Fyle kundër referendumit në Shqipëri

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle është shprehur kundër idesë së mazhorancës për miratimin e tre ligjeve nëpërmjet referendumit. Ai thotë se për këtë nuk ka konsensus midis partive politike të ndryshme, çka do të thotë nuk ka përfshirjen e duhur. Ai theksoi se duhet të ketë një konsensus midis opozitës dhe mazhorancës për plotësimin e kushteve për integrimin e vendit në BE.
"Mora shënim vendimin e mazhorancës qeverisëse për të mbajtur një referendum për miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së parlamentit që kërkohen për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Unë e kam theksuar në mënyrë të përsëritur se ligjet, dhe në veçanti rregullorja e parlamentit, duhet të aprovohen me konsensus mes opozitës dhe qeverisë dhe për këtë arsye është e vështirë të kuptohet ky vendim që është në kundërshtim me frymën e përfshirjes”,-nënvizon komisioneri Fyle.
Komisioneri Fyle thotë se me nismën për referendum nuk plotësohen kushtet e nevojshme për integrimin e vendit. Ai thekson nevojën për konsensus ndërpartiak.
“Të zgjedhësh referendumin në këtë rast nuk është mënyra se si ndërtohet konsensusi ndërpartiak. Kjo nuk mund të jetë një mënyrë për të anashkaluar mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës për agjendën evropiane. Kjo nuk është mënyra për të plotësuar kushtet e nevojshme. Unë e kam theksuar në raste të ndryshme që procesi i reformave të lidhura me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, i vetëmotivueshëm dhe i udhëhequr nga konsensusi. Vetëm një dialog politik konstruktiv mund t’i çojë përpara reformat e nevojshme”,- tha ai./Indeksonline/