Qumështi do të kontrollohet në pikat grumbulluese

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit të Veterinës do të nisin kontrollin e qumështit edhe te pikat grumbulluese nëpër Kosovë.
Një hap i tillë, sipas zyrtarëve të agjencisë, po ndërmerret për të pasur edhe më shumë siguri gjatë përdorimit të qumështit të vendit, ani pse ky i fundit ka dalë të ketë aflatoksinë në nivel të ulët. E, në tregun e vendit ka rënë lehtë shitja e qumështit të importuar, transmeton KTV.
|
Ndërkohë, shqetësimet janë rritur për paraqitje të mundshme të mineraleve të rënda në grurë, produkt ky, që Kosova e importon kryesisht nga Serbia, njëjtë siç bën edhe me misrin, tek i cili u gjet aflatoksinë.
Por, në Agjencinë e Veterinës dhe e Ushqimit thonë se asnjë maunë me grurë nuk është lejuar të kalojë kufirin e Kosovës, pa u bërë analizat. Nga ana tjetër, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë janarit dhe shkurtit ka kthyer prapa disa maune me misër pas konstatimit të AVUK-it dhe të njëjtën do ta bëjë edhe për grurin./Indeksonline/