E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle letër Berishës

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha para se të ndodhte ngjarja tragjike.
Ai ka sqaruar se në letër theksohej se mund të ndihmonte për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, nëse palët do ta kërkonin.

“Ne patëm nisur një letër disa ditë para kësaj demonstrate, ku për fat të keq njerëzit u vranë jashtë dyerve. Këtë letër ia drejtuam qeverisë dhe aty ngrinim çështjet që qëndrojnë që prej raportit të fundit të progresit mbi zgjerimin, duke theksuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet për adresimin e sfidave përpara zgjedhjeve lokale të majit, një palë tjetër zgjedhjesh këto që po afrohen. Dhe pika e tretë ishte ritheksimi se pa zgjidhje reale të ngërçit politik do ishte shumë e vështirë që të arrihej ndonjë farë progresi, për sa i takon perspektivës evropiane. Por çfarë është më e rëndë akoma është se e gjithë kjo po sjell pasoja për jetën e njerëzve në Shqipëri”, pohoi Fyle.

“E madje, unë shkova dhe përtej linjës sime tradicionale, kur në letër iu referova darkës së famshme te “Krokodili” vitin e kaluar dhe theksova, se ne jemi në kontakt me të dy liderët e shquar të familjeve kryesore politike në Parlamentin Evropian dhe ofrojmë gatishmërinë tonë të vazhdueshme për të ndihmuar, në rast se të dy liderët shqiptarë do të dëshironin sërish angazhimin tonë, e nese ata vetë nuk do të ishin të aftë të kapërcenin pjesën e fundit të rrugës në kërkimin e një zgjidhjeje politike”, shtoi ai. Fyle kërkoi mbështetje për ndërmjetësuesin e BE-së Miroslav Lajcak, që zhvilloi dje takime në Tiranë me drejtuesit kryesorë të politikës në vend.

“Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme në këtë moment, është që Miroslav Lajcak ka mbështetjen pa rezerva të të gjitha institucioneve evropiane, si i dërguari special atje i Catherine Ashton. Por unë kam biseduar dhe me institucione të tjera, fola me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, me kabinetin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, si dhe me vende apo shtete të tjera të rëndësishme apo dhe me organizma të tjerë siç është OSBE, pasi të gjithë ne nevojitet që të jemi të bashkuar për sa i takon mesazheve që duam të përcjellim”, tha më tej Fyle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›