime të tjera ku tregohet se si pushtetarët abuzojnë më taksat e qytetarëve.
